Konfrontohen fizikisht/ Sherri për një gjyq, grushta mes ish-nënkryetarit të KLD Çefa dhe avokatit Pjetra

Alma Çuka
elvis-cefa-ndue-pjetraPas grushteve në zonën e ish-Bllokut, autorët e konfliktit i drejtohen policisë. Regjistrohen në të njëjtën kohe denoncimet e të dyja palëve. Akuza në të dyja rastet e kallëzimit për “Goditje për shkak të detyrës”

 Degjeneron në grushte dhe konfrontim fizik një sherr, që ka nisur për një proces gjyqësor mes ish-nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, dhe avokatit Ndue Pjetra. Incidenti ndodhi në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dhe dy protagonistët fajësojnë njëri-tjetrin për konfliktin. Debati me fjalë ka degjeneruar në grushte mes dy protagonistëve. Ata që duhet të japin drejtësi dhe të mbrojnë qytetarët nga padrejtësisë, bien vetë në kthinat e sherreve banale. Lajmi konfirmohet si nga policia ashtu dhe nga dy autorët e sherrit banal që kapërceu limitet duke u kthyer në konfrontim fizik.

 

Konflikti

Sipas policisë, sherri mes ish-nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, dhe avokatit Ndue Pjetra, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, ka nisur me debat. Avokati Pjetra e ka akuzuar Çefën se gjatë kohës që ushtronte detyrën e nënkryetarit, ka qenë pengesë për zhvillimin e një procesi gjyqësor ku palë ishte avokati. Por nuk ndalen vetëm këtu akuzat. Avokati Pjetra i ka thënë policisë së ka prova të pakundërshtueshme, të cilat e implikojnë ish-nënkryetarin në afera korruptive, të cilat Pjetra i ka shkruar edhe në gazetën e tij të titulluar “Antikorrupsion”.

 

Denoncimi

Të dyja palët e përfshira në konflikt i janë drejtuar komisariatit të policisë numër dy në Tiranë për të depozituar kallëzimin përkatës. Pas daljes nga komisariati, avokati Ndue Pjetra u shpreh: “Ai u paraqit i shoqëruar me disa persona të tjerë ku debatuam dhe situata degradoi më tej. Më sulmuan ai së bashku me dy persona të tjerë. Pati shtyrje, edhe ndonjë grusht mund ta ketë ngrënë se nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Unë telefonova policinë. Erdhi policia dhe po e kërkojmë ta gjejmë personin tjetër. Ngjarja ndodhi te zyra e Shoqatës Antikorrupsion. Kishte shtyrje. Ishin tre veta, janë në mes të filmimeve të kamerave, të gjitha. Kallëzimin e kam bërë për shpërdorim detyre dhe po kërkonte të merrte hak për shkak të detyrës. E kam akuzuar për shpërdorim detyre për veprimet e kryera në KLD për të përvetësuar prona. Gjithë gjyqtarët i ka përdorur si vegla të tij”.

 

Reagimi

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ish-nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa. Pasi ka bërë denoncimin në polici, Çefa i është drejtuar edhe Prokurorisë së Tiranës. Në një deklaratë për mediat, Çefa pranon konfrontimin me avokatin Ndue Pjetra, madje shpjegon se është ndjerë i kërcënuar prej tij dhe personave të tjerë. “ Nuk dëshiroj të bëj komente mbi këtë provokim rrugaçëror, fyerjen dhe goditjen time për shkak të detyrës të bërë ndaj meje nga një individ që e konsideron veten avokat. Kam bërë denoncim në polici në respekt të procedurave ligjore, e cila besoj do të zbardhë krejtësisht këtë ngjarje. Ngjarja e rëndë do të hetohet nga policia dhe prokuroria dhe pasi të jenë marrë të gjitha dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm dhe të ballafaqohen provat do të dilet me një përfundim.

 

Korçë/ Ndahet nga gruaja, qëllon për vdekje vjehrrin

Një 34-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri vjehrrin, pasi u nda nga vajza e tij vetëm pak kohë pas martesës. Ngjarja është shënuar në fshatin Pulah në Komunën Moglicë të Korçës. Policia ka arrestuar shtetasin Kristian Bajramaj, i cili qëlloi me armë zjarri vjehrrin e tij, Ylli Sora. Ky i fundit u dërgua në spitalin e Korçës në gjendje të rëndë, por nuk mundi të mbijetonte, pasi gjatë rrugës kishte humbur shumë gjak. Mësohet se palët janë grindur fillimisht me njëri-tjetrin, pasi vjehrri ka shkuar të ballafaqohet me dhëndrin lidhur me ndarjen, por gjithçka ka degraduar në përdorimin e armës nga 34-vjeçari, i cili ka qëlluar në drejtim të vjehrrit të tij, duke i shkaktuar vdekjen. Policia e Korçës njofton se ka kryer të gjitha procedurat ligjore për këtë ngjarje të rëndë. Ndërkohë, është marrë në pyetje edhe autori i ngjarjes, i cili ka dhënë detaje për krimin e rëndë.

 

Librazhd/ Lirohet nga burgu, dhunon nënën për lekët e pensionit

Policia e Librazhdit vë në pranga një 54-vjeçar me akuzën e dhunës në familje. Nuk kanë mjaftuar disa çështje penale të hapura ndaj tij, as kohët e gjata të kaluara në burgje dhe paraburgim për krime ndaj të tjerëve, por ka rihyrë në ambientet policore, për një krim brenda familjes. 54- vjeçari me inicialet G. P., nga fshati Babje i rrethit Librazhd, u arrestua nga policia lokale nën akuzën e dhunës në familje. Ai akuzohet se në banesën e tij ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, S. P., rreth 75 vjeç. Mësohet se 54-vjeçari nuk punonte dhe ishte agresiv vazhdimisht. Burime zyrtare nga policia pohuan, se i ndaluari vazhdimisht e dhunonte nënën e tij, duke i kërkuar lekët e pensionit. Sherrin për të marrë paratë e vetme që nëna e tij kishte si burim mbijetese, shpesh shoqëroheshin me dhunë ndaj saj. I ndaluari pak muaj më parë ishte liruar nga burgu ku kishte vuajtur dënimin për plagosjen e një personi.

 

Konflikti/ Tiranë, plagoset i riu pas një sherri në pikë bastesh

 Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e paratë mëngjesit të së hënës në një pikë bastesh në një lagje të Laprakës. Burime policore bëjnë me dije se disa të rinj kanë shkëmbyer zjarr pas një sherri të shkaktuar në pikën e basteve. Nga shkëmbimi i zjarrit është plagosur një 32-vjeçar. Ngjarja e ndodhur në rrugën “Pandi Dardha”, ku Erjon Kapollari u plagos me armë në këmbë, ka vënë në lëvizje policinë, e cila po punon për identifikimin e personit dhe arrestimin e tij. Policia deklaroi se ka nisur hetimet e menjëhershme për të zbardhur ngjarjen, që, sipas saj, mund të jetë shkaktuar për dy arsye. Nga pistat dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes, ndërsa pista tjetër dyshohet të jetë ajo e grindjes së çastit.

Share it :