Zëdhënësja e Komisionit Europian Dana Spinat, ka njoftuar se KE së bashku me Presidencën Suedeze të Këshillit, do të organizojnë më 16 mars një konferencë të madhe donatorësh në Bruksel, për të mbledhur kontribute për Turqinë dhe Sirinë. Të gjitha kontributet do tu vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi të dyja vendet. Pritet që në këtë konferencë Komisioni Evropian të japë një kontribut të madh shtesë, por në të njëjtën kohë priten edhe donacione individuale të vendeve anëtare, të vendeve fqinje, organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve privatë, po ashtu.
Bashkimi Evropian edhe deri më tani ka ndihmuar Turqinë dhe Sirinë, përmes dërgimit të ekipeve për intervenim të shpejtë, por edhe përmes ndihmës materiale. BE vlerëson se nevojat për rimëkëmbje pas tërmetit, për kujdesin për njerëzit e goditur nga pasojat, do të jenë të mëdha dhe të gjata. Prandaj edhe ka vendosur të thërrasë konferencë donatorësh.
Rikujtojmë se BE-ja organizoi një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit të vitit 2019. Në atë konferencë u premtuan mbi 1 miliard euro, si në ndihmë të pakthyeshme, ashtu edhe përmes kredive të favorshme. Duke krahasuar pasojat dhe dëmet e tërmetit në Shqipëri dhe hapësirën që kishte përfshirë, tërmeti i fundit në Turqi dhe Siri është një prej më të mëdhenjve në 100 vitet e fundit.




