Prezantohen në Kuvend kandidatët për ambasadorë në Bullgari Dhimitër Kureta dhe në Republikën Çeke Riza Poda
Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme zhvilloi një seancë dëgjimore me ambasadorin e Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, i cili raportoi për marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke folur për çështjet që kanë shkaktuar debate me fqinjët grekë, ambasadori tha se ligji i luftës me Greqinë nuk përbën probleme për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, ndërsa theksoi se në Athinë është kuptuar se ai ligj duhet anuluar.
“Një nga këto probleme që pëshpëritej nëpër korridore është ligji i luftës. Nuk është më një patate e nxehtë. Në Athinë është kuptuar se është një ligj anakronik që duhet anuluar. Anulimi i tij do të çlirojë shumë energji pozitive një pjesë e mirë e çështjeve që janë pjesë e axhendave tona do të futen në procesin e zgjidhjes si derivati i saj. Që zgjidhjet të jenë të përhershme ato kërkojnë transparencë, krijimin e besimit reciprok, nuk pranohen kushtëzime, në fund të dyja palët të ndihen të fituara”, – tha Dërvishi. Ai theksoi se Greqia është cilësuar një partner strategjik nga politika e jashtme shqiptare, ndërsa pala greke ka shkuar dhe më tej, duke e konsideruar Shqipërinë jo vetëm partner strategjik, por dhe vital.
Lidhur me çështjen e toponimeve, ambasadori ynë në Greqi tha se pala greke kishte kohë që kishte kërkuar ndryshimin e shkrimit në pasaporta, por kjo kërkesë ishte neglizhuar nga autoritetet shqiptare.“Kërkesa është bërë nga pala greke 4 vjet më parë, fqinjët e tjerë e zgjidhën ndërsa ne e neglizhuam. Unë kam qenë edhe para 4 vitesh që e neglizhova, në fund çështja u zgjidh. Zgjidhja u shit në opinionin grek si një favor që Greqia i kishte bërë Shqipërisë, por ishte kërkesë e Greqisë për ne”.
Duke u ndalur tek çështja e paktit detar, Dervishi tha se pas prishjes së kësaj marrëveshjeje pati ngrirje në marrëdhëniet, kryesisht nga pala greke dhe pala jonë u përshtat me situatën. “Pasioni i nacionalizmit i futi partitë në grackë, por falë punës diplomatike kemi qëndruar larg incidenteve”, – u shpreh Dervishi. Ndërsa për çështjen çame ambasadori tha që tashmë kjo nuk është më një tabu, por kërkohet shumë më tepër për të gjetur formula të zgjidhjeve të çështjeve.
Komisioni për Politikën e Jashtme zhvillon seancë dëgjimore edhe me kandidatët për ambasadorë në Bullgari Dhimitër Kureta dhe në Republikën Çeke Riza Poda. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko, prezantoi dy kandidaturat për ambasadorë në Bullgari. Fillimisht anëtarët e komisionit u njohën me prezantimin për ambasadorë në Bullgari Dhimitër Kureta, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe nxitje të mëtejshme në bashkëpunimin parlamentar. Nga ana tjetër, kandidati për ambasador në Republikën Çeke Riza Poda, u shpreh se një Shqipëri më pranë BE-së do t’i shërbejë alternimit të rolit konstruktiv të saj dhe do të rrisë besueshmërinë në ndikimin pozitiv në zhvillimet në rajon.
Kryetarja e Komisionit, Arta Dade, vlerësoi dy kandidaturat, duke thënë se: shprehim gjithë vullnetin tonë si Kuvend për ti dhënë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe, por edhe me ndikimet që kanë dy vendet anëtare të BE-së si vende që e kanë mbështetur vendin tonë edhe në NATO dhe BE duke pasur një bashkëpunim më të ngushtë për të avancuar në axhendën tonë evropiane.




