Komisioni i Sigurisë/ Mazhoranca miraton hetimet ndaj SHISH, opozita braktis komisionin, kërkon raportimin e Kodhelit

Florenc Drizari

 

Deputetët e PS-së, Lutaj, Qefalia dhe Ndreu, janë tre anëtarë të grupit të kontrollit në SHISH

 

takuKomisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dje pa praninë e opozitës, ngritjen e grupit të punës për mbikëqyrjen e veprimtarisë së SHISH-it për vitin e shkuar. Kërkesa është bërë nga deputeti i PS-së, Piro Lutaj, ndërkohë që opozita e quan këtë nismë një tentativë për të vënë nën kontroll punën e shërbimit. Në mbledhjen e djeshme deputetët e opozitës kërkuan raportimin e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli lidhur me akuzat e ngritura më herët në media për përfshirjen e mundshme të strukturave të Forcavë të Armatosura në trafikun e drogës. Deputeti i opozitës Flamur Noka tha se kërkesa për raportimin e Kodhelit është një shqetësim jo vetëm i pakicës parlamentare, por edhe i opinionit publik, ndërkohë që përfëaqësuesit e mazhorancës theksuan se për këtë çështje është miratuar në Konferencën e Kryetarëve ngritja e një komisioni hetimor dhe investimi i komisionit të Sigurisë është e panevojshme. Pas këtyre debateve në Komision, opozita braktisi punimet në shenjë proteste, por edhe në kuadër të marrëdhënies së kushtëzuar që ka vendosur me mazhorancën e majtë.

Flamur Noka

“Kemi më shumë se dy javë që ne si opozitë kemi kërkuar bazuar në rregulloren e Kuvendit një seancë dëgjimore me Ministren e Mbrotjes për një çështje alarmante dhe sensitive jo vetëm për në si opozitë, por edhe për opinionin publike. I janë drejtuar pyetje ministres dhe në bazë të rregullores ajo duhet të vinte e të raportonte. Në alarm e sipër ky komision në kundërshtim me rregulloren e hodhi në votim kërkesën që kishim bërë ne që është antiligjore si procedurë votimit, por ju e hodhët poshtë të alarmuar dhe kjo zoti kryetar përbën precedentë shumë të rrezikshmë për parlamentarin dhe komisionin”,-deklaroi nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Nokan.

Në replikë me deputetin e opozitës, kryetari Spartak Braho deklaroi se nuk është shmangur raportimi i ministres së Mbrojtjes, por kjo çështje tashmë nuk i përket më këtij komisioni. “Ajo është njoftuar dhe në momentin kur zotërinjt do të diskutojnë në mbledhjen e posatshmë të komisionit këta u larguan dhe nuk paraqitën asnjë lloj shkrese. U thamë se çfarë dokumentash dhe akuzash keni depozitojini në prokurori. Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi ngritjen e Grupit të Kontrollit për SHISH me objekt “ verifikimin e ligjshmërisё së Shkresës “sekret/Kёrkesё Operative” nr.1478, datё 2.12.2013, dërguar drejtorive të SHISH nё prefektura, ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar nё veprimtari antiligjore, tё emëruar nё pozicione drejtuese nё Policinë e Shtetit”,-theksoi Braho. Më herët mes tij dhe deputeti Noka pati replika për raportimin e dy ditëve më parë të kreut të SHISH-it, Visho Ajazi. Sipas Braho, Noka ka shkelur ligjin duke nxjerrë informacione sekrete për të cilat u diskutuan në atë mbledhje, ndërkohë që deputeti i PD-së mohoi akuzat dhe deklaroi se kërkesa e mazhorancës për ngritjen e grupit të kontrollit ndaj SHISH-it nuk u parashtrua në raportimin e drejtorit të këtij shërbimi.

“Dje (pardje) kishim këtu kreun e shërbimit i cili edhe për këtë shkresë raportoi në mënyrë të detajuar si procedurë punë periodike që ka dhe është e bazuar në ligj siç e raportoi. Dje askush nga ju nuk e ngriti si shqetësim këtë çështje. Sot na dilni se paska nevojë për këtë komision kontroll fshatar. Zoti na ruajt se ju ka kapur një ankth që nuk dimë ta shpjegojmë as ne pse e keni ndërkohë që jeni mazhoranca me shumicë absolute votash dhe silleni sikur jeni në opozitë”,-deklaroi Noka.

 

 

Debate tek Siguria për kontrollin ndaj SHISH-it

Flamur Noka: Ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtyre përrallave.
Piro Lutaj: Aman Flamur rri.
Spartak Braho: Mirupafshim
Paulin Stërkaj: Sulmi është mbrojtja më e mirë
Ardian Turku: Kryeministri e shoqëroi çështjen me inspektore
Paulin Stërkaj: Kjo është strategji e njohur
Ardian Turku: E kemi mësuar…
Paulin Stërkaj: Patjetër
Spartak Braho: Doja të sqaroja jo komisionin por opinionin publik që Z. Noka vazhdon me dizinformime dhe është për të ardhur keq që ai theu edhe rregulloren e kuvendit dje, ka shkelur edhe ligjin. Ndonëse mbledhja u zhvillua nën dokumentacionin sekret, kishte një rëndësi të veçantë.
Piro Lutaj: Nuk ia vlen të merresh me deklaratat e Flamurit që fatkeqësisht i ka humbur edhe bishti.

 

Raporti vjetor i Prokurorisë, Llalla: Pajisjet e përgjimit i kemi me qira

Kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla raportoi dje në Komisionin e Ligjeve lidhur me raportin vjetor të punës së institucionit që ai drejton. Sipas tij, trafiku i drogës mbetet shqetësim më vete. “Duhet rritur efikasiteti i luftës kundër trafikut të drogës. Në strategjinë e fundit të hartuar është parashikuar përfshirja e shërbimeve të inteligjencës. Ndërkohë, duhen marrë masa edhe kundër kultivimit të lëndëve narkotike në disa zona të vendit. Gjithashtu, prokuroria ka kërkuar disa mjete përgjimi që do të bënin më aktive hetimet”,-tha Llalla. Duke folur për pajisjet përgjuese, Llalla tha se shteti shqiptar nuk ka asgjë në pronësi të tij, por ato janë me qira. Gjithashtu kryeprokurori kërkoi edhe shtimin e numrit të prokurorëve për të rritur efikasitetin e organit të akuzës. “Është i nevojshëm shtimi i numrit të prokurorëve. Nga ana tjetër, sot mbajmë me qera pajisjet e përgjimit, të gjurmimit, etj. Nuk ka asgjë në pronësi të shtetit shqiptar”,-theksoi Llalla. Sipas tij, gjakmarrja, pastrimi i parave, korrupsioni, mungesa e një institucioni të posaçëm për të sëmurët mendorë që mbahen në burgje deri edhe fëmijët që lypin, por edhe ata që përfshihen në krime ishin disa nga shqetësimet kryesore të prokurorit të Pergjithshem.

 

Seancë plenare/ PS-LSI votojnë sot ndryshimet e komisionit për reformën territoriale, opozita kundër

Mazhoranca pritet të miratojë e vetme ndryshimet në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territorieale. Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet paraditen e së enjtes në seancë plenare dhe një ndër pikat e diskutimit është edhe shqyrtimi i projektvendim “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 1/2014 “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”. Kjo iniciativë e mazhorancës vjen pas kërkesës së bërë në seancën e fundit plenare nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili kërkon ndryshimin e përbërjes së komisionit. Ndryshimet konsistojnë në heqjen e barazisë së votës ndaj opozitës në komision, duke ia kaluar këtë mazhoranëncës PS-LSI. Shqyrtimi i kësaj çështjeje pritet të shoqërohet me debate të forta mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në sallën e seancave plenare dhe kjo për faktin se opozita ka kundërshtuar në vijimësi miratimin e njëanshëm të kësaj reforme, por edhe ndryshimet e propozuara sëfundimi nga shumica parlamentare. Në deklaratat publike të krerëve të mazhorancës është theksuar se ndryshimet vijnë për t’i hapur rrugë fillimit të punës së këtij komisioni, ndërkohë që krerët e opozitës e kanë argumentuar këtë lëvizje si një tentativë për të ndryshuar hartën elektorale e për pasojë, cënimin e zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor. Opozita ka kërkuar gjetjen e një konsensusi të gjerë dhe për këtë ka bërë vazhdimisht thirrje për dialog, por mesa duket pozitë-opozitë nuk kanë arritur në gjetjen e një marrëveshje për një nga reformat më të rëndësishme siç është cilësuar ajo për ndarjen e re administrative dhe territoriale të vendit.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :