Këlliçi: Berisha u prit me protokoll kryeministror në Zagreb, takime me rëndësi për PD dhe aleatët ndërkombëtarë
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se vizita e fundit e delegacionit të drejtuar nga kryetari i PD-së Sali Berisha në Zagreb ku mori pjesë në forumin e IDU, ka pasur një rëndësi të veçantë politike dhe diplomatike.
I ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krasta në SYRI TV, Këlliçi theksoi se Berisha është pritur me protokoll kryeministror nga kryeministri i Kroacia, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm pas disa vitesh.
Gjatë kësaj vizite janë zhvilluar takime me figura të rëndësishme të politikës ndërkombëtare të djathtë, përfshirë ish-kryeministrin e Kanadasë, Stephen Harper, si dhe përfaqësues të lartë nga vende të rajonit dhe organizata politike ndërkombëtare, tha ai.
Këlliçi nënvizoi se këto marrëdhënie janë të rëndësishme pasi PD është pjesë e një rrjeti të gjerë partish simotra në Europë dhe më gjerë, që ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrimet e qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
‘Tani të gjitha janë të ndërlidhura edhe me qëndrimet që mbajnë partitë tona si motra, qoftë edhe në vizitën e fundit që ne patëm në Zagreb, me delegacionin që kryesoi nga zoti Berisha, ku nuk ka vlerë vetëm pjesa formale dhe protokollare që zotit Berisha për herë të parë, në pesë vite, ju rezervua një takim me protokoll kryeministror, shtetëror, u prit nga kryeministri i Kroacisë, me delegacionin e tij dhe Berisha me delegacionin e tij.
U prit nga drejtuesi i organizatës më të madhe botërore të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, që është ish-kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, kryeministri i 22-të. Është pritur në takim nga ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, në takim bilateral e shumë e shumë autoritete dhe personalitete të politikës botërore të djathta.
Pse është kjo e rëndësishme? Sepse pjesë e kësaj organizate, që janë 65 shtete, janë 84 parti politike që janë parti si motra të PD-së. Pse ka kjo vlerë? Sepse në Bashkimin Europian, këto parti dhe organizatat tona si motra drejtojnë gjysmën e qeverive të Bashkimit Europian.
Pse ka kjo prapë vlerë? Sepse brenda këtyre 13 shteteve prin Gjermania, ku Kristian-Demokratët e CDU-së, të kancelarit Merz, janë anëtarë dhe ato reflektojnë dhe qëndrimet e shteteve të tyre.
Pra, qëndrimi që mbahet në atë rezolutën e IDU-së, që e mori PD-ja ditën e diel, që është e teta, që ne anatemohemi, sulmohemi, thonë gjithë kohën që këto s’kanë asnjë vlerë, nuk kuptojnë qytetarët apo edhe sulmi mediatik që i bëhet PD-së, që ato rezolutat që ne marrim, që denoncohen vjedhja e zgjedhjeve, që denoncohet krimi i organizuar, që denoncohet problemi në reformën në drejtësi dhe keqpërdorimi i drejtësisë për të goditur kundërshtarin, që denoncohet cënimi i sigurisë kombëtare të Shqipërisë, që denoncohen të gjitha ato, me fakte, akuza që bënte PD-ja, reflektohen në qëndrimet zyrtare që mbajnë shtetet dhe qeveritë e këtyre partive tona aleate, kryesuar nga Gjermania.
Dhe çfarë ka ndodhur? Njëlloj si vite më parë, kur po ta mbani mend, rreth shtatë vite më parë, qeveria gjermane, Bundestagu gjerman, vendosi nëntë kushte shtesë për Shqipërinë për të vazhduar me procesin e negociatave dhe të integrimit europian.
Njëlloj, në këtë moment ne jemi në një fazë stanjacioni, stalling, që kemi mbetur në procesin e IBAR-it dhe në procesin e integrimit. Pse? Janë shtuar kushtet. Përse? Rasti Balluku shkëlqen mes të gjithave.
Kreu i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Parlamentit Europian, David McAllister, që njëherazi është dhe përfaqësues i gjermanëve dhe eurodeputet, e tha në mes të Tiranës, para dy muajsh, që rasti Balluku është test kritik për qeverinë shqiptare.
Dua t’i lidh që ta kuptojnë qytetarët. Pra dua të bëj një lidhje që të jetë sa më e thjeshtë por dhe e kuptueshme.
Dhe jo se ka qenë e lehtë. Lobimi i kryeministrit për ta sterilizuar atë raport, për ta pastruar, për ta krastitur nga të gjitha këto problematika, është i jashtëzakonshëm. Mos harroni që komisionere për zgjerimin është Marta Kos.
Është ajo që tre muaj më parë erdhi në Tiranë dhe tha, në Shqipëri janë mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe ku për herë të parë dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë reagoi në mënyrë të menjëhershme, brenda një ore, duke hedhur poshtë deklaratën e komisioneres.
Pra, po flasim për njerëz të lobuar drejtpërdrejt nga qeveria e Edi Ramës, nga Edi Rama personalisht, por dhe nga interesat e përbashkëta të Ramës me, le të themi, internacionalen socialiste apo me linjën e tij politike. Por nuk e kanë ndalë dot, për shkak se skandalet në Shqipëri janë të jashtëzakonshme’, tha Belind Këlliçi në SYRI TV.




