Një grup prindërish shqiptarë ka nisur një peticion online, përmes të cilit kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, largimin e ministrit të Brendshëm dhe krijimin e një qeverie tranzicioni që të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mund ta firmosni duke klikuar KËTU.
Peticioni, i publikuar më 19 tetor 2026, vjen në një kohë kur protestat e studentëve dhe të rinjve kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa janë ngritur denoncime për dhunë policore ndaj protestuesve, përfshirë edhe të mitur.
Nisma mban titullin “Kryeministri Rama: për ne dhe fëmijët tanë – dorëheqje, përgjegjësi, dhe zgjedhje të lira!”dhe është ndërmarrë nga një grup që prezantohet si “Prindërit për Shqipërinë”.
Organizatorët theksojnë se peticioni është një nismë qytetare, pa lidhje partiake, e ndërmarrë nga prindër të shqetësuar për të ardhmen dhe sigurinë e fëmijëve të tyre.
Në peticion parashtrohen tre kërkesa kryesore.
E para është dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama, të cilin organizatorët e konsiderojnë politikisht përgjegjës për skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe institucioneve shtetërore.
Kërkesa e dytë është dorëheqja e ministrit të Brendshëm, për përgjegjësinë politike lidhur me veprimet e Policisë së Shtetit dhe dhunën e denoncuar ndaj protestuesve.
Ndërsa kërkesa e tretë është krijimi i një qeverie tranzicioni, me mandat të kufizuar, e cila të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe hetimin e pavarur të rasteve të dhunës ndaj protestuesve.
“Ne i frikësohemi telefonatës që ngelet pa përgjigje kur fëmijët tanë dalin në protestë dhe radikalizimit të një brezi të tërë në mungesë të një përgjigjeje politike”,shkruajnë organizatorët e peticionit.
Ata theksojnë se kërkojnë një Shqipëri ku fëmijët e tyre të kenë mundësi të studiojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen me dinjitet.
“Duam që ata të duan dhe të mundin të studiojnë, të punojnë dhe të rrisin familjen këtu në Shqipëri me cilësi dhe dinjitet”, thuhet në peticion.
Nisma u drejtohet kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa synon mbledhjen e 50 mijë firmave.
Organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve të lexojnë letrën e hapur, të firmosin peticionin dhe ta shpërndajnë atë. /Lapsi.al




