Këlliçi: Bëhu si Roni të kesh sukses në Shqipëri!

Këlliçi: Bëhu si Roni të kesh sukses në Shqipëri!

Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, në një postim në rrjete sociale, ka akuzuar kryeministrin Rama se po u përcjell biznesmenëve mesazhin se për të pasur sukses në Shqipëri duhet të jesh pranë tij dhe njerëzve të tij të afërt.

Duke iu referuar deklaratave të Ramës në Kuvend për biznesmenin Carlo Alberto Becchetti, Këlliçi thotë se ky i fundit po përballet me sulme të kryeministrit pasi nuk pranoi të bëhej “klient” i qeverisë.

Këlliçi e lidh këtë qëndrim edhe me çështjen e arbitrazhit prej 110 milionë eurosh që Shqipëria duhet t’i paguajë Becchettit.

Këlliçi përmend gjithashtu rastin e Behgjet Pacollit, duke deklaruar se edhe ai ndodhet në një proces arbitrazhi pas largimit nga Aeroporti i Vlorës.

Këlliçi u shpreh se në Shqipëri krijohet një situatë ku biznesmenët që qëndrojnë pranë pushtetit trajtohen ndryshe nga ata që përplasen me qeverinë.

Postimi

Bëhu si Roni të kesh sukses në Shqipëri!

Në një shfaqje si hije afër mesnatës në Parlament, Edi Rama bëri të qartë për biznesmenët, për sipërmarrësit, se si duhet të sillen, si mund të bëhen të pasur në Shqipëri, si mund të kenë sukses.

Ai shpalli publikisht se për të marrë para nga ai, duhet të bëhesh si miqtë e tij, klientët e tij, apo oligarkët e tij.

Beketi që ka fituar në arbitrazh 110 milionë euro që do paguhen nga taksat e qytetarëve më të varfër në Europë, sipas Edi Ramës është legen. Kështu e cilësoi dhe mbrëmë.

Beketi mund të meritojë edhe etiketime më të rënda, por problemi në këtë rast është se ai po i merr ato 110 milionë euro për shkak se nuk u bë klient i Edi Ramës. Nuk iu nënshtrua paralajmërimeve të tij, nuk e ktheu televizionin nën kontrollin editorial të qeverisë.

Thjeshtë nuk u bë si Roni!

Nëse do bëhej si Roni, Beketi me siguri se do të ishte ende duke bërë biznes në Shqipëri dhe do të ishte mik i nderuar i Edi Ramës.

Behgjet Pacolli është dhe ai në arbitrazh. Dhe shuma që pritet të kërkojë, pasi e dëbuan nga Aeroporti i Vlorës, është më shumë se 350 milionë euro.

Shumë shpejt, me gjasë dhe ai do shpallet kriminel dhe legen nga Edi Rama. Sepse nuk zgjodhi modelin që Kryeministri preferon. Mund të bëhej si Roni, mund të bëhej si Gysi, mund të bëhej si Sanieli, dhe do të ishte i respektuar.

Mund po ashtu të bëhesh si shoku i Olsit, që bleu një tokë me 300 mijë euro, e rivleresoi për 2 muaj me 26 mln euro, dhe për 2 muaj të tjerë u bë pronar i kazinosë në mes të Tiranës.

Pra e vetmja mënyrë për të ecur e për të mos pasur probleme në Shqipëri është të jesh ose klient i Edi Ramës dhe njerëzve të tij të afërt, ose koordinator për punët e pisëta.
Kush zgjedh të bëjë rezistencë, të shkojë në arbitrazh, është armik!

Share it :