Kandidati në Kurbin/ KQZ rikthen Bibën, Luzi shkon majtas. PD: Po ja falni zonën PS-së

Gëzim Saliu

mbledhja me kqzKryetarja Luzi bashkon sërish votat me anëtarët e propozuar nga e majta në KQZ dhe u vendos për mospranimin e dorëheqjes së kandidatit të parë të PD-së në Kurbin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të mos pranonte dorëheqjen e kandidatit Altin Biba në Kurbin pas vendimit të Kolegjit që rrëzoi më parë vendimin e institucionit më të lartë zgjedhor lidhur me çregjistrimin e kandidatit të dytë të PD-së, Ilir Pjetraj. Vendimi u mor me 4 vota pro, ku votave të anëtarëve të propozuar nga e majta në KQZ iu bashkua sërish kryetarja Lefterie Luzi, e cila theksoi se ndryshe do t’i hapej rruga një precedenti të rrezikshëm për zgjedhjet. Ndërkohë, anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ theksuan se me këtë vendim po i jepet fitorja në tavolinë së majtës, pasi kandidati i parë i propozuar nga PD-aj, Altin Biba, ka dhënë dorëheqjen për arsye personale e nuk ka arsye për t’u rikthyer në garë. Nisur nga mosregjistrimi i kandidatit të dytë të zgjedhur nga PD-ja për Kurbinin, Ilir Pjetraj, dhe mundësisë së madhe për mosrikthimin në garë të Bibës duket se në këtë zonë zgjedhore nuk do të ketë garë.

 

Debati

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi atë të KQZ-së lidhur me mosregjistrimin e kandidatit Pjetraj u përcoll me debate në mbledhjen e djeshme të institucionit më të lartë zgjedhor. Propozimit të kryetares së KQZ-së, Luzi, dhe anëtarëve të majtë për mospranimin e dorëheqjes së anëtarit të majtë opozita iu përgjigj duke theksuar se në këtë formë prishet gara në Kurbin. Sipas përfaqësuesve të PD-së, vendimi i Kolegjit Zgjedhor i riktheu afatet PD-së për të bërë regjistrimin e kandidatit. “Ne kemi dorëzuar kërkesën për moskandidim nga Altin Biba dhe kërkesën e regjistrimin për kandidim të Ilir Pjetrajt (vëllai i deputetit Mhill Fufi)”. Ndërsa kryetarja e KQZ-së u shpreh se vendimi i Kolegjit Zgjedhor përkon vetëm me pranimin ose mospranimin e dorëheqjes së Altin Bibës. Në të njëjtën linjë me Luzin ka qenë edhe anëtari tjetër i KQZ, nënkryetari Denar Biba i cili theksoi se “në diskutim është akti i dorëheqjes dhe çdo diskutim që lidhet me regjistrimin e kandidatit tjetër nga KZAZ e Kurbinit nuk mund të vijojë pasi vjen nga një procesi i parregullt”. Ndërkohë përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste pohuan se dorëheqja e një kandidati nuk është argument për të thyer kodin dhe për të regjistruar një kandidat tjetër. Anëtari i propozuar nga LSI-ja, Gëzim Veleshnja, propozoi mosnjohjen e dorëheqjes së kandidatit Altin Biba dhe regjistrimin e tij si kandidat i PD-së në Kurbin. Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, i propozuar nga PR, Klement Zguri, propozoi njohjen e dorëheqjes së Altin Bibës dhe regjistrimin e kandidatit tjetër të propozuar nga PD Ilir Pjetraj. Por KQZ vendosi të mos njohë dorëheqjen e Bibës dhe në këto kushte të mos regjistrojë si kandidat vëllain e deputetit demokrat Mhil Fufi për zgjedhjet në Kurbin. “Me këtë vendim KQZ po i fal një zonë subjekteve të tjera”, – tha anëtari Zguri. Në replikë me anëtarin e propozuar nga PR, kryetarja Luzi theksoi: “Ku e kanë përgjegjësinë partitë politike që kandidojnë kandidatë që japin dorëheqjen? Partitë duhet të mendojnë mirë para se të zgjedhin kandidatët. Nëse do të kishin zgjedhur kandidatin në kohën e duhur, nuk do ishim në këtë situatë”. Ndërkohë, nënkryetari Biba që mbështeti kryetaren Luzi, u kërkoi kolegëve të mos bëjnë retorikë politike, por hasi në kundërpërgjigjen e shpejtë të anëtarit Osmanaj, i cili i rikujtoi atij largimin për dy vite nga KQZ-ja me një akt dorëheqjeje.

 

Debati në KQZ

 Gëzim Veleshnja (anëtar i KQZ-së): Propozoj të mos pranohet dorëheqja. Të mos regjistrohet kandidati Ilir Pjetraj

Klement Zguri (anëtar i KQZ): Ku është procesi konkurrues në qoftë se në këtë njësi administrative ka vetëm një kandidat? Biba në datë 9 ka një dorëheqje të parevokueshme. Ka tri javë kur s’kemi asnjë përgjigje, ku është e drejta e kandidatit për 30 ditë fushatë? KQZ po i fal një zonë subjekteve të tjera, është njësoj sikur ti japim tjetrit zgjedhjet në tavolinë. Do të kërkoja njohjen e vendimit të KZAZ të dorëheqjes së kandidatit dhe pranimin e regjistrimit të kandidatit tjetër.

Lefterie Luzi (kryetarja e KQZ): Jo me kaq patos atë që i kërkon KQZ-së. Jini të kujdesshëm me ato që i kërkoni kësaj tavoline. Ta shikojmë konkurrueshmërinë nga të gjitha anët, jo nga ajo anë që e shikoni ju. Ku është kjo forcë politike që kandidon njerëz që dorëhiqen brenda ditës, brenda natës. Mos e shikoni të drejtën nga ana që ju leverdis. Nëse do të kishin zgjedhur kandidatin në kohën e duhur nuk do ishim në këtë situatë. Por s’mund t’i vihet i gjithë faji KQZ-së.

Vera Shtjefni (anëtare e KQZ): KQZ nuk ka ç’të bëjë tjetër përveçse të pranojë dorëheqjen dhe të regjistrojë kandidatin.

Genci Gjonçaj (përfaqësuesi ligjor i PS-së): Mendimi ynë është që të gjitha veprimet që ka kryer KZAZ respektive pas datës 7 maj janë nul.

Ivi Kaso (përfaqësuesi ligjor i PS-së): Nuk është ky momenti në të cilin të përballen argumentet. Sigurisht kemi qëndrime të kundërta. Për këtë arsye u përballëm edhe në Kolegj Zgjedhor. Por sot praktikisht kjo çështje është e ezauruar.

Lefterie Luzi: Propozoj të mos pranohet dorëheqja.

Denar Biba (nënkryetar i KQZ): Nuk duhet ta pranojmë dorëheqjen, pasi nuk ka dhënë argumente të arsyeshme për dorëheqjen. Fenomeni po replikohet në mënyrë të vazhdueshme. Dje u kërkua që të dorëhiqej edhe kandidati i Këlcyrës. Atëherë për të lejuar që këto zgjedhje të bëhen dhe të mos krijohet ky karusel, këtë cirkun zgjedhor të na nisë më mirë i japim fund kësaj historie. Themi dorëheqjet e kandidatëve që janë regjistruar nuk pranohen njëherë e mirë e Altin Biba mbetet në listën e kandidatëve.

Edlira Jorgaçi (anëtare e KQZ): Pranimi dhe hapja e rrugës do cenojë rëndë procesin zgjedhor. Duke i hapur rrugë pa asnjë lloj argumenti ligjor do pranojmë të na vijnë kërkesa për dorëheqje edhe dy ditë para zgjedhjeve. Duke mos pranuar dorëheqjen, kandidati është në garë.

Hysen Osmanaj (anëtar i KQZ): Nëse do më thoshit para ’90-së të mos pranohet dorëheqje do ta kisha kuptuar, por tani pas 25 vitesh demokraci?

Lefterie Luzi: Çfarë arsyesh…

Hysen Osmanaj: Nëse dje thanë të pranohet dorëheqja, sot paskemi ndryshuar mendje. Sy më sy i themi njëri-tjetrit e quajmë se nuk e pranojmë. Nëse fiton ky zotëria, do shkojmë sërish në zgjedhje në Kurbin. Atëherë çfarë zgjidhjeje kemi dhënë ne si organi më i lartë zgjedhor?

 

Votuan pro mospranimit të dorëheqjes së Bibës:

Lefterie Luzi

Denar Biba

Gëzim Veleshnja

Edlira Jorgaçi

 

Votuan kundër

Klement Zguri

Vera Shtjefni

Hysen Osmanaj

 

Basha: Dorëheqja e Altin Bibës ne Kurbin, pasi pati presion kriminal nga e majta

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar pak ditë më parë çështjen e dorëheqjes së kandidatit të parë të opozitës në Kurbin, Altin Biba, ku tha se ai e mori këtë vendim pas presionit kriminal nga e majta. “Altin Biba u tërhoq pas presionit kriminal nga kandidati i majtë. Presim vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Pjetrajn. Kam kërkuar nga çdo kandidat informacion të plotë për integritetin dhe mungesën e rekordeve kriminale dhe asnjë kandidat nuk është emëruar pa sjellë informacionin më parë”, – tha Basha në një intervistë televizive.

Share it :