Italia, vendi më i rrezikuar nga Grexit

Alba Kepi, Romë/Itali

Italia, vendi më i rrezikuar nga GrexitItalia është vendi i tretë kreditor evropian i Greqisë në një kuotë që varion prej 40-65 miliardë euro, por edhe vendi kryesor më i rrezikuar në rast të një daljeje të Greqisë nga Eurozona. Kjo mundësi përllogaritet në bazë të borxhit publik të vendit e të rrezikut të kontaminimit ndaj këtij fenomeni. Kriza greke ndikon në rritjen e rendimentit të titujve shtetëror italianë e nëse grafiku i këtij rendimenti do të ngrihet me 2%, atëherë gjatë dy viteve të ardhshme pritet që borxhi publik i Italisë të rritet deri në 10 miliardë euro. Janë pra 5 miliardë euro më shumë në vit, para këto që qeveria italiane do t’i duhet t’i sigurojë me anë të rritjes së taksave apo reduktimit të shpenzimeve publike. Asnjë vend tjetër i Eurozonës nuk do të paguante një çmim kaq të lartë për një Grexit të mundshëm.

Italia është ekonomia e tretë e Eurozonës e kapitalin e saj në Bankën Qendrore Evropiane e nënshkruan me anë të Banka Italia, në një kuotë të barabartë me 12.3%, pas Francës me 14,2% e Gjermanisë me 18%. Nëse një vend braktis Bashkimin Evropian borxhi i tij ngelet e rreziku i Italisë ndaj largimit të Greqisë nga Eurozona kap vlerën e 65 miliardë euro, 10 prej tyre të garantuar me anë të borxhit dypalësh të shtetit italian ndaj qeverisë greke e pjesa tjetër me anë të fondeve të institucioneve financiare evropiane.

Përveç rrezikut ekonomik, ekspozimi i Italisë ndaj Grexit është edhe në frontin politik. Aktualisht Italia së bashku me Spanjën është një nga vendet ku ekziston një forcë e rëndësishme politike antieuro e aftë për të fituar zgjedhjet. Kjo është Lëvizja 5 Yje e cila së bashku me Lidhjen e Veriut e kanë shndërruar idenë e tyre të braktisjes së zonës euro si një luftë të vërtetë politike e elektorale.

Mbi këtë situatë ministri italian i Ekonomisë, Padoan, ka deklaruar “se përballë një Grexit-i të mundshëm, Ministria e Thesarit zotëron një plan të caktuar për t’u mbrojtur nga pasojat. Bazat e ekonomisë italiane si në financat publike ashtu dhe në zhvillimin e saj janë të forta”.

Ministri i Ekonomisë nuk ka përjashtuar “se Grexit mund të shkaktojë një gjendje shoku në tregjet financiare, por që mund të limitohen me anë të instrumenteve të fuqishme që zotëron Banka Qendrore Evropiane”.

Ndryshe nga çka ndodhi në Berlin, ku situata greke detyroi këtë të hënë Kancelaren Merkel të organizojë një takim urgjent me të gjitha forcat politike apo imponoi Presidentin francez Hollande t’i bëj thirrje Greqisë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me BE, Kryeministri italian Matteo Renzi është shfaqur mjaft i kujdesshëm. Asnjë tweet e asnjë deklaratë shtypi mbi çka po ndodh aktualisht në Greqi. Kryeministri italian merr kohë e nuk prononcohet publikisht. Ndoshta sipas analistëve shkak janë sondazhet e fundit, që flasin për një rënie të votëbesimit të italianëve ndaj qeverisjes Renzi e rritjen e simpatisë ndaj politikës antieuro të Lidhjes së Veriut e Lëvizjes 5 yje. Me mjaft interes pritet në frontin mediatik e diplomatik vizita e ardhshme më 1 korrik e Kryeministrit italian në Berlin e takimi i tij me Angela Merkelin.

Efektet e mbylljes së bankave greke ndikuan menjëherë në bursën italiane të Milanos, e cila e nisi javën me një humbje prej 5% e duke u stabilizuar gjatë mëngjesit të së hënës në një kuotë ulje prej -4%. Një rënie të fortë kanë shënuar dhe titujt bankar të Banka Intesa San Paolo e Unicredit, ndërsa vlera e shkëmbimit valutor të euros kundrejt dollarit në Itali ka kapur kuotën e 1.10/1.11.

 

Opozita italiane mbi krizën greke: Renzi, jep llogari në Parlament!

Për opozitën italiane situata është shumë e rëndë e preokupuese. Forza Italia e konsideron daljen e Greqisë nga eurozona si një shkatërrim për të gjithë Evropën, e veçanërisht për Italinë. Kryetari i grupit parlamentar të Forza Italias, Renato Brunetta, në emër forcës së tij politike ka kërkuar nga qeveria Renzi shpjegime mbi atë cka po ndodh me krizën greke.

“Ministri i Ekonomisë duhet të referoj menjëherë në parlament mbi atë cka po ndodh në Greqi. Përballë një skenari që paralajmërohet katastrofik, çfarë synon të bëjë qeveria italiane për të shpëtuar Greqinë?- pyet opozita italiane. Ekzekutivi Renzi duhet të sqaroj gjithçka e menjëherë në parlament, pasi ne nuk dimë asgjë se ç’po ndodh!”

Për forcat opozitare nëse Greqia falimenton, pasojat do të jenë mjaft preokupuese në të gjitha tregjet financiare evropiane e mbi të gjitha në Itali.

 

Silvio Berlusconi kundër Bashkimit Evropian

Pas një takimi katërditore me miku e tij, Presidentin rus Vladimir Putin, në Siberinë e largët, lideri i opozitës italiane. Silvio Berlusconi sulmon Bashkimin Evropian ndaj krizës në Greqi e situatës së emigracionit në Evropë.

Ish kryeministri italian deklaron se është i zhgënjyer nga Evropa dhe e konsideron Euroburokracinë si fajtoren kryesore ndaj situatës dramatike në Greqi. “E kam deklaruar kohë më parë, thotë ai, se institucionet evropiane kështu siç janë strukturuar nuk funksionojnë. Dhe në rastin e Greqisë Evropa shfaqi paaftësinë e saj për të reaguar në kohë e në mënyrë efikase. Eurobokracitë janë vënë kundër qeverive sovrane; kjo është sinteza e asaj cka po ndodh aktualisht. Me një Evropë më solidare nuk do të kishim mbërritur në këtë pikë”.

Sipas Silvio Berlusconit, “në Bruksel vlejnë më shumë interesat kombëtare e egoizmi i më të fortëve. Ndërsa për sa i përket fluksit të madh të emigrantëve në brigjet italiane, lideri i Forza Italia hedh akuzat e tij ndaj paaftësisë së Kryeministrit Renzi që nuk mundi të marr asgjë nga Evropa. Sipas tij, “Kryeministri italian pranoi diktatin e shteteve të Veriut të Evropës, madje fshehu mossuksesin e tij. Italia po vuan aktualisht një pushtim të vërtetë nga emigrantët.. Nuk është kjo Evropa e ideuar nga baballarët e saj themelues!”

 

Turistët në Greqi

Gjatë natës së shkuar qeveria greke ka shpërndarë një komunikatë shtypi ku theksohet se nuk do të ketë asnjë limit bankar për turistët e huaj. Masat e kontrollit të kapitalit e të tërheqjes cash nuk do të limitohen për çdo turist që përdor kartë krediti të lëshuar nga vendi i origjinës. Aktualisht turizmi është i vetmi sektor i ekonomisë greke që nuk është në krizë falë turistëve të shumtë nga e gjithë bota.

Me gjithë këtë komunikatë zyrtare të qeverisë greke, mjaft website turistike gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë dhënë këshilla ndihmëse për mjaft turistë që kanë programuar pushimet e tyre në Greqi;

merrni sa më shumë para të thata me vete e sa më pak karta krediti, bankomat etj. Radhët në sportelet e bankave greke ju komplikojnë ditën e kjo situatë mund të përkeqësohet.

Përveç kartës së identitetit merrni me vete dhe pasaportën. Mund të jetë e nevojshme në rast se Greqia del nga Bashkimi Evropian.

Kujdes me spekulimet. Baret, restorantet, lokalet turistike, taksitë, shërbimet hoteliere mund te ngrejnë çmimet, duke përfituar nga kjo gjendje kaotike.

Drejtoresha e Entit kombëtare helenik për turizmin Boulasidou Kyriaki ka informuar se gjatë orëve të fundit janë shtuar kërkesat e turistëve për t’u informuar mbi gjithçka praktike të nevojshme për pushimet e prenotuara në Greqi. “Në emër të shtetit grek, u shpreh ajo, garantoj se bankomatet për çdo qytetar të huaj funksionojnë rregullisht, pa limit, dhe e njëjta gjë vlen dhe për kartat e kreditit. Po ashtu të garantuara janë dhe shërbimet hoteliere e udhëtimet me avion apo me cdo lloj mënyre tjetër të prenotuar më parë. Të gjithë turistët duhet të jenë të qetë. Do të jetë një vit mjaft i mirë për turizmin grek”.

Share it :