INTERVISTA/ Luçiano Boçi zbulon Elbasanin pas 14 majit: Vendimi i parë si kryebashkiak, ndalimi i ndotjes galopante të qytetit

Kreu i grupit parlamentar të PD dhe njëkohësisht kandidati zyrtar i opozitës për bashkinë e Elbasanit Luçiano Boçi flet në një intervistë për gazetën “standard” mbi situatën në selinë blu si edhe për zgjedhjet e 14 majit. Ai thekson se bashkimin në PD nuk e vendosin as dëshirat dhe as negociatat, por se ai mbetet sipas tij një proces natyral si një sjellje politike ndaj parimeve, vlerave, qëllimeve  mbi bazën e së cilave organizohet një forcë politike. Nga ana tjetër Boçi flet edhe për arsyet e vendimmarjes që mori për të dorëzuar mandidatin e deputetit dhe për t’u bërë pjesë e sifdës për bashkinë e Elbasanit. “Politika nuk është gjendje qetësie. Ajo ekziston dhe ecën përpara e performon vetëm nëpërmjet betejave, lëvizjes. Gjendjet e qetësisë në poltikë janë vdekjeprurëse”, theksoi ai.

Sa i përket problematikave të bashkisë Elbasan, ai përmendi shumë prej tyre ndërsa dha edhe një premtim mbi vendimin e parë që do të marrë nëse zgjidhet si kryebashkiak pas 14 majit.

INTERVISTOI: Gëzim Saliu

PD  ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku duket se fushata  shtë startuar që në dhjetor. Ndërkaq këtë process e parapriu ai i primareve, ku përmes votës së anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD u zgjodhën kandidatët që do të përfaqësojnë opozitën në garën për bashkitë. Si e vlerësoni këtë nisje të hershme të angazhimit në fushën e betejës, krejt ndryshe nga sa ndodhte me lidershipin e kaluar dhe pse sipas jush primaret janë një kartë fituese për demokratët?

 

Ka qenë një kërkesë e kahershme e anëtarëve të partisë demokratike që të ishin ata me votën e tyre përzgjedhësit fundorë të përfaqësuesve të tyre në  nivel lokal dhe qendror. Realizimi i kësaj kërkese me procesin e primareve ku u përfshinë dhe simpatizantët e PD, është një nga arritjet më të mira përgjatë historisë së PD.

 

Primaret u dëshmuan si procesi më i drejtë dhe demokratik brenda një force politike. Ato jo vetëm saksionojnë fuqinë e votës dhe fuqinë e anëtarësisë por njëkohësisht shërbejnë dhe si bazament i ndërtimit të një besimi të qëndrueshëm modos forcës politike dhe votuesit e qytetarit. Sikurse tentojnë të paraqesin në fund të tyre kandidatët më potenciale që gëzojnë respekt, mbështetje dhe vlerësim.

 

Bashkë me primaret, paralelisht, është insistuar dhe në shpalljen e kandidatëve në një distancë kohore të përshtatshme me datën e zgjedhjeve, me qëllimin krijimin e hapësirës së duhur kohore, përgjatë së cilës kandidati apo partia rrisin në mënyrë efektive kontaktet dhe shpalosin vizionet. Shpesh koha e pamjaftueshme zyrtare ka penalizuar rezultatin dhe pritshmëritë e PD. Domosdoshmëria shtyhet më tej dhe nga të qenurit në opozitë pasi dihet që mazhoranca këtu tek ne në kundërshtim me cdo rregullim ligjor, shfrytëzon të gjithë makinerinë shtetërore për të mbështetur kohësisht por dhe materialisht kandidatët e saj.

 

 

Koha kështu merr trajtën e një avantazhi sepse njohja e plotë e kandidatëve të PD, për shkak të cilësive të tyre, krijon mundësinë e ngjizjes së besimit në publik.

Pra primaret me dy elementët kyc të saj, votën dhe kohën e hershme krijojnë automatikisht dy avantazhe që krijojnë besim, nxisin organizim më të plotë të strukturave dhe mobilizim politik të votuesit. Ky i fundit ka mundësi tashmë të orientohet drejt cilësive të kandidatëve, ofertës politike të tyre e jo të jetë pre e emocioneve globale partiake dhe e tifozerisë momentale pa përmbajtje.

 

 

Ndonëse grupi parlamentar i PD ende nuk është plotësisht i unifikuar, në heshtje duket se kandidatura juaj për bashkinë e Elbasanit ka marrë miratimin e pjesës më të madhe të deputetëve. Si e shihni këtë mbështetje dhe marrë shkas nga një drekë festive ku merrnin pjesë përfaqësues të dy grupimeve në parti, a besoni se ka ende shanse që palët të shkojnë të bashkuara në garën elektorale?

 

Bashkimi është një proces, brenda një cikli politik nga i cili nuk shpëton dot asnjë forcë politike. Këto cikle ndodhin jo thjesht prej disa rrethanave e shkaqeve se sa më shumë janë domosdoshmëri e fuqizimit të organizimeve politike. Si proces fatin e tij nuk e vendosin as dëshirat dhe as negociatat, pavarësisht niveleve të zhvillimit të tyre.

 

Sipas meje ai mbetet një proces natyral si një sjellje politike ndaj parimeve, vlerave, qëllimeve dhe standarteve demokratike mbi bazën e së cilave organizohet një forcë politike që ka historinë e saj, të sotmen e të ardhmen. Pa respektuar këto parime dhe këto dimensione, përfshirë këtu dhe virtutet e marrëdhënieve njerëzore; mirënjohjen, modestinë, respektin e ndërsjellë, bashkimi mbetet një iluzion.

 

E mësimet më të mira të bashkimit nuk vijnë nga retorika, as ajo parlamentare por nga sjellja e sinqertë dhe e vërtetë e bazës së gjërë të Partisë demokratike.

Është i njohur fakti që kandidatura ime ka marrë mbështetjen e plotë dhe të një pjese të mirë të asaj që ka qëndrim ndryshe në raport me zhvillimet e brendëshme në PD dhe unë do dëshiroja dhe shpresoja që në vazhdim të mos kishte një kandidat alternativ mik imi dhe kontributor i PD. Do ndihesha i keqardhur jo për garën time, sespe ajo nuk është thjesht e imja por e të gjithë atyre demokratëve që kanë vite që luftojnë në opozitë, se sa për mesazhet aspak politike që mund t’i japim anëtarëve të PD dhe qytetarëve.

 

Nuk mjafton të përdorim gjuhën e bashkimit pa e shoqëruar bashkimin me veprime konkrete dhe mirëkuptime të pranuara. Votuesi nuk duhet të corientohet sepse ai është i cmuar dhe duhet vënë përpara alternativave dhe zgjidhejve politike e aspak para simpative apo antipative me frymëzime momentale të mbarsura me inate dhe zemërime pa asnjë përmbajtje. Nëse ne përqëndrohemi tek oferta politike, tek vizioni, tek dhënia e shpresës, dhe jo tek përpjekja për të hequr tullat e fundit, atëherë procesi i bashkimit do të eci me këmbët e veta dhe do japë rezultat fitues për të gjithë ne.

 

 

Ju vendosët të hiqni dorë nga mandati i deputetit dhe posti i kryetarit të grupit, duke marrë përsipër një sfidë e cila padyshim ka vështirësi dhe të panjohura për të ardhmen tuaj. Cilat ishin arsyet që shtynë Luçiano Boçin për të garuar për bashkinë e Elbasanit?

 

Karrierën politike unë e konceptoj si një rritje në përgjegjësinë për të shërbyer politikisht dhe jo vetëm për të ngjitur disa shkallë hierarkike politike. Nën këtë gjykim mendoj se ky kandidim për mua është një privilegj. Privilegj që më është dhënë nga kërkesa dhe dëshira e shumë demokratëve e qytetarëve të Elbasanit që unë të isha kandidat i tyre në këtë garë. Sikurse është një detyrim natyral i imi ndaj qytetarëve të një Bashkie që më kanë ngjitur me mbështetjen e tyre në piedestalin e të qenurit përfaqësues i tyre. Pa harruar lidhjen organike që unë kam me Elbasanin që nis me edukimin tim, familjen, e vazhdon me formimin, profesionin, e kontributin e pandërprerë timin akademik e politik gjithmonë në shërbim e pranë kësaj treve të vyer. Pastaj politika nuk është gjendje qetësie. Ajo ekziston dhe ecën përpara e performon vetëm nëpërmjet betejave, lëvizjes. Gjendjet e qetësisë në poltikë janë vdekjeprurëse. Arsyet u gërshëtuan dhe më shtynë që unë me këmbët e mia të eci drejt këtij privilegji politik.

 

Megjithëse është ndër qytetet më të mëdha të vendit, Elbasani prej vitesh vuan varfërinë dhe emigrimin. Cilat janë problematikat më të theksuara me të cilat haset qyteti sot dhe pse kanë ardhur ato?

 

Krahas varfërisë e shpopullimit, Elbasani nuk është më ai qyteti universitar i shquar në mësuesi e filologji dhe vuan humbjen e lavdisë e shkëlqimit të dikurshëm,  sikurse vazhdon të mbetet një zonë me ndotje mjedisore apokaliptike. Atij i mungon sot gëzimi dhe hareja, historia dhe e ardhmja. I mungon rinia, por dhe fëmijëria e tij calon për shkak të neglizhencës qeverisëse. I mungojnë rrugët normale, mjediset shkollore cilësore, uji i pijshëm i gjithëkohshëm, qetësia dhe harmonia hapësinore. Kaotizmi është ai që bërtet më shumë se boritë e makinave këtu.

 

Ekonomikisht ai nuk shfaqet konkurues, megjithë potencialet e mëdha dhe mbetet pika më e dobët e trekëndëshit të përfolur TIrane-Durrës-Elbasan, për shkak të politikave diferencuese e papërgjegjshmërisë drejtuese të tij ndër vite.

 

Niveli i shërbimeve që ofrohen le shumë për të dëshiruar dhe nëse flasim me kategorizim, Bashkia Elbasan ofron shërbime të kategorisë së dytë dhe të tretë, pa cilëse, zvarritëse dhe sfilitëse për qytetarin. Elbasani ka një jetueshmëri jo cilësore të prekshme e të dukshme dhe vuan një mosfrekuentim turistik gati-gati përcmues, sepse është keqqeverisur, ndonëse fsheh një pasuri turistike kulinare, natyrore, historike, fetare, tradicionale mahnitëse e të pashfrytëzuar.

Bashkia Elbasan prej 16 vitesh thjesht i ngjan një magazine gjigande ku dalin e hyjnë pagesa për ruajtjen e votave politike dhe investimet ose janë mjerane, ose dhe kur kanë ndodhur janë aq aestetike dhe afunksionale sa nuk i kanë hyrë asnjëherë në punë Bashkisë e qytetarëve. Zona rurale ndërkohë është tërësisht e braktisur dhe e përcmuar. Thjesht ato i shohin si thasë nga të cilët vjelin tarifa e taksa shumica absurde dhe nuk japin asnjë shërbim për banorët e njësive administrative. Askush nuk mendon për fermerin elbasanas dhe ai është sot i lënë në mëshirën e fatit, kohës dhe klimës. Kujdesi për biznesin apo orientimi i të rinjve në sipërmarrje as që mund të mendohet. Ndërkohë aktet e korrupsionit, abuzimit dhe keqmenaxhimit janë muzika sunduese e korridoreve me qera të Bashkisë Elbasan.

 

 

Nëse fitoni zgjedhjet më 14 maj, cili do të jetë premtimi i parë që ju do ta vini në zbatim sapo të uleni në karrigen e kryebashkiakut?

 

Që ditën e parë si aktin e parë simbolik domethënës do të realizoj ndalimin e ndotjes mjedisore galopante të Elbasanit për të dhënë mesazhin që Elbasani është shtëpia jonë, hapësira jonë që ka nevojë për punën e bashkisë, për oksigjen, ajër të pastër, mjedis të jetueshëm dhe jetë cilësore.

Share it :