Intervista e ambasadorit/ Lu: Zyrtarëve të korruptuar shqiptarë do t’u ndalohet hyrja në SHBA, ka ende kriminelë në lista

donald-luAmbasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, vlerëson procesin e deritanishëm të pastrimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit nga persona me të kaluar kriminale, pavarësisht se në to, sipas tij, kanë mbetur ende persona të tillë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryediplomati amerikan jep konsideratat e tij për fushatën zgjedhore. Ndërkohë, ai flet edhe për korrupsionin dhe nismën e administratës amerikane që zyrtarëve të korruptuar shqiptarë t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

 

Ju si do ta vlerësonit ecurinë deri tani të fushatës zgjedhore?

Momentet e mia të preferuara në këtë fushatë zgjedhore kanë qenë kur kam parë kandidatët të diskutojnë dhe debatojnë për çështje me të vërtetë të rëndësishme për votuesit. Kohët e fundit në Fier, Berat dhe sot në Shkodër kemi parë forume të shkëlqyera kandidatësh për çështje të politikave vendore, përfshirë çështjet e grave dhe të fëmijëve. E ardhmja e demokracisë në Shqipëri nuk janë as politikanët kriminelë dhe as blerja e votave. Janë OJQ-të dhe gazetarët ata që i ndihmojnë votuesit të marrin vendime më të mira e më të informuara mbi kandidatët.

 

Ju, në fund të muajit prill, thatë se keni identifikuar kandidatë me të kaluar të dyshimtë. Javën e shkuar përshëndetët një veprim të Partisë Demokratike për tërheqjen e një kandidati. A jeni të kënaqur me masat që kanë marrë partitë politike, për të përjashtuar kandidatët me një të kaluar kriminale në këto zgjedhje?

Një person i mençur më tha kohët e fundit se, përparimi i bërë për largimin e kriminelëve nga politika është mbresëlënës. A mund ta kishim imagjinuar dy vite më parë që do të diskutonim sinqerisht mbi rolin e kriminelëve në politikë? Udhëheqësit politikë nga e djathta dhe e majta kanë hequr kriminelë prej listave të kandidatëve. Për ata kriminelë që ende janë në lista, ka një diskutim publik në rritje për aktivitetin e tyre kriminal. Votuesit shqiptarë janë të zgjuar. Jam besimplotë se ata do të marrin vendime të mira.

 

Zoti ambasador, disa ditë më parë ju ishit dhe në KQZ. A u diskutua me drejtuesen e këtij komisioni rreth kandidatëve me një të kaluar të dyshimtë?

Nuk kemi diskutuar çështje të veçanta që janë duke u shqyrtuar prej KQZ-së. E kam përgëzuar KQZ-në për punën e saj në respektimin e Kodit Zgjedhor dhe u thashë atyre se KQZ-ja luan një rol jetik në mbrojtjen e demokracisë shqiptare. I kemi informuar ata, gjithashtu, për planet e SHBA për vëzhgimin e zgjedhjeve, asistencën e SHBA-së në mbështetje të KQZ-së dhe për përpjekjet tona për nxitjen e partive politike për të kandiduar persona me rekorde të pastra.

 

Përveç personave me rekorde kriminale në politikë, një tjetër çështje shqetësuese për Shqipërinë është korrupsioni. Pak kohë më parë, në një intervistë ju deklaruat se SHBA-të po shohin mundësinë që t’i ndalojnë hyrjen në territorin e tyre zyrtarëve të korruptuar. Kur pritet një vendim i tillë?

Shpallja presidenciale nr. 7750 i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri.

 

Korrupsioni është i lidhur shumë dhe me sistemin gjyqësor. Aktualisht kemi një nismë për një reformë në drejtësi. Por sa e plotë do të ishte një reformë e tillë, ndërkohë që opozita nuk është bërë pjesë e këtij procesi?

Procesi aktual i reformës në drejtësi ka mundësinë të krijojë një sistem për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Për ta bërë këtë, Shqipërisë i duhet pjesëmarrja e ekspertëve më të mirë të saj ligjorë, përfshirë ata nga opozita. Një reformë në gjyqësor, që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, është e mundur. Megjithatë, ne e dimë se me pjesëmarrjen e opozitës kjo do të ishte një reformë më e mirë dhe më e qëndrueshme për Shqipërinë.

 

Share it :