Stadiumi që do të mirëpresë sfidën e kombëtares kuqezi ndaj Danimarkës, është në hapa të mirë për sa u përket punimeve dhe shumë shpejt do të dalë në formën e tij të plotë
Nuk ka më asnjë dyshim, stadiumi “Elbasan Arena” do të hapë dyert për përfaqësuesen shqiptare në sfidën e shumëpritur me Danimarkën më 11 tetor. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi në vizitën e fundit të kryer nga një delegacion i UEFA-s, praktikisht është marrë miratimi për zhvillimin e sfidës eliminatore të Evropianit Francë 2016. Në impiantin më të ri në vend ka zbarkuar me detyra të posaçme një delegacion i qeverisë evropiane të futbollit, për të inspektuar ecurinë e punimeve në të. Edhe pse zyrtarisht nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat, pjesëtarët e këtij delegacioni janë shprehur të kënaqur me ecurinë e punimeve. Zhvillimin e ndeshjes ndaj Danimarkës në “Elbasan Arena” e konfirmon Gazmend Malo, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në FSHF. “Delegacioni i UEFA-s është i pranishëm për të parë ecurinë e punimeve në stadiumin e ri. Siç e shihni, këtu punohet përditë dhe në çdo orë.” Mundësisë që kjo sfidë të mos zhvillohet në këtë stadium nuk ekzistojnë dhe, sipas Malos, vetëm një ngjarje e papritur mund ta ndryshojë këtë fakt. “Vetëm një fuqi mbinatyrore mund të bëjë që sfida me Danimarkën të mos zhvillohet në këtë stadium”, – ka deklaruar përfaqësuesi i FSHF-së. Nëse ritmi i punimeve do të ecë kështu, atëherë me shumë mundësi do të jetë Elbasani që do të përurojë stadiumin me sfidën ndaj Apolonisë e programuar për fundjavën e 4 tetorit. Burime pranë FSHF-së kanë bërë të ditur disa kohë më parë se po bëhet maksimumi që të arrihet diçka e tillë, për vetë faktin se përpara ndeshjes me Danimarkën duhet një provë gjenerale për “Elbasan Arenën”, shtëpinë e re të kuqezinjve të De Biazit. Për momentin, kjo mbetet një dëshirë, por që mund të marrë konfirmimin këto ditë, duke parë se në ç’pikë kanë arritur punimet në stadiumin e ri. Kjo sfidë do të shërbejë si një provë për impiantin e ri për të shmangur çdo të papritur për sfidën e madhe të 11 tetorit ndaj Danimarkës. Nëse afati i punimeve do të realizohet, atëherë Elbasani do të ketë mbështetjen e tifozëve në stadiumin e ri në një përballje ndaj rivalit direkt si Apolonia. Investimi i bërë nga UEFA, FIFA dhe qeveria shqiptare pritet t’i ndryshojë tërësisht pamjen stadiumit “Ruzhdi Bizhuta.” Fusha e Elbasanit do të jeta e vetmja në Shqipëri që do të përmbushë kriteret e UEFA-s. Ëndrra e shqiptarëve për të parë kombëtaren e tyre të luajë në një stadium modern duket drejt realizimit. “Elbasan Arena” ka ndërruar pamje, që edhe pse ende nuk ka përfunduar, të lë pa fjalë. Në impiantin e ri do të ketë mjedise ku do të ofrohen shërbime për tifozët gjatë pushimit të ndeshjeve. Përveç pjesës së tribunave, ku numri i tifozëve pritet të jetë rreth 11 mijë, do të ketë edhe përmirësim të tapetit të blertë. Një ndryshim rrënjësor do të pësojnë edhe dhomat ku skuadrat përgatiten para ndeshjeve. Në impiantin e ri çdo gjë është menduar deri në detaj, nga tualetet e deri te siguria e tifozëve, në rast rreziku. Risia e këtij stadiumi është se për herë të parë hyrja në të do të jetë në mënyrë elektronike. Një avancim ky për futbollin shqiptar, që më në fund do të ketë mundësinë që të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare.
Santos, trajneri i ri i Portugalisë
Te Portugalia ka ardhur “shpëtimi”. Federata e Futbollit të Portugalisë ka bërë të ditur se trajneri i ri i ekipit kombëtar është Fernando Santos, tashmë ish-trajner i Greqisë. Trajneri 59-vjeçar do të zëvendësojë të shkarkuarin Bento, të cilin Federata e shkarkoi pas disfatës së pësuar nga Shqipëria me rezultat prej 1:0 në ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2016”. Santos gjatë karrierës së tij ka udhëhequr ekipe të tilla si Porto, Benfika, Sporting i Lisbonës. Ndërkohë, ka një karrierë të gjatë edhe në Greqi, ku është shpallur edhe trajneri i dekadës. Tekniku ka qenë në drejtimin e Panathinaikosit dhe AEK i Athinës dhe së fundi i kombëtares greke.
Hasi: Lojtarët mund të më “godasin”
Tekniku i Anderlehtit, Besnik Hasi, nuk do të befasohej që një ditë edhe mund të marrë ndonjë goditje nga lojtarët e tij. Këtë mendim e shfaq, pasi ka kërkesa të mëdha nga lojtarët. “Nuk do t’i toleroj të relaksohen. Unë do të kërkoj shumë nga lojtarët. I dua gjithmonë të freskët. Mendoj se deri në një pikë ata edhe mund të më godasin nga kërkesat e mia”, – ka deklaruar ish-lojtari i kombëtares. Hasi vlerëson se Anderlehti po kalon një formë të mirë dhe në këtë moment vlerëson se është skuadra më e mirë në Belgjikë. Hasi me Anderlehtin arriti të dilte kampion edicionin e shkuar. Kësaj rruge po i shkon edhe këtë edicion, duke qenë se pas tetë ndeshjeve zë vendin e parë me 18 pikë, dy më shumë se Genti ku aktivizohet mesfushori kosovar, Enis Gavazaj.
Kasami, golashënues i kampionatit grek
Pajtim Kasami ia ka parë hairin shkuarjes në kampionatin grek, tek skuadra kampione Olimpiakos. 22-vjeçari u transferua këtë vit te Olimpiakosi nga skuadra angleze Fulham dhe është duke kaluar një moment shumë të mirë në karrierë. Në ndeshjen e fundit që kampioni aktual i Greqisë, Olimpiakos, e fitoi si vendas ndaj Verias, Kasami arriti të shënonte golin e tretë në fitoren 3:0. Goli në takim ndaj Verias ishte i treti këtë sezon për mesfushorin nga Ohri i Maqedonisë, gol i cili edhe e ka çuar në krye të listës së golashënuesve në Superligën e Greqisë me tre gola të shënuar. Një performancë, e cila nuk mund të lihet pa parë nga De Biazi që është një trajner që i pëlqejnë opsionet e reja.




