Ilir Meta: Grushti i shtetit instaloi Ramaformën! Rrëmbimi im, tregues

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga burgu ka bërë një postim të gjatë ku thekson se, sipas tij, “Ramaforma u instalua pas një grushti shteti”.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Tymnajat e propagandës rilindase që shpërndajnë papushim pseudoanalistët të cilët paguhen për dizinformim dhe disa protagonistë të dështuar të cilëve “Rilindja” u rezervon banaqet e studiove për të “afirmuar” opozitën e “re” tip 0,99 nuk mbulojnë dot faktet dhe të vërtetat e mëdha, që provojnë koherencën e Ilir Metës në raport me Kushtetutën në çdo kohë e sidomos me Reformën në Drejtësi, që në mënyrë antikushtetuese u kthye në Ramaformë si një kobure në duart e tij për të asgjësuar kundërshtarët kryesorë politikë dhe garantuar pandëshkueshmërinë e tij.
Së pari Ilir Meta si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i LSI, si faktor përcaktuar i mazhorancës në atë periudhë, ra dakord për Reformën në Drejtësi me kusht që ajo të ekzaminohej dhe çertifikohej nga Komisioni i Venecias.
Edhe kështu u bë dhe u votua, pavarësisht nga lojërat e Edi Ramës dhe McGonigalëve nga të dyja brigjet e Atlantikut.
Edhe kur Edi Rama bashkë me ata e prishi konsensusin që ishte arritur më parë falë insistimit tim dhe bllokuan Komisionin e Reformës Zgjedhore të mblidhej për të reflektuar konsensusin që ishte arritur, përsëri i keni të dokumentuara me zë e figurë momentet kur unë si Kryetar i Kuvendit ndërpreva seancën plenare dhe i thirra të dy ambasadorët që ishin në lozhë (të SHBA dhe BE), si edhe Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për t’u takuar për të kuptuar se kush po prishte konsensusin.
Dihet se i vetmi që nuk erdhi ishte Edi Rama pasi ai qëndronte pas gjithë kësaj intrige, që synonte kapjen e sistemit të drejtësisë direkt përmes ndryshimeve kushtetuese, gjë që nuk e arriti dot atëherë, ndaj u votua me 140 vota.
Por kuptohet, ai së bashku me McGonigalët e tij e arritën qëllimin më vonë dhe hap pas hapi.
Përmes zgjedhjes antikushtetuese të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, kur Kushtetuta e votuar me 140 vota e përcaktonte qartë se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me të paktën 84 vota.
Përmes kësaj zgjedhje antikushtetuese u kap Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) duke përdorur emërimet arbitrare dhe politike të Arta Markut.
Dhe natyrisht edhe SPAK-u që kemi sot është produkt i këtyre akteve antikushtetuese e politizuese në ekstrem, përveç procesit të vetting-ut, që dihet botërisht se ishte dhe mbetet i kontrolluar nga Qeveria e personalisht nga Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë dhe përgjegjësi kryesor ligjor për të gjitha aferat e paligjshme (inceneratorët, PPP-të, ligjet me porosi) të miratuara nga Qeveria.
Si President një javë përpara se të mbaronte afati i Prokurorit të Përgjithshëm (Adriatik Llalla) i kam kërkuar drejtuesve të opozitës që të propozonin disa standard transparente për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm në një konferencë shtypi publike bashkë me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Por opozita jo vetëm që nuk ndërmorri asnjë hap për të parandaluar skenarin e lexueshëm të Ramës për kapjen e Prokurorisë por edhe pasi hodhi shkashka tymyese në sallën e Kuvendit kur u zgjodh Arta Marku me 69 vota, nuk u ankua në Gjykatën Kushtetuese edhe pse ajo ishte ende funksionale dhe shkelja e Kushtetutës ishte shumë flagrante.
Kështu u kap prej fyti sistemi i hetimit në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë mënyrë u veprua edhe me gjykatat.
Besoj se nuk është e lehtë të harrohet mitingu i jashtëzakonshëm i 2 Marsit 2020, i thirrur nga unë si President i Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe sidomos të Gjykatës Kushtetuese, që po grabitej dhunshëm nga Edi Rama me ndihmën e McGonigalëve të cilët jo vetëm nxitën Dvoranin të bënte falsifikime por edhe i bënë shantazh Presidentit të Republikës të pranonte betimin e gjyqtares te noteri te Lana.
Kjo përplasje parimore dhe jo për përgjegjësinë time solli edhe manifestimin madhështor të 2 Marit, pas të cilit mazhoranca u detyrua të tërheqë projektligjin antikushtetues të betimit të gjyqtarëve te Lana dhe jo te Presidenti i Republikës.
Për këtë konflikt u investua Komisioni i Venecias që i dha të drejtë Presidentit të Republikës dhe bëri përgjegjës Z. Dvorani për shkeljen e Kushtetutës dhe procedurave.
Për këtë çështje Presidenti i Republikës e paditi Z. Dovrani në SPAK, por kjo çështje jo vetëm s’u hetua kurrë, por përgjigjia ishte se mbyllet meqënëse nuk kishte sjellë pasoja. (!)
Pra zvarritja e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese prej vitesh, konfliktet e hapura e të panevojshme President-Parlament nuk ishin pasoja dhe cënimi i besueshmërisë të institucionit më të rëndësishëm që mund të ketë një vend demokratik i vërtetë, që është Gjykata Kushtetuese.
Djegia e mandateve të opozitës e përshpejtoi kapjen totale jo vetëm të drejtësisë, por edhe të gjithë institucioneve të tjera të pavarura në vend.
Ndaj për të gjithë ata që përrallisin se mirë t’i bëhet Ilir Metës se vetë e votoi Reformën, përgjigjia ime është se jam krenar që kam kundërshtuar në çdo moment këtë grusht shteti që ndodhi në vendin tonë dhe këtë betejë do ta vazhdoj deri në çmontimin e tij.
Denoncimet e mia të vazhdueshme ndaj kapjes së Reformës në Drejtësi dhe instalimit të grushtit të shtetit sigurisht që do kishin dhe do të kenë pasojat e tyre edhe për mua, të cilave as u jam shmangur dhe as do t’u shmangem ndonjëherë.
Edhe rrëmbimi im ishte një tregues i këtij grushti shteti, ku SPAK nxjerr urdhër-arrestin të bazuar në një ligj që është shfuqizuar 4 vite më parë.
Ku Policia del mbi vetë urdhrin e SPAK-ut dhe përdor për rrëmbimin e ish-Presidentit dhe kryetarit të Partisë së dytë opozitare, në kundërshtim me ligjin dhe funksionet e tyre Forcat Speciale Operacionale me maska, të paidentikuar, pa asnjë shkresë dhe duke hyrë me armatim të rëndë në makinë dhe duke përdorur makina private për rrëmbimin.
Ndërsa për gjykatat “afërmendsh” ato noterizojnë paligjshmëritë dhe arbitraritetin, sepse Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, parimet e shtetit të së drejtës, prezumimi i pafajësisë dhe procesi i rregullt ligjor nuk ekzistojnë.
Ndaj Indekset e Drejtësisë janë pas Vietnamit dhe Bjellorusisë.
Ndaj dhe Buxheti 2025 ka dënuar me varfërim të mëtejshëm shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që s’do të kenë as rritje page, as rritje pensioni, as rritje të ndihmës ekonomike dhe as më shumë mbështetje për arsimimin e fëmijëve të tyre dhe as për shëndetin e tyre.
Ndërsa “krimet intelektuale”, si inceneratorët që nuk ekzistojnë të “Rilindjes” do të vazhdojnë të jetë përfituesit kryesorë të buxhetit të shtetit.
Po kështu edhe SPAK-u që pret të shpërblehet pas zgjedhjeve në Maj 2025 me një mandate tjetër 9-vjeçar për shërbimet e pafundme që i ka bërë për të mbuluar krimet zgjedhore, për goditjet politike ndaj drejtuesve kryesorë të opozitës që i ka izoluar dhe “krimet intelektuale”, që vetëm SPAK-u nuk i shikon.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news