Nuk deklaruan pasuritë gjatë periudhës 2013 – 2014
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, në përfundim të procesit të administrimit të deklaratave të interesave private, ka konstatuar që 117 zyrtarë të niveleve të ndryshme nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private “Para fillimit në detyrë” dhe “Pas largimit” për vitin 2013 dhe 2014.
Me anë të një njoftimi për mediat ILDKP sqaron se në zbatim të nenit 40, pika 1/a të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, sipas të cilit “për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) lekë”, inspektori i Përgjithshëm, gjatë këtyre ditëve, përmes vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet deklarues që rezultuan të mos kenë dorëzuar deklaratën e interesave private.
Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.
“Inspektorati i Lartë u bën me dije subjekteve deklarues ndaj të cilëve u mor masa administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen në dinamikë të çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës”, – sqaron zyra e shtypit pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave.




