I jepte vetes 15 mijë euro rrogë në muaj! Kush eshte drejtoresha e Rames qe thjesht e hoqen nga puna, pa asnje pastone tjeter

Rreth një vit e gjysmë ka zgjatur për Loina Priftin emërimi në krye të kompanisë shtetërore të prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit.

Lapsi.al mëson se “super drejtoresha” me pagë 15 mijë euro në muaj është shkarkuar nga detyra prej ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Bashkë me të janë larguar edhe vartës të saj, të cilët dyshohen për abuzim në menaxhimin e kompanisë shtetërore.

Pak javë më parë Ministria e Brendshme kishte dërguar një grup auditimi në “IdentiTek” dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh në menaxhimin e fondeve dhe praktikave ligjore të ruajtjes së të dhënave sensitive. Për këtë të fundit madje janë njoftuar edhe institucione të tjera në vend.

Loina Prifti ishte deri para një viti një e re anonime në Gjermani, ku siç u tha punonte në fushën e Inteligjencës Artificiale. Ajo u soll prej andej nga ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe u katapultua pa zhurmë në krye të kompanisë shtetërore që pasoi koncensionin e “Aleat” për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit.

Madje për të nuk pati as edhe një ceremoni prezantimi asokohe kur nisi transferimi i kompanisë nga koncensionari te shteti shqiptar. Dhe siç ndodh rëndomë me katapultime të tilla prej Rilindjes, makutëria i shtyn shpesh drejtuesit në abuzim me detyrën.

Pak muaj pas emërimit, Loina Prifti nisi një spastrim të gjerë në kompaninë që drejtonte, duke larguar shumë profesionistë që punonin aty prej 15 vitesh. E po kështu krijoi një klimë të lartë mosbesimi e presioni ndaj punonjësve e furnitorëve. Burimi i Lapsi.al tregon se në disa raste, Loina Prifti ka lejuar futjen e personave të paautorizuar në ambiente rreptësisht të ndaluara të kompanisë duke shkelur ligjin.

E po kështu njerëzit e rinj që ajo solli në kompani ishin përmes konkurseve fiktive dhe emërimeve nepotike kryesisht të lidhur me klane të ndryshme në Durrës, qytet prej nga vinte Prifti. Drejtoresha e IT, Sara Zalla është ndërkohë nusja e kushëririt të parë të Loina Priftit. Eda Harizaj, drejtoresha e Burimeve Njerëzore është gjithashtu një lidhje e afërt e saj. Vetë Harizaj ka punësuar në një pozicion të rëndësishëm në “IdentiTek” një kushëri të parë. Si këto ka plot emërime të tjera nepotike në postet kyçe të kompanisë sikundër është edhe Drejtori i Operacioneve.

Veç kësaj Loina Prifti shpërbleu veten me një rrogë prej 15 mijë euro në muaj, si dhe është denoncuar shpesh për tendera të dyshimtë, mes tyre edhe ai me vlerë 1 milion euro për shërbimin e internetit.

Megjithatë raporti i plotë i grupit të auditimit të Ministrisë së Brendshme pritet të hedhë më shumë dritë mbi abuzimet e Loina Priftit dhe vartësve të saj në kompaninë “IdentiTek”. Me rëndësi themelore është të mësohet nëse ka cënim të të dhënave sensitive e biometrike që ruan kjo kompani apo jo? Kujtojmë që muaj më parë plasi edhe skandali i ndërhyrjes në të dhënat e sistemit TIMS, skandal që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.

Nuk dihet gjithashtu nëse për këtë rast ka apo jo një hetim nga institucionet e drejtësisë në vend. Çudi s’do të ishte që abuzimet të fashiten apo mbyllen vetëm me shkarkimin e saj, ashtu siç kemi parë shpesh me zyrtarë të tjerë të qeverisë “Rama”./Lapsi.al

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.