Rasti “Becchetti” solli sërish në vëmendje një nga fenomenet kriminale, që ndodhin rëndom në realitetin shqiptar, nën hundën, apo edhe me lejen e përfaqësuesve të caktuar të shtetit. Bizneset më së shumti pastrojnë vlera të larta të parave të jashtëligjshme. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave zbardh skemën se si pastrohen paratë nga një biznes. Skema funksionon në këtë mënyrë:
Bazuar në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit DPPPP u informua nga subjektet e ligjit se shtetasi shqiptar (shtetasi A), rezident në një vend evropian (X), ishte përfitues i transfertave në shumën totale 700,000 euro nga një kompani (Kompania B) që operonte në vendin (Y) llogaritë e së cilës ishin të hapura në institucione financiare të vendit (Z).
A kërkoi që brenda një kohe të shkurtër nga mbërritja e fondeve, të kryente veprime këmbimi valutor dhe tërheqje në para fizike.
Bazuar në faktin se fondet e transferuara ishin në vlerë të konsiderueshme dhe vinin nga një vend që konsiderohej me risk për çështjet e pastrimit të parave, DPPPP ndërmori një analizim të hollësishëm të informacionit prej të cilit rezultoi se: − Shtetasi ‘A’ jetonte prej shumë kohësh në vendin ‘X’ ku ishte i përfshirë në disa aktivitete biznesi; − Burime të hapura përmbanin të dhëna për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal me aktivitet ndërkombëtar;
Përfaqësuesit e kompanisë ‘B’, figuronin si persona të lidhur me një skandal korrupsioni në një vend Evropian; Në përmbushje të rrolit parandalues DPPPP, nxori një urdhër bllokimi të përkohshëm dhe dërgoi informacionin e disponuar në organet kompetente bazuar në anomalitë e konstatuara në analizimin e transaksioneve si dhe lidhjet me akte korruptive jashtë vendit.
Nga reagimi i organeve kompetente, DPPPP është informuar se në bazë të urdhrit të bllokimit të DPPPP, u vendos sekuestro preventive mbi fondet.
Shteti paguan fatura shumëmiliardëshe për të përjashtuarit nga administrata
Buxhetit të shtetit i është dashur të paguajë një faturë të rëndë të mbartur ndër vite për shkarkimet që janë bërë në administratë, kryesisht gjatë rotacioneve politike. Vetëm në Ministrinë e Bujqësisë mbi 40 persona kanë fituar në gjykata të drejtën e dëmshpërblimit me një vlerë në total mbi 37 milionë lekë. Sipas burimeve në Ministrinë e Bujqësisë, detyrimet që punonjësit e shkarkuar kanë fituar nga gjykatat rezultojnë në 45 milionë lekëve, prej të cilave 8 milionë lekë janë shlyer, por për shumicën e tyre ministria ka shpallur paaftësinë për të paguar.
Ministria e Financave ka llogaritur si detyrime të prapambetura të gjitha borxhet që shteti kishte krijuar ndaj të larguarve nga administrata deri në fund të vitit 2013.
Në të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave mësohet se, në kuadër të strategjisë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura deri më datë 2 qershor 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.33 miliardë lekë detyrime.
(i) Investimet publike, janë alokuar 5.8 miliardë lekë,
(ii) Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliard lekë,
(iii) Rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 4.5 miliardë lekë,
(iv) “Të tjera” janë alokuar 3.8 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për“Vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe“Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë.
Siç shihet Ministria e Financave raporton se, ka shlyer nga vendimet gjyqësore që janë kryesisht zëri i fondeve që i dedikohen të larguarave nga puna një shumë prej 1.6 miliardë lekësh, që korrespondon me rreth 11 milionë euro. Ministrja për Inovacionin dhe Teknologjinë Milena Harito ka raportuar në media se totali i detyrimeve për të larguarit nga administrata është 20 milionë dollarë.
Dekoderat për dixhitalizimin e TV do përjashtohen nga taksat
“Deutsche Bank” do të mbështesë me një kredi 20 milionë euro procesin e dixhitalizimit të transmetimeve audiovizive në Shqipëri. Marrëveshja e kredisë është depozituar në Kuvend vetëm pak ditë para përfundimit të afatit përfundimtar të mbylljes së transmetimeve analoge audiovizive.
Marrëveshja e kredisë nisi të diskutohet në Kuvend vetëm pak ditë para përfundimit të afatit përfundimtar të mbylljes së transmetimeve analoge audiovizive. Referuar relacionit të marrëveshjes së kredisë, vlera totale e kontratës që do të paguhet nga Radiotelevizioni Publik Shqiptar për ndërtimin e dy rrjeteve të saj numerike (dixhitale) DBVT2 është 21.5 milionë euro. Projekti do të financohet nga banka gjermane “Deutsche Bank AG,” me një kredi prej 20 milionë eurosh, me kusht që të ketë garancinë e Republikës së Shqipërisë.
Përzgjedhja e bankës gjermane është bërë nga kompania fituese e tenderit për ndërtimin e rrjeteve numerike të RTSH-së, “Rohde&Schwartz”, në plotësim të kritereve të vlerësimit, përcaktuar në termat e referencës së kësaj procedure prokurimi, ku norma e interesit të kredisë vlerësohej me 10 pikë. Për dhënien e kësaj garancie do të nënshkruhet marrëveshja e garancisë ndërmjet “Deutsche Bank AG” dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave. Pjesa më e madhe e shteteve e kanë përfunduar procesin e dixhitalizimit. Shqipëria mbetet nga vendet e fundit ku ky proces sapo ka filluar.
Çdo vonesë në përfundimin e procesit të dixhitalizimit të transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë rrezikon cilësinë e transmetimeve televizive deri dhe ndërprerjen e tyre, duke cenuar në këtë mënyrë të drejtën kushtetuese të popullatës për t’u informuar.
Konfindustria: Marrëveshja CEFTA ka dështuar
Konfindustria vlerëson se marrëveshja për tregtinë e lirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor/CEFTA në zbatimin në praktikë ka rezultuar në mënyrë të përgjithshme e pasuksesshme dhe larg synimeve fillestare. “Marrëveshja CEFTA është arritur me kërkesën, trysninë dhe ndërmjetësinë e drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian dhe si e tillë dështimi i saj është në thelb goditje e politikës së Brukselit për vetë procesin e integrimit të shteteve nënshkruese”- thotë administratori i përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku. Ai bëri me dije në një komunikim me mediat se Konfindustria do t’i kërkojë zyrtarisht qeverisë së Shqipërisë rinegocimin në një kohë sa më të shpejtë të disa prej kapitujve kryesorë të CEFTA-s për të shmangur dështimin e plotë të saj.
Më tej, Konfindustria vlerëson se rasti i fundit i bllokimit të paarsyeshëm dhe i përsëritur disaditor i prodhimeve me origjine shqiptare nga Maqedonia si dhe raste të tjera të shumta, që kanë penguar tregtinë e lirë ndërmjet vendeve të Rajonit, janë tregues i qartë i problematikës së CEFTA. “Dështimi i marrëveshjes CEFTA ka ardhur nga zbatimi në masë në praktikë i pengesave/barrierave jotarifore të qëllimshme dhe të pambështetura nga vendet e rajonit ndaj prodhimeve të vendeve të tjera. Shqipëria është nga vendet më të prekura nga mosrespektimi i kushteve të tregtisë së lirë dhe marrëveshjes CEFTA nga vendet e rajonit”, – përfundon reagimin e tij Buxhuku.
Gazsjellësi TAP hap tenderin për pjesën nëndetare
Gazsjellësi “Trans Adriatic Pipeline” (TAP) shpalli këto ditë hapjen e tenderit për pjesën inxhinierike, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin të pjesës detare të projektit si tubacion nënujor me diametër 36 inç në detin Adriatik mes brigjeve të Shqipërisë dhe Italisë jugore me gjatësi rreth 105 km.
Në tender pritet të marrin pjesë kompanitë e parakualifikuara në muajin shkurt, ndërsa kontrata pritet të lidhet në fund të këtij vit, bëjnë të ditur burimet zyrtare të TAP-it.
Sipas tyre, punimet do të përfshijnë punimet përkatëse në vend-dalje dhe vend-hyrje në Shqipëri dhe Itali bashkë me mikro-tunelin nënujor, instalimin në pjesën detare, ndërhyrjet në fundin e detit, instalimin dhe furnizimin e kabullit me fibër optike dhe aktivitetet e paratestimit dhe kontrollit. Ndërtimi i pjesës detare të tubacionit është planifikuar të nisë në vitin 2017.TAP pritet të nisë së shpejti punën për ndërtimin e rrugëve dhe urave ku do të kalojë tubacioni në tokën shqiptare, pasi ndërtimi i tyre përbën hap vendimtar në përgatitjet për ndërtimin e tubacionit, të parashikuar që të nisë në vitin 2016. Dy muaj më parë, TAP përzgjodhi kontratën e parë për ndërtimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri me sipërmarrjen e përbashkët si konsorcium “Gener 2″ sh.p.k dhe “Sicilsaldo” s.p.a për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri.
Sipas kontratës, në Shqipëri do të ndërtohen dhe rehabilitohen mbi 100 kilometra rrugë përgjatë trajektores së tubacionit në Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës, Çorovodë, Kakruk, rrethinat e Potomit në rajonin e Beratit dhe Seman e Topojë në rajonin e Fierit. Gjithashtu do të ndërtohen dy ura të reja dhe do të rehabilitohen rreth 50 ura ekzistuese në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit.
Ndërtimi i Gazsjellësit në Shqipëri parashikon një gjurmë të TAP-it në rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.
Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub. Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi.
Në zonat malore do të ndërtohen afërsisht 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen, 42 ura do të rehabilitohen dhe do të ndërtohen tre të reja. Puna për ndërtimin e çdo ‘segmenti’ zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj.




