Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU) ka hartuar Strategjinë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor (SNZHRB), botuar në Fletoren Zyrtare. Kjo strategji është hartuar sipas kuadrit të strategjisë “Evropë 2020” për një rritje të shpejtë, të qëndrueshme dhe përfshirëse dhe objektivit të përgjithshëm strategjik të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.
Sipas strategjisë, vizioni për zhvillimin e bujqësisë dhe të zonave rurale në Shqipëri do të mbështesë dhe zhvillojë kushtet e kuadrit të duhur për një sektor agroushqimor efikas, novator dhe të qëndrueshëm, të aftë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe për të përmbushur kërkesat e tregut të BE-së përmes një shfrytëzimi të qëndrueshëm të burimeve dhe zonave rurale produktive, duke ofruar aktivitete ekonomike dhe mundësi punësimi, përfshirje sociale dhe cilësi jetese për banorët në zonat rurale.
Për të arritur këto objektiva të përgjithshme janë përcaktuar këto fusha politikash:
– Ndërhyrje për zhvillimin rural;
– Ndërhyrje kombëtare që lidhen me mbështetjen e të ardhurave të fermerëve, zhvillimin e infrastrukturës rurale dhe garantimin e shanseve të barabarta;
– Zhvillimi institucional, legjislacioni dhe zbatimi i tij.
Objektivat e matshme kryesore të politikave janë:
– Norma e rritjes reale ekonomike e sektorit bujqësor me deri në 5% deri në vitin 2020; – Rritja e produktivitetit të punës në bujqësi me të paktën 8% në vit për njësi vjetore pune (NJVP)/të punësuar me kohë të plotë në vitin 2020;
– Rritja e produktivitetit të punës në agropërpunim me të paktën 5% në vit për njësi vjetore pune (NJVP)/të punësuar me kohë të plotë në vitin 2020;
– Sjellja e të gjitha fermave dhe e operatorëve agropërpunues të regjistruar në përputhje të plotë me standardet e BE-së deri në vitin 2020;
– Rritja e përmasës mesatare të fermës në të paktën 2,5 ha në vitin 2020; dhe rritja e përmasës mesatare të fermave tregtare në 3,5 ha34.
– Përmirësimi i organizimit të zinxhirit të vlerës nëpërmjet krijimit të 100 shoqatave dhe grupeve të prodhuesve dhe llojeve të ngjashme të bashkëpunimit të fermerëve në vitin 2020;
– Përmirësimi i raportit eksport-import në raport 1:3 në vitin 2020;
– Krijimi i një sistemi institucional të plotë dhe gjithëpërfshirës të MBZHRAU-së, i një kuadri rregullator dhe një sistemi të duhur zbatimi në përputhje me BE-në dhe PPB-në;
– Krijimi i 9000 vendeve pune në aktivitetet e përpunimit agroushqimor në periudhën 2012 – 2020;
– Krijimi i 50-100 mikrondërmarrjeve dhe i 500– 1000 vendeve të reja pune në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve që sjellin të ardhura; Krijimi i 5000 vendeve pune në aktivitete jobujqësore dhe shërbime të tjera.
Politikat kryesore për zhvillimin bujqësor dhe rural Strategjia Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2014-2020 ofron kuadrin për ndërhyrjet operacionale që nevojiten për të zhvilluar një sektor të qëndrueshëm dhe konkurrues bujqësor dhe të përpunimit të ushqimit dhe për të nxitur një zhvillim ekonomik të ekuilibruar në zonat rurale, duke shtruar rrugën drejt integrimit të sektorit bujqësor dhe të agropërpunimit në BE si një bazë për rritjen e standardeve të jetesës dhe uljes së varfërisë në zonat rurale. SNZHRB është kështu një zhvillim i mëtejshëm i nismave të ndërmarra nga MBUMK në strategjitë aktuale për zhvillimin rural dhe bujqësor 2007-2013 ndërthurur me sektorë të tjerë që lidhen me zhvillimin rural dhe bujqësor.
Objektivat SNZHRB-së, sipas strategjisë, do të arrihen nëpërmjet një numri masash mbështetëse dhe nga disa veprime kombëtare të përzgjedhura kryesisht për plotësimin e masave të financuara nga Programi për Zhvillimin Rural IPARD II dhe për të krijuar kushtet kuadër rregullatore dhe institucionale të nevojshme për përshtatjen e sektorit me konkurrencën e re ndërkombëtare. SNZHBR-ja ngrihet mbi dy parime themelore:
– Mbështetja financiare vihet në dispozicion të sektorit të bujqësisë dhe të agropërpunimit dhe të operatorëve në zonat rurale, me qëllim që ata të ristrukturojnë dhe modernizojnë prodhimin e tyre, të rrisin konkurrueshmërinë, të garantojnë një shfrytëzim të qëndrueshëm të burimeve dhe të krijojnë mundësi alternative të ardhurash.
– Mbështetja vihet në dispozicion të fermerëve dhe të operatorëve në sektorin agropërpunues që përmbushin kërkesat rregullatore kombëtare. Kjo gjithashtu nënkupton që fermerët dhe operatorët agropërpunues janë të regjistruar në regjistrin e fermave, në regjistrin e kafshëve dhe në regjistrat e tjerë përkatës.
Mbështetur mbi këto dy parime dhe nëpërmjet bashkëfinancimit të ndërhyrjeve thelbësore, zbatimi i strategjisë do të kontribuojë në zhvillimin në Shqipëri të një sektori rural dhe bujqësor konkurrues dhe ekonomikisht të suksesshëm. Me qëllim që të lehtësohet procesi i integrimit në BE, politika për zhvillimin rural dhe bujqësor në Shqipëri do të hartohet dhe zbatohet në përputhje me udhëzimet e mëposhtme:
– Masat e reja mbështetëse do të hartohen në përputhje me parimet e kuadrit të politikave të BEsë për PPB-në, e politikës të paraanëtarësimit dhe zhvillimit rural për periudhën 2014-2020.
– Masat mbështetëse kombëtare që nuk janë plotësisht në përputhje me masat e ngjashme mbështetëse të BE-së do të eliminohen në mënyrë graduale, paralelisht me futjen e masave të reja dhe nuk do të ketë më masa të reja mbështetëse kombëtare që nuk përputhen me PPB-në.
Zbatimi i masave do të planifikohet për periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe, aty ku është e mundur, për periudhën afatgjatë. Këto afate janë përcaktuar si më poshtë:
– Afatshkurtër: 2014 – 2015
– Afatmesëm: 2016 – 2020
– Afatgjatë: pas vitit 2020
Investimet në asetet fizike të fermave
Përmes kësaj mase, strategjia synon të arrijë:
– Të përmirësojë performancën e përgjithshme të fermave për prodhimin e produkteve bujqësore parësore;
– Të ndihmojë fermerët të adoptojnë standardet e BE-së lidhur me sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien e kafshëve;
Për çdo sektor do të zhvillohen dhe identifikohen objektiva specifike në programin e zhvillimit rural. Ata që përfitojnë nga zbatimi i kësaj mase do të jenë fermerët ekonomikisht të qëndrueshëm dhe subjekte të tjera juridike (p.sh. ndërmarrjet private bujqësore, grupet e prodhuesve etj.), përgjegjës për kryerjen dhe financimin e investimeve në ferma (siç përkufizohen nga legjislacioni vendas dhe që përfshihen në regjistrin kombëtar të fermave ose regjistra të tjerë përkatës).
Përfituesit duhet të veprojnë në pajtim me kërkesat ligjore dhe standardet përkatëse kombëtare. Shpenzimet e pranueshme do të kufizohen në:
– Ndërtimin dhe përmirësimin e pasurisë së paluajtshme;
– Blerjen e makinerive dhe pajisjeve të reja, përfshirë programe kompjuterike deri në vlerën e tregut. Sektorët e mëposhtëm konsiderohen si sektorë prioritarë me mundësi zhvillimi të prodhimit konkurrues të produkteve cilësore për tregun vendas dhe tregjet e eksportit: –
Sektori i frutave dhe perimeve, përfshirë ullinjtë, vajin e ullirit, rrushin dhe verën;
– Bimët aromatike-mjekësore dhe arrorët;
– Sektorët e mishit dhe bulmetit, me përparësi për produktet nga bagëtitë e imëta;
– Blegtoria;
– Mjalti.
Ndërhyrjet në zbatim të kësaj mase do të mbështeten kryesisht nga masat e programit IPARD II, por për veprimet që nuk përfitojnë nga programi IPARD II mbështetja mund të ofrohet nëpërmjet skemave kombëtare, në mënyrë që këto ndërhyrje të jenë të plota. Masa është për zbatim në periudhën afatshkurtër, praktikisht sapo instrumenti IPARD të jetë gati për zbatim.
Bankat, fitime rekord në nëntë muajt e 2014-ës
Sistemi bankar ka raportuar nivele fitime rekord për 9 mujorin 2014, në 8.7 miliardë lekë, nga 1.3 miliardë lekë që ishte humbja për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të tremujorit të tretë, të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Përmirësimi i fitimeve ka ardhur si rrjedhojë e dy zërave:
-Së pari, të ardhurat neto nga interesi janë rritur me 3 miliardë lekë me bazë vjetore për periudhën janar-shtator 2014. Ndonëse të ardhurat nga interesi kanë rënë me 5 miliardë lekë, shpenzimet për interesat janë tkurrur me rime më të larta, me 8 miliardë lekë, duke reflektuar tkurrjen më të madhe të interesave të depozitave në raport me atë të kredive, çka ka bërë që bankat të kursejnë.
-Së dyti, ndikimin në të madh në përmirësimin e rezultatit financiar e ka dhënë ulja e shpenzimeve për provigjionime (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar huatë me probleme). Këto shpenzime ranë me gati 12 miliardë lekë, duke neutralizuar dhe rënien e ndjeshme me rreth 4 miliardë lekë të të ardhurave nga veprimtaritë e tjera.
Megjithatë, shpenzimet për provigjione u rritën në tremujorin e tretë, duke reflektuar rritjen e huave me probleme, që arriti në 24.9% në fund të shtatorit 2014.
Fitimet e bankave shënojnë luhatje të mëdha nga tremujori në tremujor, në varësi të shpenzimeve për provigjione. P.sh., ndonëse për 9-mujorin 2013 sistemi bankar rezultoi me një humbje prej 1.3 miliardë lekësh, në tremujorin e katërt rezultati u përmirësua ndjeshëm, duke bërë që sistemi të raportonte një fitim prej 6.6 miliardë lekësh për gjithë vitin. Banka e Shqipërisë i raporton fitimet e bankave sipas standardeve lokale, që kanë rregulla më të ashpra për provigjionimet, ndërsa Shoqata e Bankave i deklaron sipas standardeve ndërkombëtare IFRS (me kritere më pak të ashpra për provigjionet), mbi bazë të të cilave bankat paguajnë dhe tatim fitimin. Sipas këtyre standardeve (IFRS), fitimi i sistemit bankar për 9 mujorin ishte rreth 9.6 miliardë lekë, nga 8.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kroacia, gati për kërkim nafte në Adriatik
Qeveria e Kroacisë po përgatitet të fillojë kërkimet për naftë dhe gaz natyror në Adriatik.
Në ditën e hënë, janë hapur ofertat për tenderin e shpallur nga qeveria e Zagrebit për studimin e 29 blloqeve në shtratin e detit Adriatik. Deri më tani kanë mbërritur oferta nga gjashtë kompani për 15 blloqe në det. Përtej Adriatikut, qeveria italiane po bën të kundërtën, duke vendosur kufizime në shfrytëzimin e këtyre burimeve. Sipas përllogaritjeve të autoriteteve italiane, në territorin e këtij vendi gjenden rreth 700 milionë tonë naftë dhe gaz.
Vendimi përfundimtar i qeverisë kroate për vlerësimin e ofertave pritet të merret deri në fund të këtij viti, ndërsa nënshkrimi i kontratave do të bëhet në tremujorin e parë të vitit 2015. Qeveria në Zagreb nuk ka bërë ende të ditur asnjë emër kompanie që ka prezantuar oferta, por sipas burimeve jo-zyrtare, në pjesën jugore të Adriatikut, ku parashikohet investime prej 2.5 miliardë dollarë, kanë shfaqur interes gjigantët e kësaj industrie si Exxon, Shell, Chevron dhe Total.
Në hapësirën e Adriatikut, vetëm Italia ka bërë shpime për nxjerrjen e naftës. Vendi fqinj ka rreth 1 mijë e 300 puse dhe dhjetëra platforma, kryesisht në zonën turistike të Emilia-Romangas. Vendet e tjera, si Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi asnjëherë nuk kanë “shpuar” në det. Megjithatë këto vende po bëjnë hapat e para, duke studiuar fillimisht terrenin. Në gjirin e Venecias për 15 vjet me radhë Italia e ka ndaluar nxjerrjen e gazit natyror, për shkak të frikës së dëmtimit të trashëgimisë botërore, Venecias.
Katër milionë grekë, në prag të varfërisë
Më shumë se një në tre grekë u gjendën në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social në fund të vitit 2013, sipas shifrave të bëra publike nga statistikat e shërbimit të Komisionit Evropian, Eurostat. Statistikat treguan se 3.9 milionë grekë ose 35.7 për qind e popullsisë, ishin pranë kufirit të varfërisë në fund të vitit të kaluar, krahasuar me 28.1 për qind në vitin 2008, përpara se vendi të goditej nga kriza ekonomike.
Përqindja e grekëve në prag të minimumit të jetesës apo përjashtimi social e rendit Greqinë pas Bullgarisë dhe Rumanisë në klasifikimin e Bashkimit Evropian, i cili vlerëson si persona në prag të varfërisë, ata që jetojnë me 60 për qind më pak se të ardhurat mesatare kombëtare.
Bullgaria ka kryesuar në tabelë me gati gjysmën (48 për qind) e qytetarëve të saj që jetojnë në kufij të varfërisë, pasuar nga Rumania me 40 për qind të popullsisë së saj.
Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane teston fuqinë e tij
Teksa Mario Draghi po përgatit terrenin për një tjetër veprim të Bankës Qendrore Evropiane, ai po teston kufijtë e fuqisë së tij. Dy vjet pasi ai mblodhi hartuesit e politikave për të mbështetur planin e tij në shpëtim të euros, presidenti i BQE-së po përpiqet të nxisë një mbështetje të ngjashme për më shumë stimuj me qëllim që të shpëtojë ekonominë e rajonit. Në konferencën e tij mujore për shtyp sot në Frankfurt, ai ka të ngjarë të insistojë se mund të kapërcejë përçarjet në Këshillin Drejtues, teksa zyrtarët përgatisin parashikimet e tyre përfundimtare për 2014.
Ndërsa Draghi nuk ka gjasa të njoftojë ende masa të reja të mëdha, ai mund ta përdorë platformën për të aluduar në gatishmërinë e BQE-së në zgjerimin e programit te saj të blerjes së aktiveve që në dhjetor, ndërsa ai ka siguruar parashikimet e rishikuara si një udhëzues. Përpara kësaj, Banka Qendrore Evropiane do të hapë një front të ri duke blerë aktive të mbështetura në letra me vlerë, pavarësisht aftësisë së Draghi-t për të nxitur kolegët e tij derisa lehtësimi ‘i maturuar’ sasior mbetet i paprovuar.
“Koha për QE është vërtet e afërt, pasi do të ishte pikërisht koha në të cilën do të vështirësoheshin edhe qëndrimet”, – tha Graham-Lyn Taylor, një strateg i të ardhurave fikse në Rabobank International në Londër. ‘Është e qartë se ende ka nevojë për bindje në Këshillin Drejtues deri sa të arrihet numri i mjaftueshëm i anëtarëve që ndajnë të njëjtin opinion’.




