Halim Kosova, sfida e Tiranës

Albana Myftari

Albana MyftariKur pak ditë kanë mbetur nga ora e vendimmarrjes së votuesve së kryeqytetit, kandidati Halim Kosova e ka kristalizuar portretin e fitimtarit. Çdo ditë në takime me banorët e Tiranës, ai ka shpalosur cilësi të shumta, jo vetëm ato të munguara të kandidatit tjetër, por dhe të politikës në tërësi. Vota për Dr. Kosovën është një shumatore e logjikës dhe gjykimit për atë çfarë i duhet Tiranës: qytetaria, morali, toleranca, respekti ndaj multikulturave dhe traditave, e jo akuzat, mllefi, hakmarrja dhe shantazhet e rivalit dhe shefit të tij socialist. Mbështetja për Dr. Kosovën ka ngritur modelin e “heroit” që gjithkush prej nesh e dëshiron në politikë. Vota është gjykim dhe si i tillë ai duhet të vijë nga një mendim. Dhe mendim ngrihet nga dëgjimi i ideve, nga vështrimi i imazhit, vjen nga vlerësimi i modelit dhe i programit. Kjo betejë perceptimi fitohet fort çdo ditë nga Doktori Halimi si një përballje e drejtpërdrejtë me vlerësimin dhe gjykimin e publikut dhe opinionit të tij.

Po çfarë përfaqëson Dr. Halimi dhe për të rinjtë?

Politikanin me “thinja” i orientuar sipas një stili sportiv dhe me një qasje të fortë sociale. Mendoj dhe dua të besoj se doktor Halimi përfaqëson dhe afrohet shumë me besimin dhe idealet që kanë të rinjtë e djeshëm por me shumë gjasë dhe sotëm. Për çdo vajzë e djalë që këto zgjedhje i kanë gjetur 18 vjeç, Halim Kosova vjen si kandidati më i arrirë për kryebashkiakun e Tiranës, për mjekun që kujdeset me përkushtim e moral të lartë jo vetëm për nënat dhe gratë por për gjithë familjen, sepse një burrë që kujdeset për gratë, padyshim kujdeset për shoqërinë. Kur po hidhja këto rreshta, mendova se energjia e mesazhit për të rinjtë nuk mund të jetë vetëm fryma kritizerë e kandidatit tjetër, Veliajt, por evidentimi i cilësive që të rinjtë shohin tek Halim Kosova. Dhe vetë ky kandidat në shumicën dërmuese të fushatës nuk ka shigjetuar asnjëherë figurën dhe cilësitë personale të Veliajt apo familjarëve të tij, ndonëse kishte shume çfarë të thoshte. Kjo sjellje qytetare e doktorit vjen dhe si cilësi e një kuratori të ndërgjegjes së tij publike në raport me fenomenin e individit Veliaj. E ndërkohë që fushata po i afrohet finishit, kontaktet nga shpeshtia e daljeve publike të kandidatëve Kosova – Veliaj bëhet edhe më të dallueshme. Duke patur kontakte tejet të shpeshta me të rinjtë në zona të ndryshme të Tiranës, opinionet për Dr. Kosoven kanë konverguar në një pikë: që modeli i duhur per ta është modeli që përfaqëson Dr. Halim Kosova dhe jo pseudomodeli Veliaj.

Në një kohë kur skena politike shqiptare e cila është mbushur me kloun dhe plagjiature, pa diskutim që Dr. Halim Kosova spikat ndër të paktët figura që shkëlqen,spikat me autenticitetin e vet. Dhe kjo ndjesi duket se ka “çliruar” qytetarin dhe opinionin publik nga dilema morale e besimit te votës të 21 qershorit. Qartazi fushata e Kandidati të djathtë, Halim Kosova po nxjerr jashtë loje të riun në moshë Erion Veliaj, por me huqe të një politikë të vjetër e të infektuar me pragmatizmin abuziv dhe moralin e tij të imponuar e të shtirur për moral dhe ndershmëri publike.

A mund të bindësh komunitetin e tiranasve autoktonë dhe po aq pranë dibranët e vjetër në Tiranë, vetëm me një përshtatjen e gjuhës sipas dialektit, sikurse aktron Veliaj…?

A mund të bindësh tiranasit, dibranët, komunitetet Veri-Jug, Lindje e Perëndim në kryeqytet se vota për Velinë është drejtimi I duhur kur deri më tani nuk kemi dëgjuar as edhe një reformë të mirëfilltë ekonomike për Rilindjen e Tiranës?

Këto dhe shumë pyetje të tjera kandidati socialist Erion Veliaj i merr me notë negative. Me nje kandidaturë si Halim Kosova, njerëzor dhe dinjitoz, partia demokratike në këtë mënyrë ka drejtuar dhe një ftesë publike komunitetit të Tiranës dhe veçanërisht mijëra të rinjve që votojnë për herë të parë për të mos deformuar votën si përgjegjësi jo vetëm individuale por edhe kolektive, qytetare. Sepse vota e gabuar është filizi i mbjellë keq dhe që shumë të tillë ngrejnë themelet jo të duhura të zhvillimit e demokracisë lokale, si vlerësimi më real i vetëdijes së një shoqërie. Ndërsa vetë Dr. Halim Kosova, do të jetë prova e qytetarisë së votuesit kryeqytetas në qëndrimin e tyre ndaj votës së 21 Qershorit!

A mund të gaboj votuesi i Tiranës këtë të diel? Unë nuk besoj kurrsesi. Me besim tek forca e ndryshimit dhe e shpresës për të ardhmen, unë e kam bërë zgjedhjen, do të votoj kandidatin e duhur, Dr. Halim Kosovën.

Share it :