Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u beson vetëm kolegëve të vjetër…

Ervin Kaduku

 Bankës së Shqipërisë– Kemi të bëjmë me një “nepotizëm” të ri të njerëzve të besuar të Sejkos?…

Tashmë stafi i drejtuesve të Bankës së Shqipërisë është kompletuar. Pas vjedhjes spektakolare të 7 miliardë lekëve të vjetra, të cilave nuk do t’ua shohë njeri bojën, pasi kanë avulluar “për bixhoz”, sipas vjedhësit që ka pranuar fajin dhe ka marrë dënimin përkatës, pas gati një viti debati politik, BSH duket se do të funksionojë me personel të plotë.

Por dy gjëra tërheqin vëmendjen: së pari, në raportin vjetor të kësaj Banke, momenti i vjedhjes, që turpëroi shtetin shqiptar në sytë e opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, është përmendur shumë pak, ndërkohë që, së dyti, guvernatori po tërheq kolegë, me të cilët ka punuar më parë tek Societe Generale. A thua që në Shqipëri, në 16 banka të nivelit të dytë, vetëm këtu mund të gjenden njerëz që e kryejnë punën mirë? Apo fjala është për një nepotizëm të ri?

 

Raporti

Ja çfarë shkruhet në raportin vjetor:

Çështje specifike në fushën e administrimit të vlerave monetare

Në muajin korrik 2014, Banka e Shqipërisë mori dijeni mbi një ngjarje të rëndë të ndodhur në ambientet e ruajtjes dhe përpunimit të monedhave e kartëmonedhave. Një ish-punonjës i Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë, i ndodhur përpara pritjes për zbulim të shpejtë të faktit, rrëfeu se kishte përvetësuar vlera të konsiderueshme monetare nga ambientet ku ato ruheshin. Menjëherë me marrjen dijeni, Banka e Shqipërisë bëri kallëzimin përkatës të ngjarjes në Prokurori, në bazë të të cilit u regjistrua prej saj Raporti Vjetor 2014 Banka e Shqipërisë 85 dhe procedimi penal. Në rrjedhën e hetimeve, u morën të pandehur 18 punonjës të Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë edhe ish-Guvernatorin dhe ish-Inspektoren e Përgjithshme. Pas verifikimit të kryer fillimisht nga Banka e Shqipërisë, dhe më pas me veprimet procedurale të kryera nga organi i prokurorisë, u konstatua se në arka mungonin vlera monetare në ngarkim të punonjësve, në shumën 713 milionë lekë. Banka e Shqipërisë ka ofruar të gjithë bashkëpunimin e saj në zbulimin e plotë të veprimtarisë kriminale të përgjegjësve të përvetësimit të vlerave monetare. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka depozituar në gjykatë një padi civile me qëllim rikuperimin e vlerave monetare të përvetësuara, prej personave të akuzuar për vjedhjen. Stafi drejtues i Bankës së Shqipërisë mori masa të menjëhershme për të normalizuar situatën, për të garantuar furnizimin e sistemit bankar me sasinë e nevojshme të parasë në qarkullim dhe për të vijuar përmbushjen e funksioneve të saj ligjore, duke përballuar vështirësitë e krijuara gjatë gjithë kësaj periudhe të jashtëzakonshme. Në veçanti, masa të rrepta u morën për forcimin e sigurisë dhe të kontrollit në ambientet e ushtrimit të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë hapash dhe rregullimesh për të minimizuar materializimin e rrezikut operacional në të gjitha hallkat që veprojnë për magazinimin, përpunimin, shkatërrimin, kontrollin dhe sigurinë fizike të parasë së gatshme.

 

Drejtuesit

Mësohet nga burime të brendshme në Bankën e Shqipërisë se drejtor i Emisionit, departamentit ku ndodhi vjedhja, sapo është emëruar Virjon Lalollari, deri tani drejtor i Departamentit të Rrjetit dhe Shitjeve në Societe Generale Bank. Deri tani, ka drejtuar si i komanduar Stefan Sevo, që nga momenti i arrestimit të ish-drejtorit Dorian Çollaku. Po kush është drejtori i ri? pa tjetër, një i besuar i guvernatorit Sejko, pasi ka punuar bashkë me të në bankën e nivelit të dytë, ku ky i fundit ishte drejtor i përgjithshëm. Ja një intervistë e Lalollarit, dhënë për revistën “Monitor”.

Flet Virjon Lalollari, Drejtor i Departamentit të Rrjetit dhe Shitjeve në Societe Generale Bank

“Bankat, shumë konkurrencë për të ‘thithur’ klientët”

Cilat janë ofertat e reja që ju keni lançuar për kreditë për shtëpi?

Në përputhje me situatën ekonomike në tërësi, banka jonë ka ofruar në treg norma interesi tepër atraktive për individët, të cilët kërkojnë të blejnë shtëpi. Normat tona të interesit kanë një veçanti krahasuar me normat e ofruara në treg nga konkurrentët tanë dhe kjo veçori është se ne kemi njësuar normën e interesit të kredive në Lek me atë në Euro që është 5.5%. Krahas kësaj, nga ana e bankës është ulur ndjeshëm edhe komisioni i administrimit të kredive, i cili ka pësuar reduktim me 50%, pra nga 1.5% ka arritur në 0.75%

Si ka qenë interesi i klientëve? A keni pasur feedback pozitiv?

Nga ana jonë, krahas vendimit për uljen dhe njësimin e normave të interesit dhe reduktimit me 50% të komisionit të administrimit të kredive, u ndërmor edhe një fushatë publicitare në televizionet kombëtare. Gjithë kjo fushatë, e shoqëruar me elementet e mësipërme (ulje e normave të interesit dhe komisioneve si dhe publicitetit në TV) ka dhënë rezultatet e para.

Duke qenë se tregu imobiliar është në krizë shitjesh, a është e vështirë të tërheqësh klientë? Si e prisni ecurinë në vazhdimësi?

Tërheqja e klientëve mbetet një luftë e vazhdueshme në çdo lloj tregu dhe po kështu në tregun bankar, i cili nuk mund të bëjë përjashtim. Nga ana tjetër, konkurrenca edhe në këtë treg është e madhe, kjo për shkak edhe të likuiditetit që bankat kanë aktualisht. Si alternativë për reduktimin e likuiditetit të tepërt dhe sigurimin e profitabilitetit mbetet kredidhënia. Në kushtet e krizës ekonomike, e shoqëruar me shumë pasiguri të tjera, gjetja e klientëve të rinj bëhet edhe më e vështirë. Në bankën Societe Generale Albania ne jemi të fokusuar shumë në cilësinë e shërbimit, në mënyrë që klienti të jetë aktori kryesor i zgjedhjes së produkteve dhe shërbimeve të bankës sonë. Në të ardhmen, ne mendojmë se situata ekonomike e vendit do të përmirësohet dhe natyrshëm mendojmë se kërkesat për kredi do të rriten. Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë të propozojmë produkte dhe shërbime që përshtaten me pritshmëritë e klientëve tanë.

Cilët janë ata që po kërkojnë më shumë kredi?

Është e vështirë të përcaktosh se cilat grupe shoqërore janë më të prira të kërkojnë kredi, sidoqoftë pranë bankës sonë paraqiten nga të gjitha grupet shoqërore. Nëse nisemi nga statusi i punësimit, kërkesat fillojnë nga të punësuar në administratën publike, në kompanitë private, të vetëpunësuar apo qoftë edhe menaxherë të kompanive të ndryshme që operojnë në vend; nëse nisemi nga statusi civil mund të themi se kryesisht vijnë çifte të reja të sapomartuar, të vendosur në Tiranë apo qendrat e tjera të banuara etj.

A po orientoheni ju si bankë më shumë drejt individit në kushtet e krizës dhe më pak ndaj biznesit?

Diversifikimi i portofolit të kredive është një standard i çdo banke që vepron në treg, e cila lidhet sa me profitabilitetin e saj ashtu edhe me minimizimin e risqeve që ofron çdo lloj tregu. Për sa i takon orientimit konkret, banka jonë ka politikat e veta të cilat e drejtojnë atë nga një bankë e mirëfilltë tregtare, duke ofruar produkte cilësore, si për individët ashtu edhe për bizneset. Nëse për periudha të caktuara, një segment i caktuar biznesi ka probleme, kjo nuk do të thotë aspak se vëmendja jonë nuk është e përqendruar, pasi brenda çdo lloj segmenti, pavarësisht vështirësive, ka biznese të shëndetshme dhe shumë mirë të orientuara në tregun që mbulojnë dhe si të tillë, janë klientë të preferuar dhe tepër të rëndësishëm për ne. Për sa i takon segmentit të individëve, politika jonë nuk ka pësuar ndonjë ndryshim, por vazhdon të jetë mjaft mirë e drejtuar tek kjo pjesë e klientelës, duke vazhduar me ofertat tona konkurruese për të gjitha kategoritë e individëve.

 

Klani

A po krijohet një klan i ri në bankën qendrore të shtetit shqiptar? Vetëm me një drejtues të tërhequr nga banka e mëparshme, ku punonte shefi i ri, natyrisht që kjo nuk mund të ndodhë. Por, rastësisht, në një nga njoftimet më të fundit të BSH për mbledhjet e Këshillit të saj Mbikëqyrës thuhet se u prezantuan edhe drejtuesit e rinj të disa prej departamenteve të Bankës së Shqipërisë, më konkretisht ai i Departamentit të Mbikëqyrjes (ikën Indrit Banka vjen Denis Derralla, që deri tani punonte si këshilltar i drejtorit në Bankën Credins), ai i Departamentit të Administrimit (caktohet Jonida Mero), ai i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit (vjen Indrit Xhemali) dhe ai i Departamentit të Burimeve Njerëzore (Andi Bala). Jonida Mero (Dode) ka qenë gjithashtu një nga koleget e guvernatorit në Bankën Societe Generale.

 

Sejko: Nuk prekemi nga kriza greke

Kur frika është shtuar se Greqia mund të dalë nga euro, teksa qershorit po i vjen fundi dhe nuk ka në horizont një marrëveshje mes shtetit helen dhe kreditorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pohuar se sistemi bankar shqiptar është i mbrojtur edhe nëse do të ndodhë më e keqja. Nga Beçiçi, ku ndodhet për të ndjekur Samitin rajonal të Guvernatorëve dhe ministrave të Financave, Gent Sejko ka pohuar në një intervistë të posaçme për Monitor se bankat shqiptare me kapital grek janë me tepricë likuiditeti dhe të mirëkapitalizuara dhe operojnë normalisht dhe në mënyrë të sukseshshme, ashtu si dhe bankat e tjera të sistemit bankar. “Bankat me kapital grek janë me autofinancim me burime nga depozituesit shqiptarë, duke e kryer aktivitetin ekonomik brenda territorit të Shqipërisë”. Sejko shton se Banka e Shqipërisë ka marrë masa prej kohësh që ekspozimet nga tepricat e likuiditetit të bankave greke të mos jenë të vendosura tek mëmat e tyre. Ekspozimi i bankave greke monitorohet çdo ditë, në mënyrë që ato të mos kryejnë dot transferime likuiditeti. Sejko shton se edhe nëse ndodh më e keqja, janë marrë të gjitha masat për sigurimin e likuiditetit dhe menaxhimin e bankave. Aktualisht bankat me kapital grek zotërojnë 17% të totalit të aktiveve të sistemit bankar. Pesha e tyre është ulur në krahasim me pesë vjet më parë, para se të fillonte kriza greke, kur ato zinin gati 25% të totalit të aktiveve të sistemit.

 

 

OSHEE nis punën për investimet në zonën e Kënetës në Durrës

Pas Paskuqanit dhe Babrrusë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka filluar fazën e investimeve në zonat më problematike të Durrësit. Drejtori i OSHEE-së Adrian Çela sqaroi dje se projekti parashikon kryerjen e investimeve të ndara në disa segmente. “Sot inaugurojmë fillimin e punimeve për LOT 1 në zonën e ish-Kënetës në Durrësin e ri. LOT 1 ka një vlerë prej 83 milionë lekë të reja. Brenda javës tjetër do të fillojnë punimet për LOT 2 që shkon në 360 milionë lekë të reja ndërsa janë edhe tre LOT-e të tjera. Totali i investimeve në Durrës shkon në 800 milionë lekë të reja. Pra, investime që shkojnë për zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones. Parashikohet të investohet për ndërtimin e 60 kabinave të reja, shtyllave, zëvendësim të rreth 50 kilometër kabllo të tensionit të mesëm dhe rreth 30 kilometër kabllo të tensionit të ulët ABC”, u shpreh Çela. Operatori i Shpërndarjes ka ndërmarrë një plan të gjërë investimesh në sektorin energjetik, që do të materializohet me shërbim më të mirë për popullatën, ulje drastike të humbjeve, por mbi të gjitha do të bëjë që qytetarët ta ndjejnë se kontributi që ata kanë dhënë me pagesat e energjisë, patjetër do tu kthehet në një shërbim më të mirë. Sektori energjetik, rimëkëmbjen po e fillon jo vetëm me arkëtime dhe situatë financiare më të mirë por mbi të gjitha po kryen investimet aq shumë të munguara prej vitesh në shpërndarje. Sipas të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones niveli i humbjeve në rrjet shkon në rreth 45%. Kryerja e investimeve parashikon zbritjen e nivelit të humbjes për këto zona deri në masën 12%. Projekti do të zgjasë 3-6 muaj dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për mbi 10 mijë familjarë e biznese.

 

 

Sigurimet Shoqërore, 3.5 milionë euro dëme nga certifikata false

Gjatë 2014 janë konstatuar dëmtime të fondeve të sigurimeve shoqërore në masën 500 milionë lekë, si rezultat i certifikatave false që janë gjendur në dosjet e vjetra dhe kalimit nga pension fshati në pension qyteti ndër vite bënë me dije burimet zyrtare në institutin e Sigurimeve Shoqërore, por gjithashtu, gjatë vitit 2014 janë rikuperuar rreth 400 milionë lekë nga debia e krijuar ndër vite si, rezultat i abuzimeve. Përsa i përket ligjshmërisë së përfitimeve që iu lindin qytetarëve nga skema e sigurimeve shoqërore, është konstatuar një dëm ekonomik i konsiderueshëm, i cili llogaritet në rreth 2.9 miliardë lekë në fillim të vitit që shkoi. Burimet zyrtare bëjnë me dije se instituti i Sigurimeve Shoqërore po vijon punën për pastrimin e skemës nga përfitimet e padrejta, duke u përqendruar në disa mënyra kontrolli të dosjeve të pensioneve. Duke pasur parasysh që nga kjo skemë aktualisht përfitojnë rreth 560 mijë pensionistë, në total janë konstatuar rreth 5 667 dosje me probleme. Sipas të dhënave, vetëm nga Drejtoria e Auditit në ISSH janë konstatuar rreth 3 970 dosje me shkelje, nga të cilat pensione me ndryshim datëlindjesh pra përfitues që kanë hyrë në skemën e përfitimit disa vjet para se t’u lindë e drejta, janë konstatuar gjithsej 1 998 raste, me përfitim të padrejtë në masën 1.328.452.000 lekë. Ndërsa për pensionet e përfituara në mënyrë të padrejtë si rezultat i paraqitjes të dokumenteve të parregullta janë konstatuar gjithsej 1972 raste, me një vlerë 881.356.601 lekë. Kryesisht, ndër shkeljet e konstatuara për këtë kategori ka qenë ndryshimi i vjetërsisë në punë, duke i kaluar në kushtet e kategorisë së parë, si punë në nëntokë, fonderi etj, ndërkohë që kanë punuar në punë të kategorisë së tretë ose në kooperativa bujqësore, duke përfituar padrejtësisht pension disa vjet më parë sesa parashikohet në Ligj.

 

 

Biznesi merr 136 milionë euro më pak kredi në 2015-ën

Biznesi në katër muajt e parë të këtij viti ka marrë rreth 19 miliardë lekë kredi më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, kredia e re për biznesin për katërmujorin 2015 kishte vlerën e 56.6 miliardë lekëve, rreth 25% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto të dhëna tregojnë se kreditimi vazhdon të jetë i kujdesshëm. Në vrojtimet e aktivitetit kreditues të tremujorëve të fundit, bankat kanë deklaruar ruajtjen e standardeve të shtrënguara të huadhënies për sipërmarrjet. Nga ana tjetër, sipas bankave, edhe kërkesa cilësore për kredi ngelet ende e pakët. Rënia ka prekur shumicën e sektorëve me peshë në kreditim. Sektori më kredituar i ekonomisë, tregtia, ka pësuar një rënie të kredisë së re me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia e re për industrinë përpunuese dhe për ndërtimin ka rënë me 15%, ndërsa për industrinë nxjerrëse me afro 61%. Më drastike ka qenë rënia e kredisë për sektorin energjitik, që këtë vit ka rreth 15% të vlerës që kishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja kanë njohur sektorë si bujqësia, transport­komunikacioni dhe ndërmjetësimi monetar e financiar, por këto degë kanë një peshë relativisht modeste ndaj portofolit total të kredisë.

 

 

Borxhi i jashtëm u rrit 5.1% në tre muajt e parë të vitit

Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare u rrit me 5.1% gjatë tre muajve të parë të vitit 2015, duke prekur shifrën e afro 7 miliardë eurove. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen e borxhit ka qënë zgjerimi i huamarrjes së jashtme të qeverisë. Kryesisht falë huave të buta të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, stoku i borxhit të jashtëm të qeverisë ka arritur në 2.85 miliardë euro, 7.5% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2014. Janë gjithsej 206 milionë euro që qeveria i ka shtuar në bilancin e borxhit të jashtëm gjatë tre muajve të parë të vitit. Programi i bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore u ndërmor për të siguruar hua me kushte lehtësuese, me qëllimin kryesor shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj sektorit privat, por edhe financimin e ndërhyrjeve në sektorë strategjikë, si energjia. Aktualisht, borxhi publik përbën rreth 43% të totalit të borxhit të jashtëm. Rritje të lehtë të borxhit të jashtëm gjatë tre muajve të parë të vitit regjistroi edhe sektori bankar. Zbutja e krizës financiare ka bërë që bankat të kenë më shumë akses në burimet e jashtme të financimit dhe në fund të Marsit 2015 kishin një borxh ndaj jorezidentëve në vlerën e 1.26 miliardë eurove, në rritje me rreth 150 milionë euro që nga fillimi i vitit. Jashtë sistemit financiar, sektori privat në përgjithësi regjistroi rritje modeste të huamarrjes së jashtme. Borxhi i jashtëm i bizneseve private kishte vlerën e 1.18 miliardë eurove, 5% më shumë krahasuar me fundin e Dhjetorit. Ndërkohë, rritje të lehtë patën edhe huatë e ndërsjella mes korporatave, në formën e borxhit që ndërmarrjet shqiptare kanë kundrejt aksionerëve dhe investitorëve të tyre jashtë vendit. Këto detyrime kishin vlerën e 1.62 miliardë eurove, në rritje me 3.2% që nga fillimi i vitit.

Share it :