Partia Demokratike do të kalojë në veprime radikale nëse të enjten në parlament, për votimin e Reformës në Drejtësi, mazhoranca do të tentojë t’i bëjë 2/3 e votave duke marrë deputetë. Grupi i PD vendosi t’i djegë mandatet nëse “Rama do të trafikojë deputetë” për të kaluar draftin e reformës, për të cilin opozita nuk është dakord, pasi e konsideron si mënyrë për kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika.
Pas dështimit të takimit të djeshëm, kryeministri Rama tha se mazhoranca nuk do ta presë me Partinë Demokratike dhe do të vazhdojë rrugën e vetme që ka: dërgimi ne draftit në parlament. Mazhoranca nuk i ka votat e mjaftueshme për të votuar ndryshimet kushtetuese. Ajo ka 85 deputetë, por për votimin duhen 94 vota.
Të dielën, përfaqësuesja e lartë e BE –së, Federica Mogherini, me anë të një deklarate, u kujtoi deputetëve të gjitha forcave politike rëndësinë që ka vota e gjithësecilit. Në Tiranë, në mediat pranë qeverisë, kjo u përkthye si thirrje e BE –së drejtuar deputetëve të veçantë të opozitës për të dalë jashtë qëndrimit institucional të saj. “Bëhet fjalë për një votë për të cilën çdo deputet i Kuvendit, i cilitdo grupimi politik, mban përgjegjësi të veçantë”, shkruante zonja Mogherini.
Në mbledhjen e PD, deputetë të ndryshëm deklaruan sot se deklarata e Mogherinit “u shkrua në Tiranë” nga ambasadorja Romana Vlahutin, për të cilën shfaqën hapur kritika, duke thënë se është e pozicionuar politikisht në anën e mazhorancës.
Pas diskutimeve, grupi i PD pati një qëndrim të qartë ndaj tentativave të mundshme të mazhorancës për “blerë” deputetë nga opozita. PD nuk do ta njohë më këtë parlament dhe do t’i djegë mandatet e deputetëve të saj, çka do të fuste Shqipërinë në një krizë të rëndë politike pikërisht në kohën kur nga BE pritet hapja e negociatave për anëtarësim.




