Grabitet me armë Raiffeisen tek Komuna e Parisit

Grabitet me armë Raiffeisen tek Komuna e Parisit

Një ngjarje e rëndë e regjistruar në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, ku një person i maskuar dhe i armatosur ka arritur të grabisë me lehtësi ekstreme degën e bankës Raiffeisen.

Sipas informacioneve paraprake, një person i maskuar ka hyrë në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e armës, ka kryer grabitjen. Pas ngjarjes, autori është larguar në drejtim të paditur.

Ende nuk ka të dhëna për shumën e parave të grabitura apo nëse ka persona të lënduar. Pritet që policia të japë detaje të mëtejshme për rrethanat e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Fakti që një autor i vetëm, thjesht nën kërcënimin e një arme, hyn në degë, merr paratë dhe largohet “në drejtim të paditur” pa asnjë pengesë, ngre pikëpyetje të mëdha mbi efikasitetin e sistemeve të mbrojtjes që këto banka u ofrojnë klientëve dhe stafit të tyre.

Sërish dështim i sigurisë
Kjo grabitje vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë ka rregullore tepër strikte për elementët e sigurisë që duhet të plotësojë çdo degë bankare. Megjithatë, praktika tregon se shpesh ka një hendek të madh mes letrave dhe realitetit.

Edhe pse rregullorja e BSH-së e vitit 2024 mbulon çdo aspekt në letër, rasti i fundit te “Komuna e Parisit” tregon se bankat dështojnë në auditimin e gatishmërisë.

Shumë degë mbajnë dyer të thjeshta xhami të hapura për publikun pa sisteme izolimi, kamerat shpesh nuk monitorohen në kohë reale nga salla operative, dhe rojet fizike shpesh kryejnë thjesht rol “mikpritës” ose orientues për klientët në radhë, sesa funksion të mirëfilltë mbrojtës.

Share it :