Artan FUGA
Sipas mediave, në një takim që është bërë rreth një tryeze për reformimin e sistemit të drejtësisë, një deputet, e vërteta është me një reputacion moral të veçantë në popull, paskësh shprehur edhe idenë e mundësisë të ardhjes dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj. Pastaj janë shprehur edhe opinione aty edhe këtu, edhe nga një publik qytetarësh të thjeshtë, ku një pjesë e konsiderueshme e sheh këtë ide me sy të mirë, pra si jo të keqe. Nëpër tavolina, në fakt, herë pas here artikulohet kjo ide.
A mos jemi vallë një popull kuislingësh?
A mos duam të vërtetojmë se nuk kemi aftësi shtetformuese?
A mos duam të tregojmë se kemi nevojë të jetojmë si koloni në një vartësi perandorake?
A mos vallë duhet të tregojmë se tradhtarët nuk kanë qenë rastësi në historinë tonë?
Unë nuk e besoj, por gjithsesi përhapja e idesë qoftë edhe në rrethe të ngushta tavolinash, të bën të shqetësohesh nga njëra anë se deri ku ka vajtur mosbesimi popullor te sistemi i drejtësisë dhe në përgjithësi te institucionet e këtij vendi. Nuk po i hyj këtu pyetjes nëse kemi të bëjmë me një perceptim iluzor popullor apo me një vlerësim të drejtë. E them këtë sepse edhe shërbimi i drejtësisë është si ai i çdo malli. Nëse bën një klient të pakënaqur, atëherë ai u flet dhjetë të tjerëve, pra për një gjykim të dyshimtë ndikohen me vlerësime negative dhjetëra e qindra qytetarë që as kanë pasur edhe as kanë ndonjë kontakt apo përvojë personale me gjyqtarë e prokurorë. Nga ana tjetër populli dëgjon edhe debatet politike në Kuvend dhe në media ku gjithë ditën flitet për korrupsion në sistemin e drejtësisë dhe sidoqoftë, gjurmë të këtij debati me këto ngjyresa pesimiste, ndofta me arsye të plotë, mbesin edhe në mendjen e qytetarëve. Po kështu flitet për pasuritë e njerëzve të ndryshëm në sistemin gjyqësor dhe njerëzit mendojnë me ose pat ë drejtë duke shtruar pyetjen legjitime: Si i bënë të gjitha këto pasuri?
Pra, është normale që pakënaqësia popullore ta shpjerë mendjen te mundësia e zëvendësimit të punonjësve të sistemit të drejtësisë me të huaj, aq më shumë se në popull i huaji është i sublimuar, paraqitet si shembulli i drejtësisë dhe i paanësisë në gjykime: anglezi gjakftohtë dhe i paanshëm, zvicerani i saktë si orë Zvicre, gjermani i rreptë moralisht si Kanti, francezi si zyrtar i përkorë shteti, italiani si punonjës drejtësie që mbart mbi shpinë përvojë e luftës me mafien e viteve `60, e kështu me radhë.
Dikush sjell rastin kosovar si argument. Ja a nuk ka punonjës drejtësie dhe policie në kuadrin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë??? Po ja edhe pati, por a mund të thuhet se shoqëria kosovare sikurse referohet në deklarata politikanësh dhe përfaqësuesish të trupit diplomatik, është mbrojtur nga korrupsioni??? Jo vetëm që nuk mund të thuhet, por edhe në ndonjë rast janë hapur procese gjyqësore për korrupsion edhe ndaj të huajsh që kanë qenë aty pikërisht për ta luftuar korrupsionin e fortë të vendasve.
Po ashtu na serviret argumenti se përderisa duhet të ecim drejt integrimit evropian, ashtu sikurse do të marrim një ditë si monedhë kombëtare euron, sikurse supozohet, sikurse kemi deleguar e do të delegojmë kompetenca sovraniteti në duart e Evropës të Bashkuar, pse jo, të mos marrim gjyqtarë dhe prokurorë të huaj!
Harrojmë se sot Evropa e Bashkuar sado përforcon instancat komunitare, në sistemin e drejtësisë vepron brenda kuadrin kombëtar dhe padyshim ruan fort identitetin kombëtar të gjykatësve dhe prokurorëve të çdo vendi. Ka Gjykatën e të Drejtave të Njeriut ku edhe një shqiptar mund t’i shpjerë çështjet e tij gjyqësore, por vetëm kaq, edhe asgjë më shumë. Kurse ne ikim larg derisa kërkojmë të huajin për të na vendosur drejtësinë.
Ka disa kohë që zgjidhjet kërkohen te të huajt. Këshilltar qeverie një i huaj kërkohet dhe propagandohet, guvernator banke flitet e pretendohet për një të huaj, studio arkitekture – të huaja për të hyrë në konkurs e tender, trajner të huaj, të huaj këtu dhe aty, e ja tani edhe ideja e prokurorëve dhe e gjykatësve të huaj. Harrohet në fakt se tjetër është të përzgjedhësh një specialist të huaj dhe tjetër një gjykatës dhe prokuror të huaj për arsye që do t’i shpjegojmë më poshtë.
Në fakt që nga ishujt e Paqësorit, të Polinezisë, e deri në brigjet mesdhetare, prej Lashtësisë e këtej, kur një popull ka qenë në krizë ka pritur të vijë një Mesi nga deti, një i Huaj, për të sjellë shpëtimin dhe me shkop magjik t’i jepte fund amullisë, stagnacionit dhe korrupsionit. Pritet të vijë Mesia. Më kujtohet se studiuesi i njohur i besimeve fetare Mirçea Eliade ka treguar sesi kur disa ushtarë të mbetur udhëve menjëherë pas përfundimit të Luftës të Dytë botërore përfunduan në disa ishuj polinezianë, ata u habitën kur autoktonët i pritën me nderime të mëdha sikurse do të ishte pritur vetë Zoti prej tyre. Prej qindra vitesh ata kishin zhvilluar përsëritur shpresën se një ditë shpëtimi do të vinte nga të huajt, nga deti, nga qielli, nga marsianët, nga ata që janë jashtë grupit të tyre shoqëror. Në fshatin tënd nuk mund të jesh profet, pra psikologjia popullore kërkon të sublimojë të huajin, aq më shumë në një shoqëri popullore si kjo jona ku miku dhe i huaji pritet me nderime në prag të shtëpisë.
Mirëpo një specialist apo ekspert i huaj është një gjë, kurse ardhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve të huaj është diçka krejt tjetër. Të parët janë njerëz teknikë, kurse të dytët bartin sovranitetin popullor, pra një pjesë të shtyllave të pushtetit, pushtetin legjislativ, dhe nuk mund të trajtohen si të parët.
Sepse po u nisëm me këtë vrull, hajde kërkojmë edhe deputetë të huaj, kryetarë partish të huaj, ministra të huaj dhe kështu me radhë. Nuk i bie veçse fiks, që të ndryshojmë një ditë vetë popullin. A nuk kemi edhe një Kuvend që nuk po funksionon prej kohësh? Hajde pra ndryshojmë edhe deputetët duke zëvendësuar shqiptarët me të huaj. Evropa, po cili shtet evropian e paska bërë çka nuk e ditkemi!!!
Mbi të gjitha do të sillte një problem parimor nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese. Si mund të denigrohet një kandidat për gjyqtar apo prokuror vetëm sepse është shqiptar!!! Si mund të mënjanohet ai nga konkurrimi prej jurive të emërimit të prokurorëve dhe gjykatësve!!! Nuk mund të mënjanohet meqenëse të gjithë kanë të drejta të barabarta.
Por, jo vetëm kaq. Ka edhe probleme edhe vështirësi të pakapërcyeshme në planin e funksionimit praktik. Me çfarë gjuhe do t’i lexojnë materialet që shërbejnë si prova kur ato janë shprehur në shqip??? Me çfarë gjuhe do të bashkëpunojnë me punonjës policie a administrate kur gjuha e tyre shqipe është pothuajse e vetmja mundësi për t’u kuptuar me ta? Po i pandehuri apo personi që gjykohet në çfarë gjuhe do t’i lexojë tekstet që përmbajnë fatin e tij? Do të mësojnë shqip akuzuesit? Nuk përjashtohet, por do shumë kohë.
Këta prokurorë dhe gjykatës duhet të lexojnë qindra në mos mijëra faqe që janë në gjuhën shqipe. Si do të arrijnë ta bëjnë këtë gjë ata?
Jepet edhe shembulli i periudhës të sundimit të Zogut kur ai mori një kolonel të huaj për të trajnuar xhandarmërinë shqiptare. Tjetër rast ai sepse nuk ishte veçse një ekspert, me aftësi shumë të mira sigurisht, por ndërkohë lind pyetja sesi do t’i kuptojmë mësimet e tij? Koloneli në fjalë bëri një punë shumë të mirë, thonë, atëherë kur organizonte xhandarmërinë shqiptare, por nuk ka lidhje me lajmin që u referua në fillim të shkrimit. Mirëpo, tjetër është një ekspert a këshilltar policie dhe tjetër prokurorë dhe gjyqtarë që shprehin sovranitet popullor në pushtetin e drejtësisë. Si do t’i lexojnë veç të tjerash këta të huaj kodet dhe ligjet shqiptare për të gërmuar në to??? Si do ta japin ata verdiktin e tyre pra si do ta shpallin të drejtën kur nuk dinë shqip???
Ja pra që një ide për prokurorë dhe gjyqtarë të huaj nuk qëndron dhe nuk ka asnjë shans të realizohet, sipas meje. Ideja nuk është te personat vetëm, por te ligjet e mira që duhet të aprovohen, te ndarja e pushteteve që na mungon meqë te ne gjyqësori del nga pushteti legjislativo-politik, te mospolitizimi i drejtësisë që vihet në kontrollin partiak, te të drejtat qytetare në procesin e hetimit dhe gjykimit etj. Po të bëhet këto nuk ka pikë arsye që edhe gjyqtarët edhe prokurorët tanë të jenë mall importi.




