Gjyqi ndaj Ilir Metës, PL kërkon transparencë maksimale: Nuk mund të ketë gjykime në bodrume, si në diktaturë
Partia e Lirisë ka kërkuar zyrtarisht transmetimin e drejtpërdrejtë të gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, seancë kjo që do të nisë ditën e sotme, ora 11:00 duke e cilësuar atë si një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme publike.
Përmes një deklarate për mediat, sekretari i përgjithshëm i PL Tedi Blushi ka theksuar se transparenca dhe llogaridhënia janë një detyrim ligjor për çdo institucion dhe dhe funksionar publik, dhe se kjo seancë nuk bën përjashtim.
Blushi argumentoi se kërkesa për transmetim live nuk është një risi, por një standard i vendosur 30 vite më parë.
Ai solli në vëmendje një paralele të fortë historike, duke kujtuar transmetimin e drejtpërdrejtë të gjyqit të Nexhmije Hoxhës dhe ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të regjimit komunist.
“Nëse është transmetuar live seanca e gjykimit e Nexhmije Hoxhës, nuk ka asnjë arsye pse të mos transmetohet live edhe kjo seancë”, u shpreh ai, duke kërkuar që ky standard të zbatohet për të gjithë procesin, nga sekonda e parë deri në të fundit.
Kjo thirrje, e bërë në emër të Partisë së Lirisë, pason një kërkesë të mëparshme publike nga vetë Ilir Meta. I pyetur për qëndrimin e të pandehurve të tjerë, Blushi theksoi se flet vetëm në emër të subjektit politik që përfaqëson.
Deklarata për media:
“Nuk është një seancë e zakonshme dhe për shkak të kësaj rëndësie, dua që t’ju mundësohet të gjithë mediave pa përjashtim, transmetimi live, sepse transparenca dhe llogaridhënia është një detyrim për çdo institucion publik dhe për çdo funksionar publik.
Nuk po bëjmë asgjë më shumë sesa po kërkojmë të garantohet një standart që vendi ynë e ka garantuar 30 vite më parë kur transmetoheshin live të famshmit gjyqe për kapetë, pra gjyqet referuar ish bllokmenëve kur është transmetuar live seanca e gjykimit e Nexhmije Hoxhës, nuk ka asnjë arsye pse të mos transmetohet live edhe kjo seancë e sotme, si dhe të gjitha seancat e tjera.
Pra nga sekonda e parë e seancës së parë dhe deri në sekondën e fundit të seancës së fundit të gjithë këtij procesi duhet të transmetohet live. Kjo është thirrja ime.
Thirrja ime bëhet në emër të Partisë së Lirisë. Të njëjtën thirrje publike sikundër jeni njohur e ka bërë edhe vetë zoti Meta.
Unë nuk jam këtu për të folur për qëndrimet e të pandehurve të tjerë. Unë përfaqësoj sot në këtë seancë Partinë e Lirisë dhe po përsëris një thirrje publike të bërë dhe nga vetë zoti Meta.
Kur ndërkohë duhet të ishte në fakt vetë e kundërta, pra që gjykata të garantonte transparencë maksimale për procesin e gjykimit. Nuk mund të ketë më gjykime në bodrume si në kohën e diktaturës.
Gjykimet duhet të jenë, seancat e gjykimit duhet të jenë publike, duhet të jenë transparente, duhet të jenë të hapura për publikun.
Nuk ka asnjë arsye, nuk ka asnjë mbështetje ligjore në rast se, uroj shumë të mos ndodhë, gjykata do të refuzojë këtë kërkesë dhe do të refuzojë të garantojë të gjithë mediave transmetimin live.
A flasim për informim publik? A ka çështje sot në Shqipëri më të rëndësishme sesa kjo? Kemi të bëjmë me një funksionar publik i cili ka mbajtur tre postet më të larta shtetërore, ish-president i Republikës, ish-kryeministër dhe ish-kryetari i Kuvendit.
Çdo qytetar i Republikës duhet të informohet me detaje, me çdo sekondë të këtij procesi gjykimi. Faleminderit”.




