Artan Cena
Familjarët dhe të afërmit e 9 të arrestuarve për terrorizëm nuk u lejuan të ndiqnin seancën gjyqësore të radhës. Gjykata thotë se vendimi është i Policisë së Burgjeve
Me bluza ku shkruhej “Jam krenar që jam mysliman”, kanë dashur të hyjnë këtë të martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda familjarët e të akuzuarve për rekrutimin e luftëtarëve në Siri. Por familjarët dhe të afërmit e 9 të arrestuarve për terrorizëm nuk u lejuan të ndiqnin seancën gjyqësore të radhës. Ata u ndaluan nga policia e burgjeve që në hyrje, për shkak se kishin veshur këto bluza për të përçuar një mesazh. Sipas tyre kjo ishte një mënyrë proteste ndaj veprimeve të policisë, e cila i kontrollon imtësisht përpara fillimit të seancave. “Policia na trajton si qytetarët të dorës së tretë, nuk lë asgjë pa na kontrolluar, nuk na lejojnë të futemi dhe nuk na japin përgjigje, nuk kemi bërë asnjë shkelje”, – tha Armand Aliu.
Pengohen familjarët
Por familjarët nuk janë lejuar të futen në sallë pa hequr më parë bluzat, gjë që nuk është pranuar nga besimtarët. Situata ka vijuar e tensionuar edhe brenda seancës, ku të pandehurit e akuzuar nuk kanë pranuar të zhvillohen gjykimin pa praninë e të afërmve. Ata kanë braktisur në grup seancën duke bërë të pamundur zhvillimin e saj. Ndërkohë një nga avokatët ka ngritur pretendim para gjykatës se ndaj besimtareve kryheshin veprime, të cilat nuk zbatoheshin ndaj të afërmeve të të pandehurve të tjerë. Sipas avokatit të të pandehurve, situata është absurde në kushtet kur gjykata ka deklaruar më herët se seanca është me dyer të hapura. Ai tha se për veprimet e policisë, do t’i dërgojë peticion kryeministrit Edi Rama. Vetëm tre prej të pandehurve kanë zgjedhur të mbrohen me avokatë, ndërsa 6 të tjerët e refuzojnë mbrojtjen ligjore me argumentin se i mbron Allahu.
Kontrollet e policisë
Besimtarët mysliman ndihen të fyer dhe diskriminuar nga policia, të cilët përveç kontrollit fizik për sende të paligjshme i heqin edhe rripin e pantallonave. Ata vazhdojnë të besojnë se procesi gjyqësor ndaj të afërmeve të tyre është politikë. Mos prezenca e familjarëve të të pandehurve në sallën e gjyqit, bënë që edhe të akuzuarit të braktisin seancën gjyqësore, duke kërkuar lejimin e të afërmve të tyre të ndjekin procesin gjyqësor. Avokati i të pandehurve tha se personat që ai përfaqësojnë nuk do të kthehen në sallën e gjyqit deri sa policia të lejoj familjarët të ndjekin procesin gjyqësor.
Gjykata e krimeve
Të pyetur për këtë incident, përfaqësues të Gjykatës së Krimeve të Rënda thanë se nuk janë ata që kanë vendosur moslejimin e familjarëve, por është vendim i punonjësve të policisë. Ndërsa séance gjyqësore u shty për javën e ardhshme, që të pandehurit të paraqiten në sallën e gjyqit, ku akuzohen për rekrutim dhe dërgimin e besimtarëve mysliman drejt luftës në Siri.
Lirohet Florenc Hoxha, avokati Kaso: Arrestimi politik, policia fshehu ngjarjen
Gjykata e Tiranës caktoi masën e “Sigurisë detyrim paraqitje” për kreun e Inspektoratit Ndërtimor Vendor, Florenc Hoxha. Pas arrestimit të tij, katër ditë më parë për dhunën e ushtruar ndaj dy personave në rrugën “Ali Demi”, vetë organi i akuzës kërkoi detyrim paraqitjeje, ndërkohë që për mbrojtësit ligjorë edhe kjo masë është e tepërt. Vendimi u dha nga gjyqtari Artur Gaxhi, i cili veprimet e policisë në arrestimin e kryeinspektorit Hoxha i cilësoi të ligjshme. Ky vendim u kundërshtua nga avokati, duke e cilësuar arrestimin e Hoxhës me prapavijë politike. Avokati Kaso akuzoi policin për fshehje të provave, që sipas tij, provojnë pafajësinë e klientit të tij, i cili është sulmuar nga dy personat, njëri prej të cilëve tashmë u shpall në kërkim nga prokuroria me vendim gjykate. Florenc Hoxha u arrestua mbrëmjen e së shtunës pas një përplasje fizike me dy pronar të një lokali në lagjen “Ali Demi”. Si pasojë e kësaj dhune ka mbetur i plagosur rëndë edhe vartësi i kryeinspektorit Hoxha, shtetasi Fatjon Dani, që vazhdon i shtruar në Qendrën Spitalore të Traumës.
Durrës, sekuestrohen 15 kg lëndë C4, pranga transportuesit
Një person që po transportonte 15 kg tritol C4 u arrestua nga policia e Durrësit. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se ai është Fatri Xhediku, 52-vjeçar nga Tirana dhe eksplozivin e kishte të vendosur në një çantë shpine. Sipas policisë, sasia ishte e ndarë në 31 copë kallëpe lëndë plasëse . Disa kapsolla elektrike detonatorë të montuara fitil zjarrëpërcjellës. Arrestimi i këtij personi është bërë pranë Stacionit të Trenit në Durrës. Ky shtetas dyshohet se është në rolin e transportuesit për një grup kriminal që merret me trafikim të lëndëve eksplozive. Hetimet janë në vijim në lidhje me këtë rast, por policia beson se ka identifikuar një bandë që merret me këtë lloj veprimtarie kriminale.
Dhuna ndaj Tomi Mishës, nis gjyqi ndaj ish-zv.drejtorit të policisë
Ka filluar procesi për ish-nëndrejtorin e Policisë së Korçës, Arben Hyseni, dhe ish-policin Robert Memelli. Këta dy personat akuzohet se dhunuan publikisht dhe më pas në dhomat e shoqërimit të riun Tomi Misha. Së bashku me policët do të gjykohet edhe Tomi Misha, me akuzat e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur dhe kundërshtim të punonjësve të policisë, kurse i vëllai, Ernest Misha po për akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë. Mungesa e Arben Hysenit dhe mbrojtësit të tij, e ka detyruar relatorin e çështjes të shtyjë seancën për një datë tjetër. Mbi policët, Arben Hyseni dhe Robert Memelli rëndojnë akuzat e kryerjes së veprimeve arbitrare dhe mos marrja e masave për të ndërprerë dhunën e paligjshme.
Prishtinë, kapen 2 kg kanabis në autobusin e nisur nga Tirana
Dogana e Kosovës sekuestron 2 kilogramë kanabis sativa në një autobus të linjës Tiranë-Prishtinë. Lënda narkotike u zbulua në bagazhin e një qytetari, i cili ishte duke udhëtuar me autobus. Lënda u zbulua pas një kontrolli të oficerëve doganorë, të cilët kanë zbritur të gjithë udhëtarët dhe kontrolluar valixhet personale të tyre. “Gjatë skanimit të valixheve tek një udhëtar me nënshtetësi kosovare janë hasur paketime të dyshimta. Gjithashtu, edhe në autobus është gjetur një pako tjetër. Pas zbulimit të rastit është njoftuar policia kufitare, që ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe ndalimin e personit të dyshuar dhe fillimin e hetimeve”, – thuhet në një komunikatë të Doganës së Kosovës. Sasia e zbuluar e lëndës narkotike iu dorëzua Policisë së Kosovës, ndërkohë që nuk është publikuar identiteti i poseduesit të kanabisit.




