Artan Cena
Kreu i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, bashkë me zyrtarët e institucionit që drejton janë shpallur të pafajshëm. Gjykata: Provat e prokurorisë ishin të pamjaftueshme
Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka shpallur të pafajshëm kryebashkiakun aktual, Baftjar Zeqo, i akuzuar për shpërdorim detyre në ndarjen e banesave sociale. Në seancën e djeshme gjyqësore, u rrëzua kërkesa e prokurorisë, e cila kërkonte 2 vjet heqje lirie për Baftjar Zeqon. Sipas gjyqtares Egerta Hysi, provat e prokurorisë ishin të pamjaftueshme si për Zeqon, ashtu edhe për 12 anëtarë të komisionit të banesave sociale. Po gjatë ditës së djeshme kjo gjykatë vendosi të lërë në liri me kusht, punonjësen e Hipotekës Mimoza Kola Gjinaku, e cila akuzohej për falsifikim dokumentesh. Bashkë më të, kanë qenë të akuzuar edhe 12 punonjës të tjerë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Strehimit.
Hetimi ndaj Bashkisë
Kryetari i Bashkisë së Fierit, bashkë me gjashtë zyrtarë të tjerë, anëtarë të Komisionit të Strehimit në këtë njësi vendore, janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, pasi dyshohen se kanë dhënë kredi të buta për shtëpi për disa persona, të cilët e kanë përfituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 persona, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallëzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të procedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë.
Kërkesa e prokurorisë
Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me burgim për kryetarin e Bashkisë së Fierit dhe 7 punonjës të tjerë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Strehimit, të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për tu trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallëzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të procedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë. Nga hetimet dhe pyetja e personave të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, është konstatuar se pretendimet e tyre lidhen së pari me faktin se Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë e cila nuk ishte e pikëzuar, në ambientet e Bashkisë Fier. Në këtë mënyrë asnjëri prej tyre nuk kishte mundësinë për të mësuar se me sa pikë ishte vlerësuar nga Komisioni, që të kishte mundësinë të ankohej nëse nuk ishte dakord me vlerësimin.
Dëshmitë e denoncuesve në Prokurori
Denoncuesit e kryebashkiakut Baftjar Zeqaj dhe zyrtarëve të bashkisë kanë shpjeguar se Komisioni i Strehimit nuk ka marrë për bazë listën e parë të personave të cilët kanë aplikuar por kanë futur në listën e aplikuesve edhe persona të tjerë të rinj, të cilët kanë përfituar me vendimin përfundimtar të Këshillit të Bashkisë. Kallëzuesit pretendojnë se pavarësisht se kanë marrë pikët e nevojshme nga Komisioni i Strehimit, nuk kanë fituar në listën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Bashkisë. Ata kanë shpjeguar faktin se nuk ka pasur transparencë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, pasi në listën e fituesve janë futur edhe persona të cilët janë me prona, biznes ose të afërm të këshilltarëve që kanë votuar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Fier, datë 9 korrik 2012. Duke u nisur nga fakti se nuk kanë përfituar banesa sociale me qira, denoncuesit kanë ndjekur rrugën penale duke depozituar kallëzim në Prokurorinë e Fierit si dhe kanë ngritur padi administrative në Gjykatë duke goditur vendimin e Këshillit të Bashkisë.
Shkelën rregullat e Shengenit, riatdhesohen 50 qytetar shqiptarë
Qëndrimi i paligjshëm në vendet e Shengenit u ka kushtuar shqiptarëve përjashtimin me vite për të lëvizur jashtë Shqipërisë. Këta persona janë depërtuar gjatë ditës së djeshme në Tiranë me një fluturim të posaçëm. Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, nëpërmjet një fluturimi riatdhesimi të përbashkët me charter, organizuar nga autoritetet franceze dhe agjencia Frontex, janë kthyer nga Franca në Shqipëri 50 qytetarë shqiptarë të cilët kanë shkelur rregullat e qëndrimit në zonën Shengen. Operacioni i riatdhesimit u zhvillua nga policia e shqiptare, përkatësisht strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese franceze dhe FRONTEX. Në bordin e avionit ishte dhe një përfaqësues i Avokatit të Popullit me qëllim monitorimin e respektimit të të drejtave të shtetasve që u riatdhesuan si dhe në përbërje të eskortës kishte dhe një mjek e një psikolog. Të gjithë shtetasit e kthyer janë penalizuar për 5 vjet mos të udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen.
I dënuar me 10 vite burg, Shqipëria ekstradon suedezin në Oslo
Interpol Tirana ka transferuar drejt Suedisë, një shtetas suedez 35-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare, Lars Tommy Rosen, është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vjet burg. Ai akuzohet për kontrabandë të rëndë me armë. Rosen do të vijojë të kryejë dënimin në Suedi, pas bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpolin e Stokholmit. 35-vjeçari është arrestuar më 5 shtator të 2012, pasi është kapur në flagrancë në Muriqan, në dalje nga Shqipëria për në Malin e Zi. Në bagazhet e tij iu gjetën 9 copë armë zjarri pistoleta, me mbishkrimet EKOL Special, 99 kalibri 9 mm PAK.
Arratisja nga Drenova, 153 vite burg për të dënuarit dhe ndihmësit
Dënohen personat që u përfshinë në arratisjen nga burgu i Drenovës, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2013. Gjykata e Korçës ka dhënë vendimin gjatë paradites së sotme dhe ka dënuar të gjithë të personat me 153 vite e 6 muaj burg. Gjykata ka dhënë dënimet ashtu siç i kërkoi edhe vetë prokuroria në pretencën e saj. Gjykata ka vendosur dënimin me nga 25 vite burg, Admir Tafilin, Fran Marashin dhe Gëzim Gurin. Ndërkaq Albi Meçini është dënuar me 15 vite burg, Alfred Qefalia me 15 vite burg, Elvis Lami, 17 vite burg, Bledian Deda me 16 vite burg, Olsian Maçi me 13 vite burg dhe Artur Gora u dënuar me 2 vite e 6 muaj burg. Në nëntor të vitit 2013 nga burgu u arratisën: Admir Bahri Tafili, lindur në 1975, në Shkodër, Fran Pal Marashi, lindur në vitin 1978, lindur në Shkodër, Gëzim Gjergj Guri, lindur në vitin 1977, banues në Vaun e Dejës, Gëzim Ndue Toma, lindur ne vitin 1982, në Dibër, Reiz Namik Haxhiraj, lindur ne 1971, banues në Selenicë të Vlorës, Eduard Kujtim Lula, lindur ne vitin 1982, banues në Përmet dhe Artur Demir Gora, lindur ne vitin 1969, banues në Pojan të Korçës. Pjesa më e madhe e të arratisurve ishin të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Tafili akuzohet se ka vrarë vëllezërit e ish-shefit të Krimeve të Shkodrës. Edhe Gëzim Guri është dënuar me burg përjetë për vrasje dhe në vitin 2011 tentoi arratisjen nga burgu i Fushë-Krujës. Fran Marashi është një nga të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasje të katër policëve në Urën Vajgurore, plagosje, pjesëmarrje në banda edhe ai ka tentuar më herët arratisje.
DËNIMET:
Admir Tafili, 25 vite burg
Fran Marashi, 25 vite burg
Gëzim Guri, 25 vite burg
Albi Meçini, 15 vite burg
Alfred Qefalia, 15 vite burg
Elvis Lami, 17 vite burg
Bledian Deda, 16 vite burg
Olsian Maçi, 13 vite burg
Artur Gora, 2 vite e 6 muaj burg




