Artan Cena
Prokuroria zbardh skemën e grabitjes së NBG Bank te Rruga e Kavajës. Të arrestuarit Kristi Sulollari, Kristi Kajo dhe Rei Cenolli do të rrinë në qeli deri në fund të hetimeve.
Tre të arrestuarit si të dyshuar për vjedhjen e degës së NBG Bank te Rruga e Kavajës disa ditë më parë, janë paraqitur ditën e djeshme për masën e sigurisë në Gjykatë. Prokuroria ka bërë të ditur në seancën gjyqësore se tre të arrestuarit Kristi Sulollari, Kristi Kajo dhe Rei Cenolli e kishin planifikuar grabitjen tre ditë para realizimit të saj. Po ashtu, prokuroria ka bërë të ditur në seancën e caktimit të masës së sigurisë, se shuma e grabitur nga tre të dyshuarit, është 847 mijë lekë. Në përfundim të prezantimit të provave, prokuroria kërkoi si masë sigurie, “Arrest në burg” për tre të arrestuarit. Gjykata u shpreh dakord me kërkesën e prokurorisë, duke vendosur të lërë në “burg pa afat” tre të arrestuarit e dyshuar.
Masa e sigurisë
Tre personat e akuzuar si grabitës të bankës në Rrugën e Kavajës në kryeqytet, do të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimeve. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Kristi Kajo, Rei Cenollin dhe Kristi Sulollari, të cilët dyshohet se morën 8.5 milionë lekë të vjetra nga banka. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, ata e pranuan akuzën dhe u shprehën të penduar për veprimin, duke kërkuar një masë më të butë. Avokatët thanë se grabitja nuk është bërë me armë, por me pistoletë çakmak. Dy ditë më parë, Policia e Tiranës zbardhi grabitjen e ndodhur në filialin e NBG Banke në Rrugën e Kavajës në kryeqytet duke vënë në pranga tre autorë të dyshuar, të tre 19-vjeçarë.
Aksioni i arrestimit
Policia e Tiranës, katër ditë më parë ka vënë në pranga 3 të rinjtë të dyshuar për grabitjen. Ishin oficerët e krimeve të rënda, ata të sektorit të Operacioneve Speciale, Komisariatit të Policisë numër 1, që në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Tiranës, kanë bërë të mundur finalizimin me sukses operacioni policor i koduar “Yaris”, si dhe arrestimin e tre të dyshuarve. Zbardhja e ngjarjes nga policia u bë për shkak të makinës, me të cilën lëviznin grabitësit. Kristi Sulollari, i cili punonte si kamerier, solli me një makinë tip “Toyota Jaris” dy shokët e tij, vetëm disa metra larg bankës. Identifikimi i dy grabitësve, Kajo dhe Cenolli, u bë nga ngjashmëritë fizike, ndërkohë që të rinjtë janë regjistruar nga kamerat e disa bizneseve në rrugicat që lidhin Rrugën e Kavajës me rrugën “Myslym Shyri”, deri kur hipën në të njëjtin automjet që i solli te banka. Policia arrestoi Kristi Kajon në shtëpinë e gjyshërve të tij në Rrugën “Irfan Tomini”, Rei Cenollit iu vendosën prangat në Voskopojë, në shtëpinë e xhaxhait të tij, ndërsa Kristi Sulollari u arrestua në vendin e tij të punës.
TË ARRESTUAR:
Kristi Sulollari, 19 vjeç
Kristi Kajo, 19 vjeç
Rei Cenolli, 19 vjeç
SEKUESTRIMET
6.879.000 lekë të vjetra,
3 aparate celulare,
një kapele e përdorur në ngjarje
Makina “Toyota Yaris”
Shkatërrohet baza e prostitucionit në periferi të Tiranë, disa të arrestuar
Shkatërrohet një bazë prostitucioni në Tiranë. Policia e Tiranës ka bërë të ditur mbrëmjen e djeshme se gjatë operacionit të koduar “Tallava 2015” janë vënë në pranga në flagrancë për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Të arrestuarit janë: F. Xhemali (Kuçi), 26 vjeç, lindur në Berat dhe banuese në Tiranë, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, Ilir Peraj, 46 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Mbajtje së lokaleve për prostitucion”, Anila Morava, 43 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprën penale të “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion” dhe në gjendje të lirë është duke u hetuar 16-vjeçari me inicialet A. D, lindur në Tiranë, banues në Tiranë, për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. Në bazë të informacioneve që Policia e Tiranës posedonte prej një muaj, se në një lokal në periferi të Tiranës zhvillohej aktivitet i prostitucionit, i organizuar nga shtetas Ilir Peraj, kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar disa vajza balerina të cilat kanë qenë të punësuara në mënyrë të paligjshme, ku ndër të tjera është konstatuar e mitura me inicialet F. GJ., e cila ka qenë shpallur në kërkim si person i larguar nga banesa, në datë 6.5.2015. Kjo shtetase është shfrytëzuar për prostitucion në këtë ambient. Dosja me materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Tiranës për hetime të mëtejshme.
Vrasja e pakistanezëve në Greqi, shqiptari kërkon ndihmë
Një shqiptar në burgun e Koridhalos në Greqi, apelon për ndihmë. Edhe pse ka dashur të mbetet anonim, shqiptari hedh dritë mbi ngjarjen e pak ditëve më parë, ku dy pakistanezë humbën jetën gjatë një përleshje të përgjakshme në këtë burg. Sipas tij, janë disa shqiptarë që po akuzohen padrejtësisht në lidhje me këtë histori. I burgosuri kërkon ndihmën e ambasadës sonë dhe thotë se ai dhe disa persona të tjerë kanë ndërhyrë për të ndarë sherrin. “Kërkojmë edhe në të dimë a kemi ambasada apo jo? Të vijë të interesohet për ne shteti. Pse policia akuzon njerëz të pafajshëm? Duam ndihmë nga ambasada. Për çfarë arsye na akuzon drejtësia greke kur ne nuk kemi faj”, – tha ai. Duke kërkuar respektimin e të drejtave, shqiptari tregoi: “Ne si shqiptarë jemi përfshirë vetëm për ti ndarë, pas 20 ditësh ambasada e Pakistanit ka ardhur ka bërë akuza ndaj shqiptarëve. Po trajtohemi shumë keq, nuk na mbron askush… Nuk kanë ushtruar dhunë por ne akuzohemi për vrasje, mund të bëjmë edhe 25 vite burg me akuzat që na kanë dhënë”.
Bankers nis kompensimin e banorëve të Marinzës
Kompania Bankers Petroleum ka nisur dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga shpërthimi i pusit të naftës me 1 prill në Marinëz. Kompania deklaroi se kompensimi i dëmeve për banorët e Marinzës bazohet në vlerësimin e kryer nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve pranë pushtetit lokal. Bankers po kompenson 66 familje të Marinzës, banesat e të cilave pësuan dëme të lehta, ndërsa 44 banesa pësuan dëme të mëdha. Veç dëmshpërblimit të banorëve, kompania kanadeze do të marrë me qira për një periudhë dy vjeçare tokën bujqësore që është prekur nga shpërthimi i pusit të naftës për të kryer procesin e pastrimit. Bankers Petrolium njofton se do të vazhdojë të punojë me fshatin Marinëz dhe fshatrat më afër aktiviteteve duke investuar në komunitet për përmirësimin e cilësisë së jetës.




