Artan Cena
Azilkërkuesit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor do të trajtohen në të ardhmen në një procedurë të veçantë: Do të qëndrojnë deri në dëbimin e tyre të parashikueshëm
Qeveria gjermane përforcon kursin për t’i kthyer më shpejt pas azilkërkuesit e refuzuar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere ka folur në Berlin për “procedura të shpejta për pak javë”. Azilkërkuesit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor do të trajtohen në të ardhmen në një procedurë të veçantë. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere njoftoi pas një takimi me krerët e shoqatave kryesore të komunave dy ditë më parë në Berlin konceptin e ri: Azilkërkuesit do të qëndrojnë deri në dëbimin e tyre të parashikueshëm në Institucionet Qendrore të Para të Regjistrimit. Kështu shkruanin ditën e djeshme gazetat e kryeqytetit si ajo, Berlini Tageszeitung dhe Berliner Zeitung.
Rriten kërkesat
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, ka bërë të ditur se kërkesat për azil të qytetarëve nga Shqipëria dhe vendet e ish-Jugosllavisë (Bosnja, Kosova, Maqedonia e Serbia) do të marrin përgjigje që në qendrat e para ku i strehojnë autoritetet gjermane. Këta refugjatë përfaqësojnë gjysmën e të gjithë azilkërkuesve, por si rregull nuk kanë shanse të fitojnë azil. Ministria e Brendshme gjermane pret që numri i azilkërkuesve nga këto vende këtë vit të arrijë shifrën 400.000 vetë. De Maiziere bëri të ditur në takimin në Berlin se në të ardhmen nuk do të jenë më përgjegjës landet gjermane për dëbimin e refugjatëve. Kjo, sepse landet nuk kanë vepruar deri tani në mënyrë konsekuente për këto dëbime. Këtë detyrë, këtej e tutje do ta marrë Policia Federale. Një ndryshim i ligjit për Procedurën për Ballkanin nuk do të jetë i nevojshëm. Landet vetëm duhet të shpallin se janë dakord që azilkërkuesit nga shtetet e përmendura të mos shpërndahen barabar nëpër Gjermani në bazë të procedurës EASY, por të veçohen nga të tjerët dhe të dërgohen në Institucionet Qendrore të Regjistrimit. Por duke qenë se landet janë dakord, Procedura për Ballkanin do të fillojë “menjëherë”.
Takimi i Berlinit
Në takimin e Berlinit, landet dhe federata ranë më tej dakord që të intensifikohet ndihma për integrim për refugjatët e luftës civile dhe për personat që përndiqen politikisht. Për ta do të ketë më shpejt kurse për të mësuar gjermanishten dhe do t’u ndërmjetësohet më mirë fillimi i një pune. “Kjo është e rëndësishme, sepse këta njerëz pritet që të qëndrojnë më gjatë te ne”, – tha Drejtori i parë Ekzekutiv i Federatës së Qyteteve dhe Komunave, Gerd Landsberg. Të tri përfaqësuesit e komunave i përshëndetën planet e de Maizierit. Është e rëndësishme që refugjatët e Ballkanit Perëndimor “të mos bëhen fare pjesë e shërbimeve të komunave”, – tha Presidenti i Federatës së Komunave, Ulrich Maly. Në një takim të nivelit të lartë për refugjatët të premten e kaluar, midis përfaqësuesve të Federatës dhe të landeve gjermane, u bë e ditur edhe se do të shtohet në mënyrë masive personeli në Zyrën Federale për Migrimin dhe Refugjatët. Nga 2.200 numri i refugjatëve do të arrijë në 4200, për të qenë në gjendje që kërkesat për azil të përpunohen më shpejt.
Ministria e Brendshme bllokon dhënien e certifikatave
Prej katër ditësh Ministria e Brendshme ka bllokuar tërheqjen e certifikatave në të gjithë Shqipërinë. Kjo situatë po sjell radhë të gjata në të gjitha njësitë vendore të vendit. Në njësinë bashkiake numër 5 në kryeqytet, këta qytetarë po qëndrojnë në radhë për të marrë një certifikatë. Nevoja për një certifikatë është e ndryshme. E njëjta situatë është edhe tek njësia numër 6 në Kombinat, qytetarët vijnë, pyesin, dhe largohen pa marrë shërbimin. Edhe në këtë rast kur ajo duhet për ndarjen e dikujt nga jeta, rezultati është negativ. Dhënia e certifikatave është bllokuar nga Ministria e Brendshme që prej datës 8 maj, dhe nuk është dhënë asnjë njoftim se për sa kohë sistemi do të qëndrojë i bllokuar. Punonjësit thonë se bllokimi ka ardhur, sepse në sistem po punohet për të përgatitur listat për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Prezantohet Komisariati dixhital, por ikën energjia elektrike
Edhe pse i gjithë stafi i Ministrisë së Brendshme ishte angazhuar për krijimin e “Komisariatit dixhital”, aplikacionit më të ri në denoncimin e shkeljeve nga celulari, askush nuk ishte kujdesur që të garantonte atë çfarë dhe teknologjia nuk mund të bëjë dot pa të, energjinë. Energjia elektrike u ndërpre mesditën e djeshme, sapo mori fjalën kryeministri Edi Rama, edhe pse ai tha se prezantimi i Ministrit të Brendshëm ishte shterues. Aktiviteti që po zhvillohej në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar duket se nuk shkoi ashtu siç duhet. Më herët Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se “Komisariati dixhital” konsiderohet një ndër arritjet më të mëdha të policisë. Ministri u shpreh se shumë shpejt do të fillojë një fushatë në të gjithë vendin për të prezantuar këtë risi e cila është e disponueshme vetëm për ata të cilët kanë një telefon celular inteligjent.
Ismailaj mashtroi edhe CEZ-in, i përvetësoi 1.5 mln euro me fatura fiktive
Kastriot Ismailaj, biznesmeni dhe administrator i disa kompanive tregtare, dyshohet se me anë të tyre ka kryer veprën penale të “Pastrimit të parave”, në një vlerë prej 5 milionë eurosh.
Mësohet se 52-vjeçari Ismailaj, brenda një kohe të shkurtër, me anë të mashtrimit financiar, krijimit të shoqërive fiktive në Shqipëri dhe falsifikimit të dokumenteve ka arritur të lëvizë shuma të mëdha parash në llogarit bankare të këtyre kompanive. Referuar materialeve hetimore, thuhet se Ismailaj me anë të këtyre mashtrimeve ka pastruar dhjetëra miliona euro nëpërmjet transaksioneve bankare në vende të njohura si parajsa fiskale në Gjibraltar, Ishujt British Virxhin, Zvicër, Kongo, Lihtenshtein, Luksemburg e vende të tjera si këto. Hetuesit thonë se krahas pastrimit të parave, 52-vjeçari po hetohet edhe për akuzën e mashtrimit ndaj ish-kompanisë CEZ-shpërndarje. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se Ismailaj krijoi një kompani tregtare, me anë të së cilës do të mblidhte borxhet dhe detyrimet e debitorëve ndaj kompanisë CEZ. Më 1 shtator 2010 ai ka paraqitur dy fatura me vlerë 1.5 milionë euro në zyrat e kompanisë CEZ, me pretendimin se kishte identifikuar debitorët e kompanisë. Por nga hetimet, rezulton se kompania e të dyshuarit 52-vjeçar nuk ka bërë asnjë punë, çfarë ka rezultuar se faturat kanë qenë fiktive. Më pas në shkurt të vitit 2011, kompania e Ismailajt, ka nënshkruar një kontratë me CEZ për mbledhjen e borxheve dhe këtu fillon qarkullimi i miliona eurove në llogarit e të dyshuarit dhe anasjelltas nga vende të ndryshme të botës. Prokuroria, dyshohen se këto transaksione kalonin nëpërmjet llogarive të kompanisë së Ismailajt, i cili mbante 3 për qind të vlerës dhe më pas parat tjera transferoheshin në llogari të ndryshme të kompanive të huaja, që mendohet se po pastronin paratë.




