Fushata boshatis Parlamentin/ Dështon votimi, mazhoranca pa kuorum në sallë.

Ligjet e ditës shtyhen për javën e ardhshme

parlament bosh ska kuorumFushata elektorale për zgjedhjet vendore sjell ngërç në punimet e Parlamentit Shqiptar. Për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të deputetëve, ku minimumi është prania e 71 ligjvënësve në sallë, Kuvendi nuk bëri të mundur votimin e projektligjeve të vendosura në rend të ditës së djeshme. Seanca parlamentare i nisi punimet e saj rreth orës 11:00 dhe pas debateve mes palëve mbylli punimet rreth orës 17:35 të pasdites. Ndërsa pas diskutimeve, kreu i Kuvendit i kërkoi kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçit, që të hidhte për miratim projektligjet në axhendë, por mungesa e deputetëve për të formuar shumicën absolute prej 71 votash, bëri që votimi të shtyhej për javën e ardhshme. Në kohën kur do të zhvillohej votimi në sallë ishin dy deputetë nga opozita, ndërsa mazhoranca nuk i kishte 71 deputetët për të votuar projektligjet me shumicë absolute. “Zoti Balla, doni të kalojmë në votim? Zoti Ruçi? Atëherë, votimi do të bëhet të enjten e ardhshme. Ju uroj të kaloni mirë. Njoftimin për seancën do ta gjeni në media”, – deklaroi Meta. Në seancën e djeshme ishin të parashikuar për votim projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet RSH dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për paradhënie për përgatitjen e projektit të propozuar “Shërbime publike me në qendër qytetarin”, projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin e Unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” si edhe projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014”.

 

Debatet në Kuvend/ Paloka: Po u prek vota, ka përplasje civile. Balla: Basha bëri 1 punë. Patozi: Shtypi i shantazhuar

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ishte i ashpër dje në fjalën e tij në Parlament, duke theksuar se nëse do të ketë tentativë të prekjes së votave në zgjedhjet vendore, në Shqipëri do të ketë përplasje civile. “Nëse do ndryshoni drejtimin e votës në 21 qershor do shkojmë drejt përplasjes civile. Atëherë pastaj do i shohë Rama edhe 1 milion shuplakat, edhe shqelmat”, – tha ai. Më herët, duke iu referuar deklaratave të Kryeministrit për gratë demokrate që të votojnë drejtimin e duhur, Paloka theksoi: “Marrin dhe nëpër gojë gratë dhe burrat demokratë dhe i cilëson budallenj. Gruan e vetë ta çojë ku të dojë dhe mos të merret me gratë e demokratëve, pasi do ketë probleme”. Ndërkohë, duke iu referuar akuzave për bashkëshorten e Veliajt, ai pohoi: “Ajola Xoxa, e cila në dokumentet që zotëron prokuroria, rezulton si një nga përfaqësuesit me të drejta të plota ligjore në Shqipëri të Dzanashvilit. Deri tani nga kjo mazhorancë, për këto fakte të denoncuara publikisht ka vetëm heshtje”. Por në emër të mazhorancës, deputeti Taulant Balla theksoi se bashkëshortja e Erion Veliajt thjesht ka punuar në një studio, e cila drejtohej nga dy avokatë dhe nuk ka qenë përgjegjësi e saj për këtë çështje. Nga ana tjetër ai ka akuzuar kryedemokratin Basha duke pohuar: “Më në fund e zbuluam se kishim ditë që kërkonim dhe bënim pyetje në të gjithë Tiranën, duke u kërkuar qytetarëve të dashur të na thoshin se çfarë kishte bërë një punë të vetme Lul Basha në 4 vite. E gjetëm më në fund, ka bërë një punë të vetme: i ka dhënë leje shtesë kati shtëpisë së vet”. Ndërkohë, deputeti i PD-së, Astrit Patozi, i cilësoi mediat në Shqipëri të shantazhuara dhe të blera nga qeveria. Sipas Patozit mediat nuk po publikojnë lajmet që kanë të bëjnë me akuza ndaj qeverisë. “Për shkak të kësaj qeverie ne kemi mbërritur në një pikë kritike të lirisë së shtypit. Është rrezik real për zgjedhjet e 21 qershorit. Kur shtypi blihet dhe kërcënohet nga qeveria është shumë e thjeshtë që edhe votat të blihen. Ne nuk e mbushim dot hendekun heshtjes së blerë apo të imponuar të shtypit edhe sikur ta mbajmë parlamentin hapur çdo ditë”, – u shpreh Patozi.

 

 

Bumçi dhe Noka, akuza LSI-së: Po blen votat. Meta: Shkoni në Prokurori

Në qendër të debateve të seancën e djeshme ishin edhe akuzat e demokratëve ndaj LSI-së, e cila, sipas tyre, po tenton të blejë votat e qytetarëve shqiptarë. Deputeti demokrat Aldo Bumçi, i cili është i deleguar në zgjedhjet në Bashkinë Lezhë, tha se forca e drejtuar nga Ilir Meta po tenton të blejë votat. “Katër ditë më parë është goditur me breshëri automatiku godina e Komunës Blinisht. Çfarë ishte ky, një mesazh për banorët? E dënoj me forcë, Policia e Shtetit që ndalon një fshatar se po ndërtonte një kasolle lopësh duhet patjetër të gjejë autorët. Shqetësimi i lezhjanëve, blerja e votës, nga LSI-ja. Për këtë zërin nuk po e ngre vetëm opozita shqiptare, por ju kujtoj se ditë më parë Kisha Katolike si kurrë më parë, doli me një deklaratë ku i kërkonte gjithë shqiptarëve, por sidomos grigjës së saj, katolikëve të mos shesin dinjitetin e tyre, të mos shesin votën, të mos pranojnë benë për të shitur votën”, – u shpreh ligjvënësi i PD-së. Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit i ka kërkuar Bumçit që provat dhe akuzat e t’i çojë në prokurori e ndërsa pohoi se Shënkolli, ku kandidati i djathtë për kryetar Bashkie në Lezhë, Fran Frrokaj, ishte kryetar komune për 3 mandate nuk ka ujë të pijshëm dhe kanalizime. “Dua ti jap nja dy përgjigje të lehta Aldos, se të rëndat nuk i mban dot. E para njëherë Shënkollin e ka lënë pa ujë të pijshëm dhe pa kanalizime dhe 90% e rrugëve janë me çakull dhe ai kandidati që keni ju. E di mirë gjithë PD-ja në Lezhë se si janë bërë pazaret për kandidatin për kryetar bashkie. Nëse doni transparencë dilni dhe bëni debate. Nëse ke akuza shko në prokurori”. Më herët deputeti demokrat Flamur Noka nga foltorja e kuvendit akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë LSI-në dhe kryetarin e saj Meta se ka futur analfabetë të japin mësim në shkolla dhe këtë gjë, sipas tij, e ka bërë qëllimisht. “LSI po plotëson formular që çdo punonjës administrate duhet të fusë në formularë 25 veta që të mund të hajë bukë. Hasani i këtyre u jep njerëzve karta dhe ju fusin 150 mijë lekë në këto banka dhe u thotë jeni të punësuar, lekë që do tua japë në datë 15 të këtij muaji. Unë jam deputet i kuksianeve të majtë dhe të djathtë vetëm të LSI-së jo. Sepse këto njohin pazarin ndërsa unë vetëm qytetarin”, – tha Noka. Ndërkaq, kreu i LSI-së pohoi se akuzat e deputetit duhen denoncuar me shkrim, duke shtuar se pavarësisht rezultatit ai do t’i shkojë deri në fund angazhimit për të ndërtuar aeroportin e Kukësit. “E falënderoj Nokën se e meritonte që të mbanin qetësi, pasi po aktronte në mënyrë të mrekullueshme. Dua t’i premtoj se pavarësisht se si del rezultati në Kukës, kjo është një e drejtë e të gjithë qytetarëve të Kukësit që të shprehin dëshirën e tyre. Unë do t’i shkoj deri në fund angazhimit, siç u nisa atëherë për të ndërtuar aeroportin e Kukësit. Së treti t’i lëmë aktrimet këtu. Mos i bëni thirrje Prokurorisë këtu që të hetojë për manipulimet dhe për blerje. Denoncojini me shkrim në Prokurori, siç kam bërë unë”, – deklaroi Kryeparlamentari.

 

 

Replikat e plota, çfarë u tha jashtë mikrofonit në Parlament

Islami, Ramës: Rrugaç, kur të nxora jashtë, u ankove te Nano. Kryeministri: Sa të jesh ti në PD…

Astrit Patozi: Kur shtypi blihet dhe kërcënohet nga qeveria, është shumë e thjeshtë që edhe votat të blihen.

Edi Paloka: Ju me moton qelbësira të të gjitha llojeve bashkohuni kundër Sali Berishës… Rama si karagjoz bëhet kur bërtet se qytetarët janë budallenj. Merret edhe me gratë demokrate, por i them që gruan e vet ta çojë ku të dojë, por mos merret me gratë demokrate se do ketë probleme.

Taulant Balla: Nuk janë qelbësira ata që u bashkuan për të rrëzuar Berishën, po 1 milion shqiptarë, njerëz të ndershëm. Çfarë ka bërë një punë të vetme Basha në Tiranë? Apo e ka bërë një, i ka dhënë shtesë kati shtëpisë së vet në 4 vjet. Argita do bëhet kryetare e partisë se këtë do ta nisë në Holandë Berisha…

Flamur Noka nga vendi: Jeni mafie, mafie…

Edi Paloka: Mashtrim kur thoni se Basha i paska dhënë leje vetes. Pse nuk shqetësoheni për vilën gjigante të Edvin Ramës apo ajo e Veliajt që janë bërë duke shitur fiq dhe e shitur libra.

Sali Berisha, Ervin Bushatit: Gojët e liga thonë se në atë çmim qëndron mandati yt, thotë se ka një “deal” se pse e bëjnë këtë nuk e di, por di që Edi Rama ka deklaruar se truallin e vilës së tij e ka blerë me 2 $.

Berisha i drejtohet Topallit: Ma jep pak atë dosjen me ndërtimet…

Saimir Tahiri nga vendi: S’është ajo dosja jo, e ke ngatërruar (qesh).

Sali Berisha: Jeni 3.5 milionë lekë më pak se në vitin 2013. Rama do firmosë me Vuçiç për fillimin e punës në autostradën Nish-Durrës. Qeveria shqiptare duhet të angazhohet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Prishtinë…

Edi Rama: 23 qershori ju shokoi, po 21 qershori uroj që t’ju sjellë në vete, se jeni komplet jashtë vetes…

Sali Berisha: Rama dëshmoi se është UFO. Ministri juaj i Financave i dërgon Fondit Abu Dabi i kërkon 8.8 milionë dollarë për të rifreskuar Ministrinë e Jashtme me aq ndërtohet nga e para dy herë… Kullën e turpit në Korçë bëre. I ngule një kullë falike, arkitekturë falike e mirëfilltë.

Edi Rama nga vendi: Të ngjan ty ajo…

Sali Berisha: Me urdhër të Edi Ramës janë hartuar tezat e maturantëve… janë pyetur për t’u përgjigjur se cila ishte lidhja e Joze Arcadio Buendia me Mel Kadesin, pyetje me hile të plotë..

Edi Rama qesh me të madhe nga mbrapa, pas tij edhe ministrat dhe deputetët në sallë

Sali Berisha: Një roman i jashtëzakonshëm nga më të mirët, por me qindra personazhe, dhe tani duhet të mbanin mend ata se cila ishte lidhja e themeluesit e Joze Arcadios Buendias me Mel Kadesin…

Edi Rama: Rrofsh për zotin… (i drejtohet Berishës pasi qeshi)… Sa i përket Abud Dabit ju them se ministri i Jashtëm pasi vizitoi Ministrinë e Jashtme këtu dhe pastaj erdhi në Kryeministri tha sa ndryshe qenkan dhe më pyeti se pse nuk e ndryshojmë. Unë i thashë: jep lekët ti dhe e ndryshojmë pamjen… Ju jeni mësuar me faunë…

Sali Berisha nga vendi: Po, edhe me breshka…

Edi Rama: Latë ndërtesa mes lagështirës dhe minjve. Mrekullia e 8-të e botës s’ishin ndërtimet tuaja pa leje. Unë s’e kuptoj çfarë problemi keni ju nëse ne rregullojmë institucionet e qendrat e qyteteve.

Flamur Noka nga vendi: Njerëzit nuk kanë bukë të hanë, ky është problemi…

Edi Rama: Flamur mos u nervozo, s’e kam me ty. Kukësi aty është, Hasani aty është, mos e tensiono bisedën.

Kastriot Islami nga vendi: Ik ore rrugaç, ti je rrugaç, të kam nxjerrë nga zyra se ishe i palarë dhe vajte u ankove te Nano.

Edi Rama: Po e lë tani se u mërzit ai, sa të ketë ty PD-ja…

Kastriot Islami: Je rrugaç…

Sali Berisha: Kur ia ngrohin xhepin qeverisë i duket superestetik këtij…

Klodiana Spahiu nga vendi: Më datë 21 qershor do e shohësh.

Sali Berisha: Doktoreshë po janë ndërtime pa leje ato… Kultura e Ramës janë vetëm bojërat. Ajri në periudhën e tij në Tiranë ishte më keq se në Kabul.

Share it :