Frrokaj në Lezhë/ Basha: Mos u gënjeni dhe mashtroni, refuzoni qeverisjen që vjen nga Gjiri i Lalzit

Gëzim Saliu

basha lezhe“21 qershori është dita për t’i thënë jo politikës së taksave të larta, çmimeve të larta, papunësisë, arbitraritetit, arrogancës”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi dje kandidatin për kryetar të Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, ku theksoi se qytetarët kanë një padurim të madh për të votuar në 21 qershor, pasi duan t’i japin, sipas tij, një mësim të merituar keqqeverisjes së dyshes Rama-Meta. “Koha po vjen, ora po vjen. Është ora, vota juaj, është vendimi juaj, është gjykimi juaj të cilit ata i tremben për paudhësitë e zullumet që kanë shkaktuar në këto dy vite. Mos u gënjeni, mos u mashtroni, mos qëndroni pasivë, të marrim këdo që do të bashkohet në këtë kauzë të madhe popullore për punë dhe dinjitet e së bashku t’i japim ndëshkimin e merituar keqqeverisjes Rama-Meta, së bashku të hapim një kapitull të ri, një epokë të re për qytetarët e Lezhës, për banorët e Lezhës, për të gjithë Shqipërinë, të qeverisjes me ju dhe për ju”, – tha Basha.

 

Takimi

Në takimin prezantues së kandidatit të opozitës në bashkinë Lezhë, Basha pohoi se paratë qe sot janë përqendruar në duart e oligarkëve duhet të kthehen në projekte zhvillimi për qytetarët, për bujqësinë, blegtorinë, turizmin, peshkimin dhe për të gjithë asetet që i takojnë shqiptarëve. “Në këtë përbashkim të madh e të paduruar sot, le të ftojmë këdo, çdo lezhjane e lezhjan, pavarësisht ngjyrave politike që e do kryeqendrën e bashkisë së ardhshme për Lezhën e për lezhjanët, që e do qeverisjen e Lezhës nga Lezha, çdokush që e di se hallet mund e duhet t’i zgjidhë me atë që përfaqëson Lezhën e lezhjanët, këtu në Lezhë, pavarësisht prej bindjeve politike, çdokush që refuzon regjimin, nënshtrimin dhe qeverisjen nga Gjiri i Lalzit, le të bashkohet me ne, me votën e 21 qershorit, me Fran Frrokaj, me PD, me opozitën!”, – deklaroi Basha. Sipas kreut të PD-së në 20 muaj qeverisje janë rritur taksat, çmimi i energjisë, çmimi i karburantit janë hequr me mijëra njerëz nga puna pa të drejtë ndërsa dhjetëra, mijëra të tjerë i kanë hedhur theksoi Basha, në mes të rrugëve duke u mbyllur bizneset. “Sot, 95% e familjeve shqiptare duhet të marrin borxh që të mbyllin muajin. Dramatike, tragjike, e papranueshme është fatura e qeverisjes së tyre këtu në Lezhë, si kudo në Shqipëri, ku familjarët, kryefamiljarët jo vetëm numërojnë qindarkat për të vënë bukën e fëmijëve në tavolinën e përnatshme por janë shtyrë edhe drejt akteve të vetëflijimit. I morën jetën Mark Brahimajt, sepse e larguan me të padrejtë nga puna dhe nuk i dhanë një ditë përgjigje se përse e bënë. I morën jetën Gjovalin Lazrit sepse i çuan një faturë të papërballueshme të energjisë elektrike, babait të jetimëve të pamundur ndërkohë që deputetët e tyre, ministrat e klientela e tyre akumulojnë borxhe të jashtëzakonshme në kurriz të taksapaguesve”, – pohoi ai. Për kreun e demokratëve, mazhoranca qeverisëse po shkakton drama të mëdha me papërgjegjësinë dhe korrupsionin e tyre. Sipas Bashës, të vetmit që kanë përfituar nga qeverisja e majtë janë kriminelët që janë promovuar në nivelet më të larta të administratës së bashku me personat pa arsim apo me diploma false që sot janë drejtorë. “21 qershori do të jetë dita juaj, dita jonë për të flakur tutje këtë poshtërim, do të jetë dita jonë, do të jetë dita juaj për t’i thënë jo kthimit prapa, për t’i thënë jo politikës së taksave të larta, çmimeve të larta, papunësisë, arbitraritetit, arrogancës”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

 

PD shpall Bibën në Kurbin dhe Deckën në Dropull

Partia Demokratike ka zyrtarizuar ditën e djeshme edhe dy kandidatë për kryetar në Bashkinë e Dropullit dhe Kurbinit. PD do të kandidojë me Altin Bibën për Bashkinë e Kurbinit përballë Artur Bardhit nga Partia Socialiste dhe Arqile Deckën për Bashkinë e Dropullit. Afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve i njoftuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është data e sotme në orën 18:00.

 

Takim me tregtarët/ Kosova: Nxitje për shtimin e vendeve të punës

Kandidati për kryebashkiak i opozitës në Tiranë, Halim Kosova, u takua dje me tregtarët e Tregut Çam ku tha se është e rëndësishme krijimi i mundësive më të shumta për këtë shtresë biznesi. Sipas Kosovës, sa më shumë para t’u mbeten tregtarëve të vegjël, aq më shumë mundësi do të kenë ata të zgjerohen e të krijojnë vende pune. “Sa më shumë lekë të kesh në xhep aq më shumë do mendosh të përmirësosh gjërat, për të marrë ndonjë njeri në punë. Gjithë çelësi aty është”, – tha Kosova. “Vazhdon prapë historia e mbifaturimit të korentit mbi biznesin. Po e mori Erion Veliaj do t’i rrisë çmimet e taksat, si Edi Rama. Tani shpresojmë të jesh ti në krye”, – u shpreh një tregtar. “Taksa është aq shifër e madhe sa prodhuesit nuk arrijnë dot ta paguajnë taksën se është shumë e lartë”, – tha një fermer. Nga ana e tij Kosova theksoi se ai do të angazhohet që mundësitë e fermerëve të shtohen, ç’ka do të ndihmojë në rritjen e tyre nga ku do të përfitojnë gjithë qytetarët. “Ky prodhim i shkëlqyer që ti dhe shumë të tjerë përreth bëni, si t’ju shkoj në treg me qëllim që të justifikojë djersën tënde por edhe mos rëndojë qytetarët. Të justifikohet djersa juaj familjarisht. Qëllimi im nuk është që ty të të justifikohet, që ti të rish gjithë ditën në diell për të larë ato që ti ke investuar. Problemi është që ty të të ngelen sa më shumë lekë sepse sa më shumë lekë do të thotë më shumë mekanizim, më shumë zgjerim, më shumë mundësi për qytetin”, – pohoi Kosova.

 

Tërheqja e Arapit/ PS ia merr sërish Konispolin PDIU-së, kandidon Beqirin

Pas tërheqjes nga gara për Bashkinë e Konispolit nga ana e kandidates Mimoza Arapi të propozuar nga PDIU duket se kandidati i aleancës së majtë në këtë njësi do të jetë Shuaip Beqiri. Ky i fundit ka qenë kandidat për deputet në listat e PS-së por arriti të fitojë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 për këtë zonë. Por duket se Rama pas tërheqjes së kandidates së PDIU-së ka vendosur t’ia besojë atij garën përballë kandidatit të djathtë Ismail Myrtaj. Kandidatja Mimoza Arapi u tërhoq dy ditë më parë nga gara dhe shkak i largimit sipas saj u bë një kauzë më madhore. “Ky largim nuk vjen prej shpifjeve dhe thashethemeve, me të cilat kam qenë e gatshme të përballem në çdo rast, por në shërbim të një kauze më madhe se sa çdo individ. Unë do jem haptazi dhe tërësisht në krah të kandidatit të ASHE-së për kryetar të Bashkisë Konispol dhe ju njoftoj se do ta vazhdoj angazhimin tim në një detyrë të lartë shtetërore”, – tha Arapi.

 

Zëvendësuesi i Veliajt/ Në garë Klosi, Xhaçka dhe zv.ministri Mazniku

Pas dorëheqjes së Erion Veliajt nga posti i ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të kandiduar në krye të Bashkisë Tiranë, Kryeministri Rama ende nuk ka vendosur përfundimisht për zëvendësuesin e tij. Deputetët Blendi Klosi dhe Olta Xhaçka janë dy ndër kandidaturat kryesore të cilat përfliten më së shumit tek socialistët për të qenë pasardhës së Veliaj në kabinetin e Mirëqenies Sociale. Klosi ishte ndër kandidatët e përfshirë në garën për Tiranën, por në përfundim Rama zgjodhi Veliajn për kryeqytetin. Nisur nga kjo shanset e përfshirjes së Klosit në kabinetin qeveritar, si një ish-ministër në kohën e ekzekutivit “Nano” nuk do të ishte surprizuese. Ndërkohë deputetja Olta Xhaçka është një tjetër kandidaturë e mundshme për të marrë postin e ministres. Ditët e fundit deputetja socialiste ka dalë në deklarata të shpeshta publike nga selia e PS për të vënë në dukje arritjet e Veliaj si dhe për t’i bërë oponencë akuzave të të djathtëve mbi punën që është bërë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Por për vendin e lënë vakant nga Veliaj është dhe emri i zv.ministrit të arsimit Arbi Mazniku, ku si ky i fundit ashtu edhe Xhaçka vijnë nga lëvizja MJAFT në kohën kur drejtohej nga Erion Veliaj.

 

Share it :