Hannah Arendt
“Çdo njeri që nuk mund ta përballojë dot jetën, ndërkohë që është gjallë, ka nevojë që me njërën dorë ta largojë pak dëshpërimin për fatin e tij… por me dorën tjetër ai mund të mbajë shënim ato që sheh gjatë agonisë, sepse sheh më shumë se të tjerët dhe i sheh ato ndryshe; tek e fundit, ai është një i vdekur i gjallë dhe një që ka mbijetuar realisht”
Franz Kafka, DITARET, shënim i 19 tetorit, 1921
“Si një që vazhdon të qëndrojë mbi anijen e shpartalluar, duke u kacavjerrë në majën e një direku që tashmë po fundoset. Por që andej ai ka mundësi të japë një shenjë që i sjell shpëtimin”
Walter Benjamin’i në një letër drejtuar Gerhard Seholem’it më 17 prill 1931
Zakonisht një epokë damkos me vulën e saj, në mënyrën më të dukshme, ata që janë ndikuar më pak nga ajo, ata që kanë qëndruar më larg nga ajo dhe, si rrjedhim, ata që kanë vuajtur më shumë. Kështu ndodhi me Proust-in, më Kafkën, me Karl Kraus-in; kështu ndodhi dhe me Benjamin’in. Gjestet dhe mënyra se si e mbante kokën kur dëgjonte dhe fliste; mënyra e të ecurit; zakonet, por sidomos stili në të folur, deri te zgjedhja e fjalëve dhe modeli i sintaksës; së fundi, shijet krejt individuale, – e tërë kjo dukej aq demode, sa të krijohej përshtypja se ai kishte dalë nga shekulli i nëntëmbëdhjetë në të njëzetin, njëlloj siç të nxjerr vala në bregun e një vendi të panjohur. A e ndjeu ai veten ndonjëherë në Gjermaninë e shekullit të njëzetë si në shtëpi të tij? Këtu ka vend për të dyshuar. Kur vizitoi Francën për herë të parë, më 1913, si djalë i ri, pas disa ditësh rrugët e Parisit u bënë për të “pothuajse më familjare” (Briefe I, 56) sesa rrugët e njohura të Berlinit. Se sa i ngjante udhëtimi nga Berlini në Paris një udhëtimi në kohë, – jo vetëm nga një vend në tjetrin, por nga shekulli i njëzetë në të nëntëmbëdhjetin, – ai mund ta ketë ndjerë edhe atëherë, por me siguri këtë e ndjeu njëzet vjet më vonë. Ky ishte nation par exellence, kultura e të cilit kishte sunduar Evropën e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe për të cilin Haussman-i kishte rindërtuar Parisin, “kryeqytetin e shekullit të nëntëmbëdhjetë”, siç do ta quante Benjamin-i atë. Duhet thënë se ky Paris nuk ishte bërë ende një qytet kozmopolit, por ai ishte thellësisht evropian dhe kishte shërbyer kësisoj që nga mesi i shekullit të kaluar me një natyrshmëri të pakrahasueshme si një shtëpi e dytë për të gjithë të pastrehët. Këtë nuk ka mundur ta ndryshojë as ksenofobia e theksuar e banorëve të tij, as keqtrajtimi i sofistikuar i policisë lokale. Benjamin-i e dinte shumë kohë përpara emigrimit të tij, se sa “i pazakonshëm (ishte) ai lloj kontakti me një francez që të lejonte ta zgjasje bisedën me të m tepër se një çerek ore” (Brief-e I, 445). Me vonë, kur banonte në Paris si refugjat, fisnikëria e tij e lindur nuk e la t’i zgjeronte njohjet e thjeshta,- kryesorja ndër to ishte ajo me Gide-in, – në lidhje të ngushta dhe të krijonte kontakte të reja. (Werner Kraft-i, – kështu mësuam kohët e fundit, -e njohu atë me Charles du Bos-in, i cili në sajë të “entuziazmit për letërsinë gjermane” ishte bërë një lloj figure kyç për refugjatët gjermanë. Werner Kraft-i kishte lidhje më të mira – çfarë ironie!”) Në analizën jashtëzakonisht logjike të veprave dhe letrave të Benjamin-it, si dhe të kritikës së tij, Pierre Missae-u vë në dukje se sa shumë duhet të ketë vuajtur Benjamin-i ngaqë nuk gjeti në Francë atë “pritje” që meritonte.” Kjo, sigurisht, është e drejtë, por nuk ishte aspak për t’u habitur.
Sado acaruese dhe fyese të ishte e gjithë kjo, qyteti në vetvete kompensonte gjithçka. Bulevardet e tij, – Benjamin-i e vuri re qysh më 1913, – rrethoheshin nga godina që “duken sikur nuk janë bërë për t’u banuar, por si blloqe të gurta për të shëtitur mes tyre” (Briefe I, 56). Ky qytet, i cili mund përshkohet ende në formën e një rrethi përtej portave të vjetra, ka mbetur ashtu siç ishin njëherë e një kohë qytetet mesjetare, i rrethuar me mure të trasha dhe i fortifikuar kundër sulmeve nga jashtë; me pjesën e brendshme, por pa ngushtësinë e rrugëve mesjetare, me interier-in e hapur, të konceptuar dhe të ndërtuar bujarisht dhe harkun e qiellit përsipër si kube madhështore. “Gjëja më e përkryer këtu në lidhje me botën e artit dhe veprimtarisë është fakti se ato u japin relikteve të hershme dhe autentike prarimin e tyre” (Briefe I, 421). Me ndihmën e tyre ato fitojnë me të vërtetë një shkëlqim të ri. Fasadat e njëtrajtshme, që i përshkojnë rrugët si mure të brendshme, të bëjnë të ndihesh më i mbrojtur fizikisht në këtë qytet sesa në ndonjë tjetër. Harkatat që lidhin bulevardet e mëdha dhe që shërbejnë si mburojë nga moti i stuhishëm e mahnitën kaq shumë Benjamin-in sa projektin e veprës madhore mbi shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe kryeqytetin e tij ai e quajti thjesht “Arkadat” (Passagenarbeit); dhe këto tunele me harqe janë vërtet si një simbol i Parisit, sepse ato janë pa dyshim edhe mjedise të brendshme, edhe mjedise të jashtme dhe paraqesin kështu në formë karakteristike natyrën e tyre të vërtetë. I huaji në Paris e ndjen veten si në shtëpi, sepse mund të banojë në qytet ashtu siç jeton mes katër mureve tij veta. Dhe po ashtu siç banon në një apartament dhe e bën atë të rehatshëm, duke jetuar dhe jo duke e përdorur thjesht për të fjetur, për të ngrënë apo për të punuar, ashtu banon edhe në një qytet duke u endur poshtë e lart, pa ndonjë shkak a qëllim dhe, duke u ndalur në kafenetë e panumërta buzë rrugëve, përbri të cilave rrjedh jeta e qytetit dhe rrëkeja e këmbësorëve. Sot e kësaj dite Parisi është i vetmi ndër qytetet e mëdha që mund të përshkohet me kënaqësi në këmbë dhe gjallëria e tij, më shumë se në çdo qytet tjetër, varet nga kalimtarët, kështu që trafiku modern i automjeteve ia kërcënon ekzistencën jo vetëm për arsye teknike. Humbëtira e një periferie amerikane ose zonat e banimit të shumë qyteteve, ku e gjithë jeta e rrugës përqendrohet në kalimin e automjeteve dhe ku mund të ecësh me milje të tëra në trotuaret anësore, që tani janë katandisur në monopate, pa ndeshur një qenie njerëzore, është krejt e kundërta e Parisit. Atë çka të gjitha qytetet e tjera ia lejojnë me sa duket llumit të shoqërisë vetëm prisha qejfas – endjen poshtë e lart, të ndenjurit kot, flanerie-në – rrugët e Parisit ia nxisin, në fakt, gjithkujt për ta bërë. Kështu, që nga koha e Perandorisë së Dytë, qyteti ka qenë një parajsë për të gjithë ata që nuk kanë pse të rendin pas ndonjë favori, të ndjekin ndonjë karrierë apo të realizojnë ndonjë synim – veç kësaj, një parajse për bohemet dhe, jo vetëm për artistët e shkrimtarët, po për të gjithë ata që janë grumbulluar rreth tyre, ngaqë nuk mund të integroheshin, as politikisht, – duke qenë të pastrehë ose pa shtetësi, – dhe as nga pikëpamja shoqërore.
Duke e lënë mënjanë sfondin e qytetit, që u shndërrua në një përvojë vendimtare për Benjamin-in e ri, është vështirë të kuptosh pse flaneur-i u bë figura kyç e shkrimeve të tij. Shkalla me të cilën e përcaktoi kjo endje hapin e mendimit të tij duket më qartë ndoshta në mënyrën se si ecte, të cilën Max Ryehner-i e përshkruante si “njëkohësisht përpara dhe në vendnumëro, një përzierje e çuditshme mes të dyjave”. Kjo ishte e ecura e flaneur-it, një e ecur kaq e veçantë sepse, ashtu si kokoroshi dhe snobi, edhe flaneur-i e kishte atdheun në shekullin e nëntëmbëdhjetë, një epokë sigurie, në të cilën fëmijët e klasave të mesme dhe të larta përfitonin një të ardhur të garantuar, pa pasur nevojë të punonin, kështu që nuk kishin pse të rendnin. Dhe, ashtu siç i mësoi qyteti Benjamin-it flanerie-në, stilin e fshehtë të shekullit të nëntëmbëdhjetë në të ecur dhe të menduar, ashtu i ngjalli vetvetiu edhe ndjenjën për letërsinë franceze. Dhe kjo ia zvordhi pothuaj përfundimisht jetën normale intelektuale gjermane.
“Për sa u takon përpjekjeve dhe interesave të mia në radhët e brezit tim, në Gjermani unë e ndiej veten krejt të mënjanuar, kurse në Francë ka disa forca – shkrimtarët Giraudoux dhe sidomos Aragon-i; lëvizja surrealiste – tek të cilat unë shoh ndikimin e tyre në atë që më okupon edhe mua” – kështu i shkruante ai Hofmannsthal-it më 1927 (Briefe I, 446), në kohën kur, pasi u kthye nga Moska dhe u bind se projektet letrare nën flamurin komunist ishin të parealizueshme, iu përvesh punës për të konsoliduar “pozicionin e tij në Paris” (Briefe I, 444-45). Tetë vjet më pare ai kishte folur për një “ndjenjë afrie të pabesueshme” që i kishte ngjallur Peguy: “Asnjë vepër e shkruar nuk më ka prekur kaq thelle dhe nuk më ka bërë te provoj një ndjenjë të tillë bashkësie” (Briefe I, 217.) Mirë, po ai nuk arriti te konsolidonte një pozicion dhe zor se mund të arrijë një sukses të tillë. Të huajt – dhe, siç shihet, kështu quhen edhe sot në Paris ata që nuk kanë lindur në Francë – kanë arritur të sigurojnë “pozicione” vetëm në Parisin e pasluftës. Nga ana tjetër Benjamin-i ishte i detyruar të qëndronte në një pozicion që praktikisht nuk figuronte asgjëkundi, që nuk mund të identifikohej apo të përcaktohej me të vërtetë si i tillë deri në një kohë të mëvonshme. Ky ishte pozicioni i “majës së direkut”, nga i cili kohët e stuhishme mund të vëzhgoheshin më mirë sesa nga një liman i qetë, ndonëse sinjalet e rrezikut të “anijes se thyer”, të këtij vetmitari që nuk kishte mësuar të notonte as kundër, as pro rrymës, ishin të vështira për t’u kapur, – si nga ata që nuk e kishin marrë kurrë në sy rrezikun e këtyre detrave, ashtu dhe nga ata që ishin të zotët të manovronin, qoftë edhe me këtë element të natyrës.
E parë nga një këndvështrim tjetër, ky ishte pozicioni i një shkrimtari free-lance që jeton me penën e tij; megjithatë, ashtu sikurse vetëm Max Ryehner’i duket se e ka venë re, ai e bënte këtë në një “mënyrë të veçantë” pasi “punët e tij vetëm në ndonjë rast të rrallë botoheshin” dhe “asnjëherë nuk ishte krejt e qartë… deri në ç’masë ishte i zoti ai të përfitonte nga burime të tjera”. Dyshimet e Ryehner-it u vërtetuan plotësisht. Jo vetëm që ai shfrytëzonte përpara emigrimit “burime të tjera”, por tej fasadës së shkrimtarit free-lance, ai bënte edhe një jetë tjetër, shumë më të lirë, ndonëse vazhdimisht në rrezik, atë të homme de lettres, shtëpia e të cilit ishte një bibliotekë e ngritur me një përkushtim të jashtëzakonshëm, por kurrsesi që t’i shërbente si mjet pune; ajo përmbante visare, vlera e të cilave, siç e përsëriste shpesh Benjamin-i, provohej nga fakti që ai nuk i kishte lexuar – pra, një bibliotekë që pa diskutim nuk i hynte ne punë dhe nuk i shërbente asnjë profesioni. Një ekzistencë e tillë në Gjermani ishte diçka e panjohur, por po kaq e panjohur ishte edhe puna që duhej te bënte Benjamin-i vetëm e vetëm për të nxjerrë jetesën; jo ajo e një historiani dhe studiuesi të letërsisë, me numrin e duhur të vëllimeve të trasha të firmosura prej tij, por ajo e një kritiku dhe eseisti, që edhe formën e esesë do ta gjykonte si tejet të shkapërderdhur dhe që do te parapëlqente aforizmin po të mos paguhej me rreshta. Sigurisht, ai nuk ishte i pavetëdijshëm për faktin se ambiciet e tij profesionale synonin diçka që në Gjermani thjesht nuk ekzistonte, ku pavarësisht nga Liehtenberg-u, Lessing-u, Sehlegel-i, Heine-ja dhe Nietzehe-ja, aforizmat nuk ishin vlerësuar kurrë dhe njerëzit zakonisht e përfytyronin kritikën si diçka të pandershme dhe subversive, e cila mund të shijohej – nëse shijohej vërtet – vetëm në faqet kulturore të ndonjë gazete. Nuk ishte rastësi që Benjamin-i zgjodhi frëngjishten për të shprehur këtë ambicie: “Le bitt que je m’avaispropose… e’est d’etre eonsidere eomme le premier eritique de la litterature allemande…




