Në fotoalbumin e zakonshëm tashmë që publikon Kryeministri në rrjetin social FB për ngjarje të rëndësishme, siç ishte edhe ajo e djeshmja për marrëveshjen me UNDP-në për bashkitë e vendit, u vunë re disa detaje interesante. Në disa foto, Kryeministri ndoshta edhe në formë ironike si edhe për të provokuar disi, kishte zgjedhur të pasqyronte disa nga kryebashkiakët e djathtë që janë kundërshtuar më shumë prej tij dhe aleatit LSI-së. Kështu, në tri foto shfaqet kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, për të cilin vetë kreu i qeverisë ka thënë në fushatën zgjedhor: “Këtu PD ka një kandidat që ende nuk dihet ku do jetë pas 21 qershorit, në shtëpi apo në burg. S’keni pse e votoni”. Ndërkohë që një tjetër personazh provokativ i përzgjedhur nga Kryeministri në fotoalbumin e tij ishte edhe kryebashkiaku i Vorës, Fiqiri Ismaili. Kjo foto më shumë prek aleatët e LSI-së, të cilët ishin në një “luftë” deri në fund me PD-në për këtë Bashki, e cila u kthye edhe në krye betejën e zgjedhjeve vendore, për shkak të konflikteve dhe debateve të shumta për të.





