Nebil Çika
Fenomeni më i ri i zgjedhjeve pluraliste shqiptare, por besoj edhe atyre botërore është “fitorja në tavolinë që shumica në KQZ po mundohet të imponojë në disa bashki ku më flagrant duket qëndrimi për Bashkinë e Kurbinit. Zgjedhjet e lira këtu dhe në të gjithë botën demokratike janë konkretizimi i të drejtës universale të njeriut për të zgjedhuar e t’u zgjedhuar, e drejtë e parim që në këto zgjedhje po shkelet me të dyja këmbët nga njerëz e institucione që në fakt paguhen për t’i garantuar ato. Në emër të një ligji apo Kodi Zgjedhor që është hartuar votuar e dekretuar për të mbrojtur e garantuar këtë të drejtë universale të njeriut, zgjedhës dhe kandidatë për t’u zgjedhur po pengohen me dhunën e votës dhe metoda antidemokratike që pengojnë vullnetin e tyre për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. E gjithë beteja politike në “mbrojtje të ligjit” kundër vullnetit të zgjedhëseve dhe të zgjedhurve zhvillohet ditën për diell në prani të kamerave e medieve si dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe të gjithë heshtin. Si mund ta detyrosh një qytetar të vazhdojë garën zgjedhore kur nuk e dëshiron një gjë të tillë, ndërkohë që pengon tjetrin, i cili brenda të drejtës së tij të njeriut e kërkon këtë. Faktikisht në një nga bashkitë e vendit gara zgjedhore po zhvillohet vetëm me një kandidat, duke na kthyer praktikisht në një nga periudhat më të zeza të historisë sonë kombëtare, diktaturës komuniste, ku votohej vetëm me një të tillë. Edhe sikur KQZ të vendosë më në fund të regjistrojë kandidatin e opozitës se për Kurbinin në parim mundësitë e tij për të fituar ndaj rivalit të qeverisë janë të kufizuar e të dëmtuara seriozisht pasi ky i fundit ka disa javë që bën fushatë elektorale, gjë që shkon kundër një ligji tjetër universal, atij të shkeljes së barazisë së shtetasve. Unë nuk besoj se ka ligj që mund të justifikojë kthimin në një situatë të tillë të zgjedhjeve në Shqipëri. Çfarë zbatim ligji është ai që në vend të garantojë lirinë e zgjedhjeve, godet pikërisht këtë element thelbësor të zgjedhjeve të lira e të drejta që pretendon se bën Shqipëria.
Por jo vetëm kaq! Në fakt, shumica në pushtet po përpiqet të fitojë “në tavolinë” zgjedhjet në të gjithë vendin duke përdorur hapur metoda nga më antidemokratiket e antiligjoret. Kryeministri Rama po përdor kontrollin në fondet publike dhe asetet e tjera shtetërore për të kërcënuar zgjedhësit në mbarë vendin se po votuan kundërshtarët e tij politikë do t’i lërë pa bukë, ujë, drita, punë, të ardhme e të tjera. Dje kandidatja e opozitës në Shkodër i tha ambasadorit amerikan Lu se qeveria po përdor sistemin e sigurisë TIMS për të manipuluar zgjedhjet. Sistemi TIMS është një shërbim ku ruhen të dhënat personale të qytetarëve të klasifikuara “top sekret” dhe shumë pak njerëz në këtë vend kanë të drejtën e hyrjes në të. Përdorimi i të dhënave për arsye të tjera jashtë atyre të sigurisë, veçanërisht në politikë përbën një krim të rëndë që dënohet penalisht. Nëse ajo që pretendon znj. Ademi është e vërtetë, atëherë kemi një rikthim tjetër mbrapa të zgjedhjeve në metodat e Sigurimit të Shtetit.
Siç duket, “fitorja në tavolinë” nuk është vetëm një qëllim shumicës së KQZ-së dhe jo vetëm për Kurbinin. Kjo “risi” e zgjedhjeve shqiptare duket se është një projekt politik i mazhorancës etja e së cilës për fitore është e dukshme dhe përtej kufijve politikë, moral e ligjor. Opozita nga ana e saj nuk duket shumë e gatshme për t’u përballur në kushte të tilla të lojës dhe me sa duket nuk ka një plan apo projekt për t’iu përgjigjur skenarit të qeverisë për fitore në tavolinë. Betejat e saj ligjore janë në KQZ nuk mund të konsiderohen të efektshme, ndërkohë që strukturat e saj politike e elektorale nuk kanë asnjë mundësi të përballen me strukturën e sofistikuar shtetërore që qeveria ka vënë në dispozicion të këtyre zgjedhjeve. E vetmja zgjidhje nëse gjërat vazhdojnë kështu deri në fund është tërheqja apo bojkoti. Një skenar si ai i PS-së në 1996, edhe pse jo demokratik, mund të ishte një zgjidhje. Nëse opozita mendon se mund të zgjidhë apo të bllokojë me mjete demokratike një situatë aspak të tillë që më as duket po ofrohet nga qeveria “fitorja në tavolinë” e zgjedhjeve është një mundësi që duhet konsideruar seriozisht.




