“Gjatë viteve 2014 dhe 2015 janë paguar rreth 4 500 dosje ose 7 134 persona, me vlerë 1.796.403.108 lekë (2014) dhe 1.250.211.100 lekë”
Ministria e Financave ka publikuar shifrat, sa lekë kanë marrë ish-të përndjekurit politik në këto vit. “Gjatë vitit 2014 Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe Ministrinë e Drejtësisë, pas disa ndryshimeve të rëndësishme ligjore, i ndau në dy kategori ish-të përndjekurit politikë. Kështu kategoria e parë u cilësua si kategoria parësore”, – thuhet në një njoftim të financave. Në këtë kategori u vlerësuan “gra, ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës”. Në vijim, në kategorinë e dytë me prioritet, u vlerësuan “persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë”, në kategorinë e tretë me prioritet, “persona ish të dënuar politik të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda”, në kategorinë e katërt me prioritet, “persona ish të dënuar, që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç”, në kategorinë e pestë me prioritet, “persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”, si dhe në kategorinë e gjashtë me prioritet, “persona ish të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç”. Ky ndryshim në ligj ndodhi për t’ i ardhur në ndihmë ish të dënuarve, të cilët jetojnë dhe që ata të marrin dëmshpërblimin e tyre në një kohë më të shkurtër.
Fondi
Gjatë viteve 2014 dhe 2015 janë paguar rreth 4 500 dosje ose 7 134 persona, me vlerë 1.796.403.108 lekë (2014) dhe 1.250.211.100 lekë (vetëm në 5 mujorin e parë të vitit 2015), ndërkohë që mbetet për t’u disbursuar shuma prej 749.788.900 lekë deri në fund të këtij viti. Gjithashtu, duhet theksuar fakti që shumica e tyre kanë përfituar edhe 3 këste brenda një periudhe kohore më pak se 1 vit. Duke krahasuar buxhetin për çdo vit, rezulton se gjatë qeverisjes së shkuar janë shpenzuar gjithsej 1.200.000.000 lekë, ndërsa vetëm në dy vitet e kësaj qeverisje llogaritet të shpenzohen 1.900 000.000 lekë mesatarisht për vit.
Nga këto, për të dyja vitet buxhetore, sipas kategorive të ligjit janë harxhuar:
– Kategori parësore kësti II 218 dosje me shumën 64.147.418 lekë.
– Kategori parësore kësti III 2 500 dosje me shumën 1.178.143.160 lekë.
– Kategoria parësore kësti IV 2 173 dosje me shumën 1.048.280.934 lekë.
– Kategoria parësore kësti V 615 dosje me shumën 332.346.205 lekë
– Kategoria jo parësore kësti I 2 576 përfitues me shumën 424.276.278 lekë.
Ministria e Financave do të vijojë të informojë në mënyrë ligjore, periodike dhe të hollësishme, të dhënat financiare që lidhen me këtë kategori dëmshpërblimesh, jo vetëm për të realizuar angazhimin e saj për transparencë të plotë ligjore, por sidomos për t’iu ardhur në ndihmë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë kategorisë së sipërpërmendur.
Tekstet/ “Do të zgjidhen vetëm 3 libra shkollor, nuk ka monopol”
Përzgjedhja e teksteve shkollore ka qenë një ndër debatet e nxehta në lidhje me arsimin, por që duket se tashmë ka gjetur zgjidhje. Agim Leka, Këshilltari i ministres Lindita Nikolla, shprehet se tashmë ka nisur procesi drejt përzgjedhjes së teksteve cilësore. “Ne kemi negociuar një proces shumë serioz, një garë të hapur për botimin e teksteve të reja shkollore dhe ky hap i ri qe po bëhet shënon fillimin e reformës në fushën e teksteve”, – thotë Leka. Lidhur me propozimin e tekstit unik dhe alterteksteve, Leka thotë se tashmë me përzgjedhjen e vetëm tre teksteve hyjmë në një fazë të re të arsimit parauniversitar. “Përzgjedhja e librave dhe administrimi i procesit të shpërndarjes përfundimisht është ndërtuar sipas standardeve të një shteti serioz siç e kemi ndërtuar ne politikën edhe në fushën e arsimit. Prodhimi i teksteve cilësor dhe kjo duhet të jetë e qartë nga njerëzit, prodhimi i teksteve cilësore nuk është një gjë që bëhet shumë thjesht sepse bëhet fjale për të prodhuar tekste cilësore të standardeve evropiane 171 tekste,” – thotë ai. Agim Leka po ashtu thotë se përzgjedhja e tre teksteve nuk lejon hapësira për monopoli pasi përzgjedhjen përfundimtare sërish do ta bëjnë mësuesit. “Mësuesit përsëri duhet të zgjedhin tekstin më të mirë midis këtyre tre teksteve. Modeli i përzgjedhjes tashmë është një model i gjithëpranuar sepse ne vjet e bëmë këtë model dhe botuesit, mësuesit dhe nxënësit nuk patën kondestime domethënë as grupet e interesit dhe vet botuesit e pranuan që modeli i zgjedhjes së vjetme të teksteve nga mësuesit ka qenë një model korrekt”, – shprehet Leka. Faza e aplikimit për teste nga shtëpitë botuese pritet të mbyllet në 18 qershor ndërsa Leka thotë se me një marrëveshje kjo edhe mund të shtyhet për pak ditë nëse do ta kërkojnë botuesit.




