Ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve tashmë do të duhet të kalojnë në një fazë tjetër para aplikimit për tarifat e reja te Enti Rregullator të Ujit. Një udhëzim i Entit Rregullator të Ujit parashikon zhvillimin e seancave dëgjimore para aplikimit për tarifa të reja. Referuar udhëzimit, çdo operator duhet të zhvillojë seancë dëgjimore me publikun me qëllim informimin dhe diskutimin me konsumatorët lidhur me ndryshimin e tarifave, arsyet e këtyre ndryshimeve, planet për të ardhmen, si dhe marrjen e komenteve nga palët e interesuara lidhur me këtë propozim.
Seanca duhet të zhvillohet të paktën 30 ditë kalendarike përpara dorëzimit të aplikimit për ndryshim të tarifave pranë Entit Rregullator të Ujit. Personi drejtues, brenda 5 ditëve pune nga përfundimi i seancës dëgjimore përgatit, një raport me shkrim lidhur me komentet e marra gjatë seancës, konkluzionet e seancës, rekomandimet e mundshme, etj dhe ia paraqet administratorit të operatorit. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Entit Rregullator të Ujit së bashku me gjithë dokumentacionin për aplikim për ndryshimin e tarifave. Ky udhëzim vjen në një kohë kur për sektorin e furnizimit me ujë është paralajmëruar një aksion i ngjashëm me atë të energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, në Kuvend janë depozituar dy marrëveshje financimi mes qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare për fazën e tretë të projektit të furnizimit me ujë të zonave rurale. Dy marrëveshjet e kredisë me bankën KFW, së bashku arrijnë vlerën mbi 25 milion euro. Nga këto fonde, 1.5 milion euro do të përdoren për ato që cilësohen masa shoqëruese si: fushata informuese të grupeve të interesit mbi tarifave të reja të furnizimit rural me ujë si dhe për masat trajnuese për të përforcuar proceset teknike të funksionimit e mirëmbajtjes, ashtu si dhe kapacitetet administrative, tregtare dhe financiare të operatorëve të sistemit.




