Nga Nebil Çika
PD çregjistroi kandidatin e saj në Bashkinë e Këlcyrës pas informacioneve se ishte përfshirë në të shkuarën në aktivitete kriminale, duke i paraprirë kështu, de facto, procesit të dekriminalizimit, një kauzë politike që ajo ka kohë që po e artikulon politikisht dhe publikisht. Dështimi i parlamenti shqiptar për ta garantuar me ligj dekriminalizimin e politikes, për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e mazhorancës i dha një goditje të fortë procesit të iniciuar nga opozita e të mbështetur nga ndërkombëtarët, kryesisht SHBA dhe BE. Besimi i publikut u rrit dukshëm kur ambasadori i ri amerikan Donald Lu e theksoi fort mbështetjen e tij për procesin e dekriminalizimit, ndërkohë që BE kishte negociuar dhe imponuar një marrëveshje PD-PS që duhet thënë se deri tani ka ngelur vetëm në letër. Mirëpo me gjithë këmbënguljen e opozitës dhe presionin ndërkombëtar dekriminalizimi ishte vetëm një farsë deri në të parin rast të aplikimit de jure të tij që është çregjistrimi nga PD-ja i kandidatit të Këlcyrës. I ndodhur para faktit opinioni publik priste reagimin e institucioneve shtetërore, si KQZ-ja, e cila e kontrolluar nga qeveria mund ta bllokonte procesin. Frikën për këtë, me sa duket, e kishin edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Ambasadori Lu mbërriti në KQZ pak para votimit dhe rezultati ishte fantastik. Zonja Luzi, kryetare e KQZ-së, bashkoi votat me përfaqësuesit e opozitës, duke miratuar kërkesën e PD-së dhe duke i hapur rrugë procesit aq të domosdoshëm të dekriminalizimit.
Mirëpo ky është vetëm një rast që shpresoj shume të mos mbetet i tillë. Lajmet pas këtij hapi të parë nuk janë optimiste. Opozita lajmëroi se kishte dy javë që i kishte kërkuar qeverisë të konkretizonte marrëveshjen e dekriminalizimit, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje për këtë kërkesë. Kjo e kthen sërish situatën në pikën zero. Procesi i dekriminalizimit u nis nga opozita, e cila akuzoi qeverinë me fakte dhe prova se në grupin parlamentar të saj dhe në administratë kishte dhjetëra persona me rekorde kriminale. Pritej, siç thamë, që ligji i dekriminalizimit të miratohej para zgjedhjeve lokale, me qëllim që të ndalonte përfshirjen e të inkriminuarve në këto zgjedhje, gjë që nuk u bë e munduar politikisht. Sigurisht që rasti i Këlcyrës nuk është i vetëm. Ka dhjetëra raste të denoncuara që publikisht të kandidaturave me rekorde kriminale, kryesisht nga ana e pozitës, por ka edhe raste kur ato kanë qenë afër PD-së.
Rasti më flagrant i kriminalizimit të këtyre zgjedhjeve është pa dyshim ai i Himarës, ku PBDNJ në një aleance të heshtur me PD-në ka kandiduar për Bashkinë Fredi Bejlerin, të akuzuar për pjesëmarrje në të paktën katër vrasje të ushtarëve shqiptarë në kufi, në emër të një organizate ekstremiste nacionaliste greke, MAVI. Ky rast duket se përbën edhe problemin apo bllokimin e procesit të dekriminalizimit në mënyrën më flagrante të mundshme. Kandidimi i z. Bejleri, i mbështetur nga qarqe ultranacionaliste greke, me sa duket, me ndikim edhe në politikën ndërkombëtare, duket se është pengesa më e madhe e dekriminalizimit. Nuk mund t’u kërkosh kandidatëve që akuzohen se janë përfshirë në trafiqe droge apo veprimtari të tjera kriminale, kur toleron e bën sikur nuk shikon katër të vrarët për të cilët akuzohet ai. Kjo ka sjellë edhe një lloj zbythjeje edhe të ndërkombëtarëve, me sa duket, nën presionin e lobit apo të politikes greke në BE dhe më gjerë. Kjo situatë në Himarë ka bërë që shanset e kandidatit socialist atje, Gjergji Goro, të rriten në maksimum, pasi midis tij dhe një njeriu të akuzuar për vrasje shumica e qytetarëve të ndershëm të kësaj Bashkie, pa dallim bindjeje partiake do të votojnë kandidatin e PS-së. Këtë sigurisht që e dinë edhe mbështetësit e Bejlerit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mirëpo në vend që të reagojnë ndaj kandidimit të një personi me rekorde kriminale përfaqësues politikë deri në PE po aludojnë për projekte të vjedhjes së votave apo forma të tjera jodemokratike në zgjedhjet e 21 qershorit në këtë zonë, gjë që nuk është e vërtetë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 25 vite pluralizëm politik. E solla këtë situatë për të kuptuar faktin se personat me rekorde kriminale janë, përveç të tjerash, edhe një rrezik për prishjen e zgjedhjeve. Të gjithë e dinë që situatat e konfliktit kanë ardhur nga njerëz të tillë jo vetëm në Himarë.
Meqë situata atje po përpiqet të manipulohet ndërkombëtarisht, ende pa ndodhur gjë, ishte urgjente që politika shqiptare, qeveria, opozita dhe veçanërisht përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së të prononcoheshin së pari për këtë rast, i cili mund të çojë në një konflikt përtej zgjedhjeve lokale në Himarë dhe Shqipëri, por edhe për faktin se nëse tolerohet një i akuzuar për katër vrasje politike, çfarë rëndësie do të kishte rasti i Këlcyrës, ku të paktën për vrasje nuk bëhet fjalë. Nëse për shkaqe e arsye nga më të ndryshmet tolerohet rasti i Himarës, dekriminalizimi me gjithë vendimin e PD-së në Këlcyrë dhe entuziazmin e ambasadorit Lu në KQZ për këtë zhvillim mbetet ende një farsë dhe garancia që këto zgjedhje nuk do të jenë as të lira e as të ndershme e për më tepër të dekriminalizuara.




