V.Murati
Skicë udhëtimi në stoicizmin e poetik korçar, Skënder Rusi, i cili për 19 vite organizon “Netët e poezisë korçare”
Hoteli dhe restoranti nën administrimin e Sindikatës, siç na thanë, mezi mbahej në këmbë, nën drurë të vjetër e “shkëlqim” të rënë vaktit. Po, prej aty Korça kundrohej e gjitha, me një sy. Po aty, është maja e një kodrine të butë, ku dyndej njerëzia mbrëmjeve për të mbajtur peshën. Më shumë se aq, rruga e ngushtë, e shtruar mirë ndahet nga dyja anët në shtëpi luksoze, vila që të “trembin” nëse mendon paratë. Është lagjja më e pasur – të thonë, të gjithë. Ja, në këtë rrugë kalonin për dy ditë rreth 20 a 30 poetë, në të kundërt të gjithë pamjes së pasur. Disa janë emra poetësh të qyteteve nga vijnë, modestë, pa nam të madh, madje as poezi të madhe. Ndonjë përjashtim, pothuaj socrealizmi ishte këmbëkryq në “vjershat” e tyre. E megjithatë, me një lloj qëndrese të pashoq, poeti lirik i Korçës, Skënder Rusi, prej 19 vjetësh mban në qytetin e tij, stoik, netët e poezisë korçare. Të ftuarit duken se janë miqtë e tij, poetë të vjetër më së shumti. Por, intuitivisht Rusi në paradën e këtyre poetëve edhe zbulon të rinjtë. Këta të fundit nuk i mungonin kësaj parade, por nuk dihet pse janë më të heshtur, madje pak të frustruar nga “hija e të mëdhenjve” të atyshëm!
“E para ishte fjala, por ne mësuam të lehnim”, – ishte vargu “përshëndetës” i një poeti, pak të dëgjuar, Xhelal Toskës, që nuk mori asnjë çmim, nga lëmia që ndahej në këtë rast, por me largimin e tij nga salla e madhe e heshtjes, në padiskutim bënte diferencën. Esenini i Elbasanit, Alfred Molloholli, një lirik që nuk ka kapërcyer “tunelin” e kryeqytetit, në “netët korçare” i nxitet krijimtaria me vlerësimin më të lartë. Të tjerë poetë, librat kishin një rast për të qarkulluar nga trastat, në duar më duar, falas, e ndjesi autografi plot respekt që libri po merrte jetë. Të tillë ishin poeti që ka njohur për 26 vjet përndjekjen në burgjet e diktaturës, Ylber Merdani, një dedikim poetik si dëshmi dhe mbijetesë, e njollës së lirisë e dashurisë, kur këto nuk ekzistonin; apo poeti i ri, Bledi Trebicka me inkurajimin e vëllimit poetik, me siglën garantuese të një poezie të mirë nga botimet “Onufri”; Arjan Kallço që flet pak, por ka tërheqje të vetishme për ta treguar poezinë si vlerë njerëzore e përvojë e skajshme e lirizmit nga një qytet i kulturës, sado “provincë” e zorshme për t’u mbijetuar… apo grimca të pashoqe dashurie të Sofije Zgurit, në pamundësi fizike, përcjellë nga aktori Mevlan Shanaj, – që të gjitha në shenje të një jetë, që vijnë si afrie modeste, por të kristalizuara në durimin për t’i kuptuar si mundësi, ftesë integriteti. Poeti Skënder Rusi kësaj ja ka mbërritur, sikur dhurata më fjalorët të mos mbante ironinë e fjalës… ku ndahet poezia, si prove jete, për ta vazhduar në vargjet: nëse jeta jote digjet, poezia është hiri! Dhe në ditët e politikës pasthirrma e zanafillës së fjalës, mbetet gjurma më e fortë, e rebelimit të njeriut të ikur, e të vetmuar, si vargjet e Toskës.
Serbia dhe Kosova: Për çfarë shkruhet tek ju
Albatros Rexhaj, Gëzim Aliu, Jasna Dimitrijević dhe Sasha Ilic ishin panelistët e këtij debati që kanë diskutuar për librin, raportojnë mediet serbe. Ky debat është organizuar në kuadër të manifestimit “Muaji i Prishtinës” e që ka nisur që nga fillimi i qershorit.
“Për çfarë shkruhet tek ju”, ishte tema boshte që është diskutuar mes shkrimtarëve të Kosovës dhe të Serbisë, në Beograd, në kuadër të manifestimit “Muaji i Prishtinës”, në Beograd e që po mbahet prej fillimit të qershorit në kryeqytetin e Serbisë.
Albatros Rexhaj, Gëzim Aliu, Jasna Dimitrijević dhe Sasha Ilic ishin panelistët e këtij debati që kanë diskutuar mbi librin, raporton Evropa e Lirë.
Pikat që janë diskutuar në këtë debat letrar kanë qenë edhe ndërlidhja e mëparshme letrare në mes këtyre dy vendeve, prania e stereotipave në letërsi, si dhe mundësia e përkthimit të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre serb në gjuhët përkatëse, sipas të cilëve, përkthimi do të ishte ura më e qëndrueshme e marrëveshjes në mes të dy palëve duke pas parasysh mospajtimet e politikanëve.
Albatros Rexhaj ka thënë në këtë takim se pas luftës së fundit në Kosovë, skena letrare vjen me një brez të ri autorësh. “Tema ku fokusohen shkrimtarët shqiptarë ka të bëjë me modelin e ri të jetës por edhe çështjen e identitetit”, – ka thënë Rexhaj në këtë panel. “Me breza të tërë e kemi trajtuar vetën si viktima dhe të tjerët fajtorë, kryesisht serbët, e më herët edhe Perandorinë Osmane, për çdo të keqe që na ka ndodhur”, – ka thënë Rexhaj, i cili ka shtuar se pikërisht këto tema edhe kanë dominuar në letërsinë shqiptare.
Në këtë debat ka folur edhe Gëzim Aliu, i cili ka folur për romanin e tij duke e quajtur si roman alegorik për zhvillimet e një shoqërie në Kosovën e pasluftës.
Kurse Jasna Dimitrijevic ka thënë se shkëmbimi letrar mes Serbisë dhe Kosovës ende është i dobët. “Është shumë mirë që ekzistojnë festivale sikurse janë “Mirdita, dobar dan” apo “Polip”, që janë festivalet me të cilat gjithçka filloi. Por nuk mund të mos them që mes artistëve të Serbisë dhe Kosovës ende është një mur, sidomos te shkrimtarët”, ka thënë ajo. Më pas në këtë debat është folur edhe për gjuhën e urrejtjes që përdoret në Serbi, duke iu referuar një fyerje mediale që është bërë edhe në adresë të Edi Ramës, Kryeministrit të Shqipërisë.




