Gëzim Saliu
Reforma territoriale, Fino: Prisnim hartë nga PD-ja për ndarjen e re, Kodi Zgjedhor nuk preket
Halimi: Duam një reformë në shërbim të qytetarëve, harta nuk shërben. Parësor decentralizimi
Mazhoranca refuzon rezolutën e Shoqatës së Bashkive dhe Komunave, të mbështetur nga PD-ja, për reformën administrative-territoriale. Kreu i komisionit të posaçëm parlamentar për këtë reformë, njëkohësisht deputet i PS-së, Bashkim Fino, tha dje se nga rezoluta doli i zhgënjyer, pasi nuk u paraqit asnjë variant për ndarjen e territorit. “Në qoftë se mazhoranca është një hap më përpara dhe ka hedhur në treg 5 variante dhe ndërkohë është duke marrë mendim dhe në 22 korrik përfundon afati sipas Kushtetutës i marrjes së mendimeve nga kryetarët e bashkive dhe komunave, unë nuk di çfarë kërkon tjetër PD. Jam shumë i zhgënjyer, mendoja se pas takimit që kisha me ta do kisha një lloj zgjedhje. Sot nuk jam në gjendje të them, sepse nuk kam asgjë në treg nga PD, nuk kam asnjë hartë”, – u shpreh ai, duke theksuar se e vetmja e re ishte kërkesa, sipas tij, e opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Por ndaj këtyre deklaratave nuk mungoi reagimi i PD-së përmes nënkryetarit të grupit parlamentar Eduard Halimi, i cili hodhi poshtë supozimet se opozita kërkon shtyrjen e lokaleve të 2015-ës, duke theksuar nga ana tjetër se mazhoranca me draftin e saj ka bërë thjesht llogari elektorale. “Jam këtu për të përgënjeshtruar mashtrimin lidhur me kërkesën imagjinare sikur ne do kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve. Ne kemi qenë të qartë në pjesën sa i përket reformës, jemi për një reformë territoriale në shërbim të qytetarëve dhe të përputhet me parimet demokratike, evropiane, të ketë decentralizim. Ndërkohë që opozita i ka bërë thirrje Kryeministrit të ulet së bashku dhe të miratojmë me konsensus reformën territoriale, Kryeministri ka urdhëruar deputetët e tij që të mashtrojnë opinionin sikur opozita ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve elektorale. Kjo tregon se PS dhe Edi Rama nuk kanë në qendër të reformës qytetarët, por kanë vetëm llogaritë elektorale”, – theksoi deputeti demokrat.
Kundërshtitë
Në reagimin e tij, deputeti socialist pohoi se reforma territoriale do të mbyllet brenda korrikut, duke shtuar se në shtator do të paraqitet një amendament për ligjin e decentralizimit. “Paçka se duhet decentralizimi që po e theksoj është i domosdoshëm për dy arsye: Në funksion të ndarjes së re territoriale dhe e dyta absolutisht dhe ne si mazhoranca duhet ta shtrijmë më tej decentralizimin e pushtetit vendor dhe kjo gjë do bëhet prezent. Brenda muajit shtator-tetor qeveria do sjellë ligjin ri të decentralizimit”, – theksoi Fino. Më tej, ai theksoi se kjo reformë nuk prek Kodin Zgjedhor dhe se e vetmja ndërhyrje do të jetë ajo në Kushtetutë, nëse do të ketë konsensus mes palëve për të ndryshuar qarqet. “Kemi hedhur në treg 5 variante, kemi miratuar njërin prej tyre që kërkojmë mendimin e kryetarëve të bashkive dhe komunave dhe nuk kemi prekur qarqet. Në momentin që i kemi lënë 12 siç janë, qarku kërkon mirëkuptim dhe votat e PD-së, nëse duhet të ndërhyjmë në Kushtetutë do të thotë që nuk preket Kodi Zgjedhor, pasi shumatorja e votave të një qarku të caktuar është po ajo”. Në përgjigje të Finos, Halimi deklaroi se thirrjes së opozitë për t’u ulur bashkë për reformën, mazhoranca iu përgjigj me mashtrim, por deputeti demokrat nuk mohoi se ka ende kohë që palët të arrijnë konsensusin mes tyre. “Cili model u shërben më mirë qytetarëve, pastaj do dalim tek harta. PD dhe opozita e ka bërë të qartë se harta është komponent i katërt. Kjo mund të bëhet në çdo kohë, duhet vullnet. Ne i bëmë thirrje për t’u ulur, ai doli dhe mashtroi opinionin. Ne i kemi bërë thirrje. Të ulemi që sot natën dhe të diskutojmë për një reformë që u shërben qytetarëve. Nuk është vonë kurrë, por të ulemi”, – deklaroi deputeti i PD-së.
Platforma e vendorëve e mbështetur nga PD-ja
1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës
2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit
3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse
4. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë
5. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë
Reforma territoriale/ LSI, Vasili: Opozita të dalë me një qëndrim. Ligji për qarqet ka nevojë për rishikim
Lëvizja Socialiste për Integrim ashtu si edhe aleati i saj PS, kërkon që opozita të dalë me një variant hartë për ndarjen e re territoriale. Zëvendëskryetari i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje se opozita ka kompetencat e saj në lidhje me dhënien e propozimeve të saj sa i takon ndarjes së re administrative-territoriale. “Pikërisht në një kohë kur vendimmarrja afron të merret, dhe kur duhet zgjidhur ky problem, kemi veprime të karakterit taktik nga ana e opozitës. Nuk mund të shtyhet decentralizimi për më tutje, pasi nuk përthithen këto. Duhet të krijojmë ndarje të reja territoriale. Të gjitha kompetencat që mund ti japim ne një komune me 800 banorë, s’ka mundësi ti japim këto gjëra”, – u shpreh ai në intervistën në “News 24”. Ndërkaq, duke u përqendruar tek reforma dhe ideja e rajoneve, Vasili theksoi se me draftin e saj mazhoranca i ka dhënë përgjigje thelbit të çështjes. “Thelbi i kësaj qeverisjeje lokale, gjithkund në botë, siç është rasti i Evropës. Procesi i unifikuar i bashkive do ofrojë mënyrën e zhvillimit të territoreve dhe me shumë fuqi se më parë. Ne i kemi dhënë përgjigje thelbit të çështjes. I kthejmë fuqinë e tij, administrative dhe financiare. Qarqet kanë një pozicion parimor, që shkojnë përtej territorit të bashkive të caktuara. Ligji për qarqet ka nevojë për rishikim”, – deklaroi deputeti i LSI-së.




