Në një kërkesë drejtuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ish-deputeti i PD, Lefter Maliqi i kërkon organit të marrë një vendim të menjëhershëm dhe përfundimtar mbi mandatin e Kreshnik Hajdarit.
Maliqi thekson se vendimi i Gjykatës së Lartë e ka kaluar çështjen në juridiksion administrativ dhe se KSHZ është organi kompetent për të vendosur për hapjen ose jo të mandatit, për fshehjen e dënimit në Greqi dhe falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.
Ai nënvizon se nga data 05.01.2024 kanë kaluar më shumë se 2 vjet e 4 muaj pa vendim përfundimtar, duke krijuar një ngërç administratif dhe duke cenuar rëndë legjitimitetin e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës dhe interesat e qytetarëve.
Maliqi kërkon që KSHZ të zbatojë ligjin e dekriminalizimit në mënyrë të drejtë, të menjëhershme dhe të mbarojë procesin e zvarritur që ka dëmësuar zgjedhësit dhe palët e përfshira.
Kërkesa:
Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,
Po ju drejtohem me këtë kërkesë urgjente, në vijim të vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë, i zbardhur para pak ditësh dhe i bërë publik gjerësisht në mediat e vendit. Vendimi i Gjykatës së Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, dhe rezulton tashmë e qartë se çështja në fjalë për mandatin e Kreshnik Hajdarit nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor, por duhet të vijojë shqyrtimin në rrugë administrative pranë organit kompetent, konkretisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë kuadër, Gjykata ka arsyetuar se mungon një akt administrativ përfundimtar dhe, për rrjedhojë, procedura duhet të vijojë pranë jush (KSHZ), si organi përgjegjës për marrjen e një vendimi përfundimtar mbi këtë çështje, hapjen apo jo të mandatit të Kreshnik Hajdarit, për fshehjen e dënimit të tij nga gjykata Greke dhe falsifikimin e formularit të dekriminalizimit (për të cilin u shpall fajtor edhe nga Gjykata e Posaçme) me kërkesë të SPAK.
Megjithatë, duhet theksuar se nga data 05.01.2024, kur Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ (KAS) shqyrtoi pjesërisht vendimin tuaj dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim po tek KSHZ, kanë kaluar plot 2 vjet e 4 muaj pa një zgjidhje përfundimtare. Kjo zvarritje e qëllimshme vlerësohet si e pajustifikuar, ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta mbi legjitimitetin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, si dhe ka cenuar rëndë interesat e zgjedhësve të këtij qyteti, por edhe interesat e mia si ankues pranë KQZ dhe KAS dhe palë e tretë në gjykimin administrativ.
Në vlerësimin tim, nëse ligji i dekriminalizimit do të ishte zbatuar drejt dhe në kohë nga ju, subjekti në fjalë nuk do ta kishte vijuar ushtrimin e mandatit të fituar në zgjedhjet e vitit 2023. Përkundrazi, me vendimin tuaj të ndërmjetëm 2023 është lejuar vijimi i mandatit, duke mos reflektuar siç duhet të dhënat e dala nga organet kompetente, përfshirë edhe faktet e evidentuara nga Prokuroria e Përgjithshme.
Gjithashtu, nuk është zbatuar në mënyrë efektive vendimi i KAS i datës 05.01.2024, duke e futur çështjen në një ngërç administrativo-juridik të pajustifikuar për një periudhë të gjatë kohe.





