Gëzim Saliu
LSI kërkon çregjistrimin e votuesve që i cilësoi fiktivë, kryetarja e KQZ: Duhet pritur raporti i auditit. PD: S’ka asnjë material që të verifikojë thëniet, deklaratat e partive nuk janë normale
Bashkia e Vorës është kthyer në tema kryesore të debatit jo vetëm mes palëve politike, por edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Çështja jashtë rendit të ditës që kishte të bënte me kërkesën e LSI-së për çregjistrimin e votuesve që kjo forcë i cilëson si fiktivë në listat për bashkinë e Vorës ka zgjatur për më shumë se dy orë. Debati mes përfaqësuesit të forcës së drejtuar nga Ilir Meta dhe përfaqësuesit të PD-së në KQZ si edhe anëtareve të institucionit më të lartë zgjedhor është përcjellë përmes replikave të ashpra. Ndërkohë që palët u ndanë lidhur me çështjen, kryetarja e KQZ-së Lefterie Luzi theksoi se nuk mund të merrej asnjë vendim pa u dëgjuar më parë raporti i auditit.
Debati
Përfaqësuesi i LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Dritan Fejzo deklaroi se ka prova për shtimin e 750 personave në Vorë, në vitet 2014-2015. Duke paraqitur disa materiale nga dosja që dispononte, Fejzo deklaroi se është vërtetuar se në banesën e shtetasit M. S. votojnë 14 persona, gjithsej 4 familje në një banesë prej 45 m2. Një tjetër rast sipas tij ishte ai i banesës së shtetasit P. B., krahas tij banojnë edhe 2 familje të tjera në një sipërfaqe prej 66 m2.“Kërkojmë nga ana juaj marrjen e një informacioni nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila është në pritje të raportit përfundimtar të auditit, të hartuar për këtë çështje. Përfundimisht, kërkojmë çregjistrimin e personave të regjistruar në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave te vitit 2009”, – tha juristi Fejzo. Ndërkaq përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ Njazi Kosovrasti deklaroi se provat e paraqitura nga LSI nuk janë të mjaftueshme. Sipas opozitës, KQZ nuk mund të investohet për këtë problem, pasi e vetmja zgjidhja e saj është hetimi nga ana e Prokurorisë. “Nuk ka asnjë material që të verifikojë thëniet e njërit apo tjetrit, të thënat e strukturave të partisë nuk i gjej normale, Ne s’na intereson në shtëpinë e kujt ka vajtuar qytetari, duam të dimë nëse është banesë, ka kontratë blerje apo qiraje”, – theksoi Kosovrasti. Nga ana e tij përfaqësuesi ligjor i LSI-së në përgjigje të interesit të të anëtarëve të KQZ-së, të cilët kërkuan të dinin burimet e këtyre informacioneve, tha se ato janë marrë nga strukturat e partisë, gjë e cila u përdor si kundërargument më pas nga opozita. “Informacionet janë të besueshme nga strukturat tona, krahasimet janë bërë me listat e afishuara nga gjendja civile në 2013 dhe ato të bëra në 2015. Verifikuam që 20 veta banojnë në një apartament 45 metra katrorë, por nuk është normale kjo”, – tha Fejzo. Por sipas Kosovrastit lëvizjet prej 56 votuesish në Vorë është një gj normale. “Treguesit janë nën mesataren e rajonit për Bashkinë e Vorës, edhe 56 po të jenë në mënyrë të jashtëligjshme”- theksoi ai. Nga ana e saj kryetarja e KQZ-së Lefterie Luzi nuk u pozicionua në asnjë kah politik në këtë rast duke theksuar se duhet pritur raporti i auditit për këtë çështje. Dy ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj tha në mbledhjen e KQZ se për kërkesën e LSI-së është dërguar në Vorë një grup specialistësh për të verifikuar shkeljet e pretenduara dhe nëse ato konstatoheshin do të merren masat përkatëse.
Debati në KQZ/ Osmanaj: Vazhdojmë nesër me këtë edhe me Kavajën
Dritan Fejzo (përfaqësuesi i LSI në KQZ): Nuk ka kohë, se ka mohuar njeri këtë fakt. Duhet diskutuar sot dhe më pas kur të vijë raporti i auditit.
Denar Biba (nënkryetar i KQZ): Nuk e di se ku mund të çojë ky debat. Disa nga këto dyshime janë të prekshme dhe na bindin ne shumicën në komision. Ju kërkoni çregjistrim dhe kjo është pikëpyetje e madhe. Ne s’mund të marrim vendime të tilla që hollo hollë janë shpërdorime detyre.
Fejzo: Në këto kushte nuk duket e tektura kur unë zyrës civile i kërkoj verifikim, kur ajo po e bën.
Njazi Kosovrasti (përfaqësuesi i PD në KQZ): E keni bërë apo jo. KQZ të verifikojë LSI.
Fejzo: Pyetja më duket e tepruar.
Luzi: Z. Kosovrasti bëni pyetje tjetër.
Kosovrasti: Ku janë shkeljet e ligjit? Problemet e lëvizjes së qytetarëve nuk kanë lidhje janë bërë me dëshirë apo jo, por nëse janë konform ligjit apo jo.
Fejzo: Je jashtë objektit, këtu ne jemi paraqitur vetëm për Vorën.
Ndërhyn Luzi: Dritan do ta marrësh fjalën vetëm kur ta jap unë….
Kosovrasti: kryetari i bashkisë Vorë në dijeninë tuaj a ka vënë në dispozicion objekte që disponon bashkia për të lidhur kontrata.
Fejzo: është bërë fakt i njohur që përveç objekteve ka dhënë edhe para.
Kosovrasti: Për cilat objekte thua?
Fejzo: Aty i ke materialet.
Vera Shtjefni (anëtare e KQZ): Si i keni bërë këto verifikime, bëhet fjalë për dokumente zyrtare?
Fejzo-Strukturat e partisë veprojnë edhe në bazë. Këto janë informacione të besuara nga strukturat.
Hysen Osmanaj (anëtar i KQZ): Ku janë verifikuar, kush i ka verifikuar dhe në cafrë institucioni janë verifikuar këta të spostuarit?
Fejzo: Nga listat që janë afishuar në 2014-ën dhe në 2015-ën ku ka një shtesë të tillë. Normalisht çdo subjekt politik bën verifikimet.
Klement Zguri (anëtar i KQZ): Mendoni se për dy vjet një zonë zgjedhore nuk duhet të zhvillohet fare?
Fejzo: Lëvizjet që janë bërë këtu do ndikojnë shumë në votat e Vorës.
Kosovrasti: është shqetësues se në materialin që kemi përpara nuk shohim asnjë dokumentacion që të verifikohet. Nuk ka rëndësi në shtëpinë e kujt ka vajtur qytetari. Për ne ka rëndësi nëse është banesë, nëse ka kontratë qeraje? Pse duhet të merreni me emra ju? Smë duket aspak me vend që të krijohet gjithë kjo hapësirë mediatike pa prova. E vërteta është se nga janari 2015 janë vetëm 56 qytetarë që kanë lëvizur, gjë më se normale.




