Dule: Qeveria po mashtron sistematikisht për integrimin dhe minoritetet

Dule: Qeveria po mashtron sistematikisht për integrimin dhe minoritetet

Deputeti i PD, Vangjel Dule, gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, u shpreh se qeveria po mashtron sistematikisht për integrimin në Bashkimin Evropian dhe të drejtat e minoriteteve.

Ai akuzoi mazhorancën se nuk e kupton thelbin e procesit evropian, duke e vlerësuar atë nga sasia e ligjeve të miratuara dhe jo nga cilësia e reformave

Dule hodhi poshtë pretendimet e qeverisë për 62 takime me shoqatat e minoriteteve, duke theksuar se asnjëra nuk i kishte konfirmuar ato. Ai denoncoi gjithashtu keqmenaxhimin e të drejtave të vetëdeklarimit dhe situatën e pronave në Himarë, duke e cilësuar si mashtrim sistematik.

Ky mentalitet bllokon vlerat e Bashkimit Evropian dhe i gënjen partnerët ndërkombëtarë.’- u shpreh ai

Fjala e plotë:

I nderuar zoti kryetar, të nderuar kolegë, personalisht gjithmonë kam pasur dyshime nëse kjo mazhorancë, dhe sidomos qeveria e saj, e ka kuptuar thelbin e integrimit në Bashkimin Evropian. Që nga dita që më ra në dorë raporti që po diskutojmë, krijova bindjen se jo vetëm nuk e ka kuptuar, por edhe më keq, e ka keqkuptuar.

Në rezolutën e para disa ditëve, në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian në AFET, theksohet, dhe kushdo që di të lexojë nuk mund të mos i kushtojë vëmendje, tërheqjes së vëmendjes në cilësinë e reformave që ndërmerren. Duke theksuar se është cilësia e këtyre reformave që përcakton ecurinë e integrimit në Bashkimin Evropian. Qeveria jonë e ka kuptuar krejt ndryshe. Kujton se në qoftë se miraton një, dy apo 22 paketa ligjesh, duke përdorur, siç pretendon edhe kryeministri ynë i nderuar, inteligjencën artificiale, sikurse na vijnë fjalimet e kolegëve të mazhorancës nga ChatGPT, dhe duke anashkaluar sistematikisht thelbin e asaj që është integrimi në vetvete, evropianizimin e vendit në funksionimin dhe organizimin e tij.

Por e lëmë me kaq, sepse duhet të trajtoj një temë me rëndësi të veçantë për mua si kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Do të dëshiroja që të ishte një çështje që do ta trajtonin edhe kolegë të tjerë, por fatkeqësisht nuk e kemi arritur ende atë moment emancipimi. Janë të drejtat e minoriteteve. Edhe këtu nuk mund t’i shmanget mentalitetit mbizotërues që e karakterizon këtë qeveri. Me variantin më të butë, do të thosha se është një pasaktësi në tërësinë e vet. Në qoftë se do të dëshiroja ta shpërsoja pak terminologjinë, kemi të bëjmë me mashtrim sistematik.

Na thuhet se gjatë vitit 2025, Komiteti për Pakicat Kombëtare ka realizuar 62 takime, ose më qartë, takime me 62 shoqata përfaqësuese të minoriteteve. Në radhë të parë, në Republikën e Shqipërisë nuk ka 62 shoqata përfaqësuese të minoriteteve. Por unë bëra edhe një cikël telefonatash me shoqatat kryesore për t’u interesuar se kur ka ndodhur dhe cila ka qenë përmbajtja e kësaj konsulence. Dhe me habinë më të madhe, konstatova se asnjëra prej këtyre shoqatave nuk më konfirmoi takim në lidhje me të drejtat, problemet dhe shqetësimet e tyre.

Vijmë në çështjen e dytë, atë të së drejtës së vetëdeklarimit, dhe na thuhet me të madhe se brenda një viti janë trajtuar pozitivisht plot 355 kërkesa. Është viti i parë që implementohet legjislacioni dhe, në vitin e parë, nga nëntë minoritete të njohura zyrtarisht në vend, vetëm 355 qytetarë kanë aplikuar për njohjen e tyre. Në një kohë që vjen dhe problemi i dytë: 334 kërkesa të tjera janë kthyer për plotësim.

Dhe këtu vijmë tek kundërthënia konceptuale. E drejta e vetëdeklarimit nuk është çështje dokumentacioni, plotësimi apo identifikimi. Është një e drejtë vullneti. Këtë thotë neni tre i Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës.

Po shkoj edhe më poshtë. Në lidhje me çështjen e pronës, thuhen në mënyrë selektive shifra, duke evituar të na bëjnë prezantimin krahasues të përqindjeve. Unë po marr Bashkinë e Himarës. Në kundërshtim me gjithë bashkitë e tjera të vendit, vetëm 20% të rasteve janë trajtuar në nivel të dytë, që është njohja përfundimtare. Dhe në këtë 20%, vetëm 10% i takon banorëve vendas, të cilëve u është njohur prona. 10%-shi tjetër i takon klientëve të kryeministrit, zaptuesve të pronave dhe pronarëve të ligjshëm.

Dhe duke e përfunduar, zonja dhe zotërinj, nuk mund të mos përmend edhe faktin që e trajtova edhe në seancën e kaluar. Ngrita çështjen e dëmtimit të tabelave dygjuhëshe. Po shikoni pak mentalitetin e strucit. Në një kohë që tabelat ishin të nxira prej disa ditësh, një ditë përpara se kryeministri ynë i nderuar të realizonte një takim privat në Dropull me nipin e kryeministrit të Greqisë, brenda natës ishin zëvendësuar tabelat. Brenda natës. Nuk u besohej syve.

Kështu e konceptojmë ne integrimin. Kujtojmë se do t’u hedhim hy syve aleatëve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian, u theksua nga shumë kolegë të opozitës, është vlerë, është sistem vlerash. Në qoftë se nuk do t’i bëjmë pjesë të mentalitetit tonë, të performancës sonë në çdo drejtim, do të kemi dështuar. Dhe kjo është ajo që ndodh me qeverinë e sotme, që në një kohë që mburret se brenda 13 muajsh ka hapur të gjitha kapitujt, nuk na thotë pse, për muaj të tretë rradhazi, refuzohet mbyllja e raportit të IBAR.

Share it :