Rajoni i Lombardisë në Itali është tregu i artë për prodhuesit dhe trafikantët e drogës. Kjo është konfirmuar dje nga “Corriere della Sera” në një analizë për raportin mes Shqipërisë dhe Lombardisë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Gazeta e madhe italiane “Corriere della Sera” shkruan se rajoni i Lombardisë është tregu i artë i trafikantëve shqiptarë të drogave. Kjo gazetë ii ka bërë jehonë deklaratave të ish-shefit të Antidrogës Dritan Zagani, për lidhjet e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me trafikantët e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Me një shkrim të gjatë gazeta italiane shkruan se për të qartësuar rolet dhe lidhjet e Dritan Zaganit, ish-shefit të Antidrogës në Fier, i kërkuar prej disa ditësh pasi akuzohet se ka dekonspiruar aksionet kundër narkotrafikut të kolegëve të tij. Zagani ka bërë edhe akuza ndaj ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, sipas të cilit, disa të afërm të ministrit janë të përfshirë në një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike duke “edhe vetë makinën e ministrit”. Këto akuza janë bërë gjatë një interviste që është transmetuar nga një agjenci lajmesh. Më pas ministri vetë ka shkuar në prokurori dhe ka dhënë versionin e tij.
Tregu i artë
Rajoni i Lombardisë në Itali është tregu i artë për prodhuesit dhe trafikantët e drogës. Kjo është konfirmuar dje nga “Corriere della Sera” në një analizë për raportin mes Shqipërisë dhe Lombardisë në trafikimin e lëndëve narkotike. Prokuroria italiane vazhdon hetimet për lidhjet e transportit të drogës midis Italisë dhe vendit tonë, duke marrë shkas nga dy rastet e pak ditëve më parë, si dhe nga arrestimi në vitin e shkuar te pilotit Italian Giorgo Riformato, rezident në Lombardi. Si Riformato ashtu edhe i arrestuari i disa ditëve më parë Pasquale D’ambrosio janë sipërmarrës italianë që vihen në dispozicion për të kryer transport droge. Në frontin shqiptar autoritetet po hetojnë në tre drejtime kryesore; Për të kuptuar se kush janë aktorët kryesorë të këtij trafiku nga jugu i Shqipërisë drejt Lombardisë; për të qartësuar rolin e lidhjet e ish shefit të Antidrogës së qytetit të Fierit Dritan Zagani, i fshehur prej disa ditësh e nën hetim me akuzën se ka dekonspiruar operacionet antidrogë të njerëzve të tij, si dhe për të vërtetuar besueshmërinë e akuzave të këtij të fundit në drejtim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ku sipas Zaganit në këtë aktivitet janë përfshirë njerëz të afërt me ministrin.
Avioni i fundit
Më pas “Corriere Della Sera” trajton lajmin e dy shqiptarëve dhe italianë që u kapën duke trafikuar drogë me avionë të lehtë. Sipërmarrësi Pasquale D’Ambrosio, 58 vjeç, nga Varese, deri tri ditë më parë ishte i njohur në zonën ku jetonte thjeshtë si “la Noçe”, si emri i plazhi ku ai kishte ngritur biznesin e tij të restorantit. Asgjë më shumë, prëveç një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike në picerinë e tij në “Lago Maggiore” në Angera, që i ka kushtuar një denoncim nga policia lokale. Ai hapte dhe mbyllte lokale, që nuk i shkonin mirë. Klientëve shpesh ai u thoshte: Nëse dua marr avionin dhe ik e pi një kafe në Leçe. Në Pulja, sipas policisë së Torinos, ai shkonte vërtetë me avionin e tij të lehtë për të transportuar drogë të kultivuar në Shqipëri. Një figurë ekscentrike dhe në hije deri tre ditë më parë, D’Ambrosio, i arrestuar në datën 7 shtator në fushën e fluturimeve në Gattinara, rasti i dytë i një biznesmeni lombard që si në Kolumbi, ishte vënë në dispozicion të transportimit të drogës. “Corriere della Sera” përfundon artikullin duke thënë se nuk mund të flasim për ekzistencën e një rrjeti të mirëfilltë kriminal por për një trafik të paligjshëm që vazhdon të zgjerojë qëllimin e aktivitetit të tij.
Informimi i SHISH-it
Për avionët që vijnë nga Italia dhe mbushen me drogë në zona të caktuara të Shqipërisë, ka pasur dijeni në disa raste dhe Shërbimi Informativ Shqiptar. Në të paktën 6 raste ky shërbim i është drejtuar Policisë së Shtetit me shkresa konkrete për praninë e avionëve në zonën e Fierit, Malësisë së Madhe, Vlorës dhe Lezhës, se nga banorë të zonës është parë prezenca e avionëve të vegjël që janë ulur në tokë dhe më pas janë ngritur sërish në fluturim duke u larguar. Këto informacione operative, mësohet t’i kenë mbërritur krerëve më të lartë të policive nëpër qarqe, por duket se asnjë nga avionët nuk është arritur të ndalet nga policia e shtetit. I vetmi që u arrit të ndalet është ai i italianit Giorgio Riformato, i cili pësoi aksident pasi ju këput njëra nga gomat e para dhe se nuk kishte mundësi të ringrihej.
BOX
Trafiku, fshati Dusharak dhe Xhelilaj
Ende pa u mbushur dy javë nga kapja e një avioni të ngarkuar me drogë që ishte nisur nga Vlora në drejtim të Brindizit, një tjetër avion është zbuluar nga pala italiane,i cili është kapur me 80 kg drogë dhe bashkë me të,në pranga janë vënë dy shtetas shqiptarë dhe dy italianë. Ky shënon rastin e tretë të kapjes së avionëve me drogë. Maksim Llanaj dhe Fitor Alliaj ose ndryshe “Vito” rezultojnë të jenë banorë të fshatit Dusharak të Vlorës, zona nga e cila pikërisht në 24 gusht të këtij viti ishte nisur avioni i ngarkuar me 80 kg drogë i drejtuar nga Vilson Lamaj. Ky fshat duket se tani është kthyer një bazë ajrore për trafikantët.
BOX
Verifikime të imtësishme në Shqipëri
Tashmë Prokuroria Italiane dhe ajo e Krimeve të Rënda janë duke verifikuar me imtësi nëse këto dy raste kanë lidhje me njëra-tjetrën ose në këtë zonë veprojnë dy grupe të ndryshme. Hetuesit italianë deklaruan se avioni model ultraleggero (Super i lehtë) pilotohej nga shtetasi italian Pascuale D’Ambrossio, i cili tashmë është arrestuar dhe bashkë me të në pranga ka rënë një italian tjetër Rosaria Campisi. Hetimet për këtë linjë trafiku që fillonte nga Shqipëria në Leçe dhe më pas në zonën e Torinos, kanë nisur në muajin Maj të këtij viti.




