Artan Cena
Prokuroria e Vlorës ka dërguar në Gjykatë çështjen ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Akuzohet për falsifikime dhe shpërdorim detyre
Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimin ndaj kryebashkiakut Shpëtim Gjika dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen përkatëse. Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi për shtyp të institucionit të akuzës së qytetit bregdetar, në të cilin saktësohet se ndaj Gjikës rëndojnë akuzat e “Falsifikimit të dokumenteve”, vepër e kryer kjo sipas njoftimit 7 herë, “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”, e kryer sipas akuzës në pronën e një personi tjetër dhe në tokë shtetërore. Pas Gjikës vjen biznesmeni Artur Haxhi, pronar i një pallati të ndërtuar në tokat në fjalë, ndaj të cilit rëndojnë të njëjtat akuza, përveç asaj të “Shpërdorimit të detyrës”. Edhe ndaj shefes së sektorit të urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, Doriana Behari rëndojnë të njëjtat akuza, sikurse ato të shefit të saj, ndërsa ndaj të pandehurit të katërt, shtetasit Ridvan Mersinaj rëndon edhe ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” ose veprimtari kriminale.
AKUZAT E NGRITURA
Shpëtim Gjika
AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” të kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, të kryer shtatë herë dhe në bashkëpunim, “Shpërdorimit të detyrës”, “Ndërtimi i paligjshëm” të kryer në tokën e tjetrit dhe në tokën shtetërore, të kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar si vepra penale nga nenet 186/3 e 25, 199a/2 e 25, 248 dhe 301 të Kodit Penal.
Artur Haxhi
AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë dhe “Ndërtimi i paligjshëm” në tokën e tjetrit dhe në tokën shtetërore, të kryer në bashkëpunim, parashikuar si vepra penale nga nenet 186/2 dhe 199a/2 e 25 të Kodit Penal.
Doriana Behari (Sulaj)
AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” të kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, të kryer katër herë dhe në bashkëpunim, “Shpërdorimit të detyrës”, “Ndërtimi i paligjshëm” të kryer në tokën e tjetrit dhe në tokën shtetërore, të kryer në bashkëpunim, parashikuar si vepra penale nga nenet 186/3 e 25, 248 dhe 199a/2 e 25 të Kodit Penal.
Ridvan Mersinaj
AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar si vepra penale nga nenet 186 dhe 287 gërma “d” të Kodit Penal.
Policia arreston autorin e vrasjes në Kashar
Rreth 18 orë pasi vrau babain e vajzës me të cilin kishte qenë i fejuar dy vite me parë dhe plagosi nënën e saj në banesë, policia e kryeqytetit, e ndihmuar dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, arrestoi autorin Altin Aluku, 38 vjeç, nga Kashari. Burime të policisë thanë se Altin Aluku u kap pranë fshatit Prush, rreth orës 03:20 minuta. Mësohet se gjatë arrestimit, Aluku nuk ka bërë rezistencë ndaj efektivëve të policisë. Ndërkohë, gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës u arrestua edhe babai i autorit të vrasjes, Skënder Aluku, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesë iu gjetën dhe sekuestruan 170 fishekë. Altin Aluku vrau mëngjesin e së dielës ish-vjehrrin e tij, Lutfi Xhaferrin, 56 vjeç, dhe plagosi bashkëshorten e tij, Naimen, 55 vjeçe, e cila pas marrjes së ndihmës së nevojshme, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë ora 6 e mëngjesit kur Lutfi Xhaferri është qëlluar me breshëri automatiku në rrugën kryesore të Kodër-Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Ai po shoqëronte bashkëshorten, Naimen, e cila kishte dalë për të shitur qumështin kur janë përballur me pritën e ngritur nga një bashkëfshatar i tyre. Altin Aluku, 39 vjeç mësohet se i kishte marrë masat dhe kishte shkuar me bindjen për të kryer krimin. Me vete ai kishte marrë edhe armën kallashnikov me të cilën ka kryer edhe krimin. Mësohet se edhe pse 5 vite më parë fejesa ishte prishur, martesa e vajzës së viktimës dy muaj më parë kishte sjellë këtë reagim të dhunshëm, një sherr që përfundoi me një viktimë dhe një të plagosur.
Shqipëria nis hetimet për vrasjen e një shqiptari nga ISIS-i
Shqipëria ka nisur hetimet dhe verifikimet, pasi dyshohet se një 25-vjeçar shqiptar është vrarë nga militantët e ISIS-it pasi kishte braktisur luftimet për Shtetin Islamik. Ervin Hasanaj, i njohur ndryshe si Ebu Ahmed, besohet të ketë humbur jetën në Siri, ku gjendej prej janarit të vitit 2013. Autoritetet shqiptare nuk e konfirmojnë zyrtarisht lajmin që po qarkullon në media të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Por ata kanë informacion të zgjeruar mbi të shkuarën e tij dhe bashkimin me xhihadin. Hasanaj, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria për në Siri në datën 16 janar të vitit 2013. Prej kësaj periudhe, ai nuk ka lëvizur më nga zonat e konfliktit në Siri. Pak kohë pasi është vendosur në Siri, ai i ka kërkuar kunatit të tij A. Beka, banues në Sauk, që t’i dërgojë atje gruan dhe 2 vajzat e tij, njërën 2-vjeç dhe tjetra 2-muajshe. Në dosjen që disponojnë autoritetet shqiptare, jepen të dhëna të sakta mbi lëvizjet e familjarëve. Mendohet se A. Beka dhe e ëma e tij e kanë shoqëruar bashkëshorten dhe fëmijët e saj për në Siri, për t’u bashkuar me burrin e saj, Ervin Hasanaj (Ebu Ahmed), i cili është larguar për në Siri më datë 16 Janar 2013. Ata kanë qëndruar bashkë për disa ditë dhe më pas Beka bashkë me të ëmën janë kthyer pas në Shqipëri, më datë 17 Nëntor 2013. Nuk kemi informacion nëse kanë hyrë apo jo në territor sirian gjatë gjashtë ditëve të qëndrimit të tyre jashtë Shqipërisë. Në dosje nënvizohet se kunati i Ervin Hasanaj, shtetasi A. Beka, gjatë qëndrimin të tij në kufirin turko-sirian, në qytetin e Reyhanli, ka komunikuar me Bujar Hysën, Imami i Xhamisë së Mëzezit, i cili po gjykohet në Shqipëri për përfshirjen e tij në rekrutimin e xhihadistëve dhe dërgimin e tyre në Siri. Më datë 11.11.2013, ora 21:27, Bujar Hysën e merr A. Beka në telefon dhe e njofton se ka arritur në Hatai dhe nuk ka vajtur njeri t’i presë. Hysa i thotë të shkojë në Reyhanli dhe të rrijë aty me ndonjë hotel derisa të lidhet me personat. Rreth 7 minuta më vonë, A. Beka merr përsëri në telefon Bujar Hysën dhe e njofton të mos ketë merak se “ai personi” erdhi. Më datë 17.11.2013, Beka bashkë me të ëmën janë kthyer në Shqipëri, po nga aeroporti i Rinasit. Prej asaj kohe ata nuk kanë pasur më kontakte me vajzën apo dhëndrin e tyre. Ervin Hasanaj dyshohet se është vrarë nga vetë ISIS, pasi ai ka dashur të tërhiqet nga luftimet. Kunati i tij, por ai nuk pranoi të jepte asnjë informacion. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i pyetur në një konferencë për shtyp tha se verifikimi i këtyre informacioneve është tepër i vështirë. Deri më tani, 7 shqiptarë të rekrutuar nga ISIS rezultojnë të vrarë në Irak e Siri.




