Dosja/ Klotilda Bushka presion dëshmitares në zyrën e Erinda Ballancës: Gënje në SPAK!

Unë kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do të jem” Kjo ishte fraza që deputetja socialiste Klotilda Bushka citoi ditën e sotme, teksa opozita i kërkoi që të largohej nga drejtimi i Komisionit të Ligjeve, pasi është vënë nën hetim nga SPAK.

Ajo dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, në hetimet për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.” – thuhet në njoftimin e SPAK.

Por, se sa me dinjitet është Klotilda Bushka këtë gjë do ta tregojnë hetimet e SPAK, po ashtu, edhe një pjesë e dosjes aktuale mbi hetim për Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën.

Por, më konkretisht për çfarë akuzohet nga SPAK Klotilda Bushka?Në dosjen e siguruar nga Boldnews.al, Bushka rezulton se Klotilda Bushka ka ndikuar tek dëshmimtarja Ina Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e qendrës BYL-A, e cila është edhe kushërirë me deputeten socialiste

Rezulton se Ina Goxhaj ka zhvilluar disa takime me Klotilda Bushkën, Ajola Xoxën dhe disa avokatët, para se të paraqitej në SPAK për të dhënë dëshminë e saj.

Sipas dosjes,takimi i parë është realizuar më 10 Dhjetor në banesën e prindërve të Klotilda Bushkës që ndodhet pranë Shkollës së Kuqe në kryeqytet, ku Ina Goxhaj i ka treguar Bushkës se ishte thirrur në SPAK për të dëshmuar në lidhje me hetimet për Ajola Xoxën dhe Erion Veliajn.

Sipas dëshmisë së Ina Goxhaj, deputetja socialiste e ka urdhëruar që të mohonte gjithçka gjatë pyetjes së saj, teksa të nesërme kanë zhvilluar një takim të dytë në zyrën e një avokatie, ku pikë kontakti për këtë takim ka shërbyer shtetasi Erald Ismaili i cili e ka telefonuar vetë dëshmitaren e SPAK.

Në takim Goxhaj ka gjetur Klotilda Bushkën, dhe një djalë tjetër të cilin nuk e njihte, teksa fillimisht, ka biseduar me Klotildën, për të cilën ka treguar se ajo e mësonte se cfarë duhej të thoshte, gjërat që do të mohoheshin në mënyrë kategorike.

Ndërkohë, më tej në takim është bashkuar edhe Ajola Xoxa, e cila i ka marrë Ina Goxhajt telefonin e saj, ku i ka lexuar bisedat dhe më pas i ka dhënë një telefon tjetër, me pretendimin se telefonin aktual të saj do ta asgjesonin.

“Klotilda i ka treguar Inës se gjatë deklarimit duhej të thoshte që ajo (Ina) ishte nismëtare e projektit të dancit, por është marrë Harabeli me organizimin. Shqetësimi tjetër i Klotildës lidhej me adresën e selisë së BYL-A, që s’duhet të dilte që ishte shtëpia e saj. Po kështu, deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka dhënë një dokument i cili shërbente për ndryshimin e adresës së qendrës BYL-A dhe i ka sugjeruar Inës që të deklarojë që ka qenë neglizhencë e saj mosndryshimi i adresës. 

Në këtë takim, është bashkuar edhe Ajola Xoxa, e cila i ka kërkuar Inës që t’ia dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte. Ina Goxhaj ka deklaruar se nuk ka dashur që t’i jepte telefonin e saj të markës Samsung A35, por është ndjerë e detyruar nga Ajola Xoxa. Deklaruesja shpjegon se Ajola Xoxa ka lexuar komunikimet e zhvilluara ndërmjet saj (Inës) dhe Adela Kondakçiut, apo e dhe me Ketrina Brahon dhe ishte e shqetësuar, por Ina deklaron se personalisht nuk u ndie në faj pasi mesazhet ishin një e vërtetë e madhe. Deklaruesja shpjegon se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo (Ina) të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më pas i ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjesonin.” – thuhet në dosjen e SPAK.

Ina Goxhaj ka treguar se janë larguar më pas nga aty dhe takimin e ka vijuar në banesën e prindërve të Klotilda Bushkës, vetëm me këtë të fundit.

Në dëshminë e dhënë në SPAK, Ina Goxhaj ka deklaruar se Klotilda Bushka i ka thënë se nuk duhej të përmendte emrin e Ajola Xoxës apo të tregonte se si kishin funksionuar gjërat. Sipas dëshmimtares së SPAK, Klotilda Bushka i ka kthyer telefonin e saj, tip “Samsung A35”, me qëllim që të kopjonte të dhënat e nevojshme dhe t’ia kthente sërisht për asgjesim.

Ina Goxhaj ka treguar se telefonin ia ka kthyer për ta asgjesuar një ditë më pas, më 12 Dhjetor. Ndërkohë, ajo shpjegon se sipas udhëzimeve të avokatit të Ajola Xoxës dhe Klotilda Bushkës, ka lajmëruar oficerët se nuk mund të paraqitej në prokurori për arsye shëndetësore.

Takimi i radhës mes dëshmitares së SPAK dhe tre personazheve të tjerë, Ajola Xoxës, Kltilda Bushkës dhe avokatit të tyre është realizuar më 14 Dhjetor, në të njëjtin ambient, ku sërish i është bërë presion për të mos treguar të vërtetën në SPAK.

“Shpjegon se në takim Klotilda, Ajola dhe Avokati dukeshin të shqetësuar se nuk kishin patur kontakte me Adelën, e cila një ditë më parë kishte qenë në Prokurori. Gjatë takimi, deklaruesja shpjegon se i është thënë që duhet të bënte rezistencë dhe të mos tregonte realitetin e situatës. Kjo shtetase deklaron se i kanë kërkuar që të mohonte çdo gjë në lidhje me Ajolën dhe Bylën etj.

Po kështu, Ina Goxhaj sqaron se gjatë këtij takimi i kanë bërë presion duke i thënë se në momentin që Ajola do të shkonte në deklarim, ajo do ta merrte vesh se çfarë kishte thënë Ina. I kanë thënë, që ata do e merrnin vesh se çfarë do të deklaronte dhe do rridhte informacioni, pasi kishin njerëz brenda Prokurorisë, dhe se do njiheshin me deklarimin e saj.” – thuhet në dosjen e SPAK.

Sipas dosjes së organit të akuzës “BYL-A” rezulton se ishte në pronësi indirekt të Ajola Xoxës dhe drejtohej nëpërmjet personave të tjerë. Kjo është vërtetuar edhe nga dëshmitë e dëshmimtarëve, ku njl prej tyre ka qenë edhe Ina Goxhaj.

“Në lidhje me BYL-A, pas vitit 2022 dhe pas projektit të ambasadës amerikane, Ina Goxhaj tregon se nga mënyra se si rodhën ngjarjet, ka kuptuar që BYL-A ishte e Ajolës. E pyetur për vendimet që merreshin te BYL-A pas vitit 2022, shpjegon se nuk vareshin nga ana suj. Tregon se ishte nënkuptuar që ishte tjetër person për vendimmarrjen. Sqaron se ajo quhet Ajola Xoxa, por me të nuk ka komunikuar drejtpërdrejtë, por nëpërmjet Adelës apo vajzave të tjera të Harabelit, të cilat i sillnin dokumentat për nënshkrim. Ina Goxhaj tregon se kishte vetëm emrin si drejtuese por pa asnjë rol.” – thuhet në dosje.

Më tej thuhet se deklarimet e shtetases Ina Goxhaj përputhen plotësisht me pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së ambientit, ku SPAK i ka cituar me orare fikse se kur futen secili prej personave që përmenden mësipërm në takimet e dëshmimtares me Klotilda Bushkën, Ajola Xoxën dhe avokatit të tyre. Po ashtu, SPAK ka vërtetuar edhe ndërrimin e telefonit të Ina Goxhajt nga marka Samsung në Iphone.

Më tej, Ina Goxhaj ka sqaruar edhe për një takim që ka patur me Klotilda Bushkën dhe Avokaten e Popullit Erinda Ballanca, në zyrën e kësaj të fundit, ku tregohen episodet dhe shqetësimet e deputetes socialiste. Edhe në zyrën e Avokatit të Popullit, Klotilda Bushka i ka kërkuar dëshmitares Ina Goxhaj se çfarë duhet të deklaronte në SPAK.

“Deklaruesja shpjegon se ndërsa ka qenë në zyrë duke punuar, tek Avokati i Popullit, rreth orës 14:30 është lajmëruar nga shoferi i institucionit, një shtetas i quajtur Tasim, se e kërkonte dikush nga jashtë. Më pas, shoferi i ka thënë që të shkonte tek zyra e Avokatit të Popullit. Deklaruesja shpjegon se kur është futur brenda në zyrë, ka gjetur aty Avokaten e Popullit Erinda Ballanca, si dhe shtetasen Klotilda Bushka. Deklaruesja shpjegon se në momentin e parë u përshëndeta me të dyja, më pas, shtetësja Klotilda Bushka i ka shkelur syrin, gjest të cilin ajo (deklaruesja) e ka kuptuar si një sinjalizim për të mos treguar se cfarë më kishte ndodhur gjatë majit Dhjetor dhe takimet që kishte patur.

Pas disa bisedave për tema personale, deklaruesja shpjegon se shtetësja Erinda Ballanca është larguar nga zyra dhe ka mbetur vetëm me Klotilda Bushkën. Kjo e fundit ka nisur ta pyesë nëse ishte më mirë dhe a ishte qetësuar nga situata e krijuar muajin e kaluar. Gjithashtu, Klotilda Bushka e ka pyetur nëse kishte ndonjë shqetësim nga Spak-u, duke e pyetur nëse ishte thirrur përsëri. Deklaruesja i është përgjigjur se nuk ka patur asnjë lloj shqetësimi dhe është shumë e qetë.

Në vijim, deklaruesja shpjegon se Klotilda Bushka i ka thënë se kishte një merak me deklarimet në ILDKPKI që ajo vetë po bënte, duke iu referuar faturës që kishte në dosjen e saj të lëshuar nga bashkëshorti i saj Altin Bushka, për aktivitetin NATO 2022 dhe e ka pyetur se kush ka qënë në dijeni për këtë faturë. Deklaruesja i ka thënë se për këtë faturë kishte folur vetëm me Greta Kokalarin dhe më pas po ajo i kishte shkruar Altinit duke i thënë se duhet të bënte një faturë.

Deklaruesja shprehet se, meraku i Klotildës ishte nëse kjo bisedë mbi faturën në fjalë ishte bërë apo jo me Adela Kondakçiun, siç edhe në të vërtetë ka ndodhur. Megjithatë. deklaruesja e ka mohuar një gjë të tillë. Në një moment, deklaruesja shpjegon se Klotilda Bushka u shpreh duke thënë se “Adela na ka sjellë shumë pasoja dhe është një person negativ me të cilin kemi bashkëpunuar”.” – thuhet në dosje,

Ndër të tjera, Ina Goxhaj ka deklarustr se Klotilda Bushka i ka thënë se nëse do thirrej përsëri në SPAK, do të përfaqësohej me një avokat, teksa i ka kërkuar që të mos flasë me njeri.

“Deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka thënë “mos ki merak, për çfarëdolloj gjëje, do na kesh ne. Dhe të lutem mos fol me njeri në telefon”. Që mos fliste në telefon në lidhje me ngjarjen, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka ja ka kërkuar disa herë.  Më pas, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka i ka thënë që nëse do e thërrisnin përsëri në Spak, ajo nuk duhej të tregonte sesi Klotilda ia kishte marrë telefonin. Klotilda Bushka, shpjegon deklaruesja, e ka udhëzuar që nëse do të pyetej organi procedues lidhur me telefonin, duhej të deklaronte se telefonin aktual (atë që i ka dhënë shtetësja Ajola Xoxa) e kishte prej vitesh në shtëpinë e saj dhe thjesht e ka vënë në përdorim kohët e fundit.” – thuhet në dosje.

Në fund, deklaruesja ka treguar se teksa po përshëndetej me Klotildën, kjo e fundit i ka thënë “për çfarëdolloj gjëje që të duhet, qoftë edhe për lekë, na thuaj”.

Pra, siç dukej edhe në dosje, Klotilda Bushka ka qenë e gatshme t’i ofronte edhe para dëshmimtares së SPAK për të mos treguar të vërtetën mbi hetimet e Prokurorisë së Posaçme mbi Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën.

/Boldnews.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news