Dosja 49”/ Dështon SPAK-u, GJKKO shpall 11 të pafajshëm dhe i nxjerr nga burgu pas 3 vitesh

Një dosje hetimore që mban Nr. 49, e mbërritur nga Prokuroria e Bergamos (Itali) në adresë të Prokurorisë së Posaçme SPAK, ka rezultuar një dështim total i përfaqësimit të akuzës në gjykatë, pasi kjo e fundit ka pushuar akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”, ”Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, duke nxjerrë të pafajshëm 11 personat e akuzuar nga SPAK.

Rasti që fillimisht është ndjekur nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, dhe më pas trajtuar në gjykatë nga prokurorët, Vladimir Mara dhe Klodian Braho, ka përfunduar me deklarimin e pafajshëm të 11 personave të pandehur, duke sjellë buzëqeshje mes radhëve të familjarëve, lot gëzimi brenda sallës së gjykimit dhe kafazit ku qëndronin të arrestuarit.

Për gati tre vite, 11 personat kanë qëndruar të izoluar në burg, duke u përndjekur nga SPAK, me hetime dhe sekuestrim pasurie.

Ndërsa dje, në 16 Tetor 2024, gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Esmeralda Xhili, rrëzuan pretencën e Prokurorisë së Posaçme dhe liruar, jo vetëm të arrestuarit nga burgu por dhe pasuritë e sekuestruara të tyre.

Për 8 nga personat e arrestuar si Saimir Prenga, Gjergji Luli, Alfred Luli, Ilir Duro, Francesko Çeçi, Lorik Prengaj alias Fabio Prengaj dhe Gjergj Zefi, gjykata ka urdhëruar dje lirimin e menjëhershëm, duke i pushuar akuzat e rënda të ngritura nga SPAK.

Ndërkohë prokuroria në pretencën e saj, kishte kërkuar për secilin prej tyre 7 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar pretenca është ulur në 4 vjet e 8 muaj burgim.

Gjithashtu 3 gjyqtarët e GJKKO-së, kanë deklaruar të pafajshëm për “Grup të strukturuar kriminal” dhe 4 të pandehurit e tjerë të arrestuar dhe akuzuar nga SPAK si Braniol Liço, Florind Vukaj, Lulëzim Selimi dhe Dhimitër Nina.

Sipas vendimit të shpallur ditën e djeshme këta të fundit janë deklaruar fajtor vetëm për akuzën e “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” kryer në bashkëpunim, duke u dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim secili.

Ndërkohë për këta persona SPAK në pretencën e tij kishte kërkuar dënimin me 12 dhe 11 vjet burgim.

Pak muaj më parë SPAK, ka marrë të pandehur dhe dërguar në gjyq 11 persona, si të dyshuar në tregtinë e drogës në Itali.

Braniol Liço alias Branjol Liço alias Branjol Ago, Florid Vukaj, Lulëzim Selimi, Dhimitër Nina, Saimir Prenga, Gjergji Luli, Alfred Luli, Ilir Duro, Francesko Çeçi, Lorik Prengaj alias Fabio Prengaj dhe Gjergj Zefi, akuzoheshin nga SPAK si pjesëmarrës në një grup kriminal që tregtonte kokainë në Itali.

Por për episodet e hetuara nga autoritet Italiane, këta persona ishin dënuar në Itali për trafik droge mes dy vendeve, ndërsa në Shqipëri, SPAK kishte nisur një dosje të dytë paralele, duke nxjerrë masa sigurimi “arrest në burg” ndaj tyre dhe sekuestruar dhjetëra pasuri në Shqipëri.

Tashmë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre u pushuan duke sjellë lirimin e menjëhershëm të 8 personave, ndërsa 4 të tjerë u dënuar për akuza të tjera siç është “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkaq pritet që pas zbardhjes së vendimit prokuroria e posaçme SPAK të veprojë me apelim.

VENDIMI I PAFAJËSISË SË GJYKATËS

  1. Braniol Liço – Pafajësi
  2. Florid Vukaj – Pafajësi
  3. Lulëzim Selimi – Pafajësi
  4. Dhimitër Nina – Pafajësi
  5. Saimir Prenga – Pafajësi
  6. Gjergji Luli – Pafajësi
  7. Alfred Luli – Pafajësi
  8. Ilir Duro – Pafajësi
  9. Francesko Çeçi – Pafajësi
  10. Lorik Prengaj – Pafajësi
  11. Gjergj Zefi – Pafajësi

VENDIMI I DËNIMIT PJESËRISHT I GJYKATËS

Braniol Liço dënuar 4.8 vite burgim.

Florind Vukaj dënuar me 4.8 vite burgim.

Lulëzim Selimi dënuar me 4.8 vite burgim.

Dhimitër Nina dënuar me 4.8 vite burgim.

/Ora News

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.