Doket e vetënënshtrimit  

Nga Elis Buba

foto circk Në cirk, gjatë veprimit, përtej arenës skenike, prapa dy-tri shkallësh qëndron publiku, masa.

Të dyja palët, si publiku ashtu edhe akrobatët dhe palaçot, e kanë të qartë e të ngurtësuar brenda vetes pozicionin në këtë arenë. Njëra palë konsiderohet vepruese, e zotë dhe e nderuar, sfiduese e dokeve dhe e opinioneve, që ka mësuar t’i konfrontojë duke i vërsulur kundër opinionin e moralit të lartë populist, në antitezë me antimoralin. Pala tjetër, në anën e saj, është marrë gjithnjë në konsideratë si vëzhguese, edhe pse në grupin e njerëzve në brendësi dhe rreth saj ka mjaft kundërshtime e një lloj revolte, kundrejt shfaqjes, që shprehet me britma, lëvizje e gjeste, kjo fare pak rëndësi ka. Pala vëzhguese, qëndrimi ideoemocional i së cilës, edhe pse kritikues, nuk e shtragjedizon apatizmin a pamundësinë e saj për të bërë, a ndryshuar diçka.

Kjo psikologji është bërë pjesë e vetëdijes së tyre. Duke krijuar një opinion të fuqishëm që respekton dhe zbaton gjysmëverbërisht ato që pa dyshim mund të quhen doket e vetënënshtrimit. Së fundmi, lypet të theksohet se kushdo që nuk i zbaton këto doke, gjykohet si i padenjë, i ngathët, frikacak, i pazoti për të bërë përpara, për të çarë në jetë. Njeri, të cilin miti i autoritetit të të madhit, kundër të voglit, e mbulon me turp dhe me përbuzjen e shumicës.

Secila nga punët e bëra nga autori i këtyre rreshtave (E. B.), ka në themel përcjelljen e një mesazhi njerëzor, të frymëzuar nga filozofia e ndryshimit dhe progresit. Le të afirmohet mirëkuptimi si kryefjala më jetëgjatë. Madje jo vetëm kaq! Mirëkuptimi le të shndërrohet në art, që njerëzit të bëjnë diçka të vlefshme, të pavdekshme me jetën e tyre. Polisemia e fjalëve, që burojnë nga dëshira për jetë, e pasur me shtresa e nënshtresa të larmishme, përcakton brendapërbrenda, përvojën si karakterizim jo fort i shkurtër i personalitetit.

Ja përse kundër këtij gjakposhtërimi dhe opinioni, ngrihet autori në këtë dramë palaçollëku, duke përcjellë idenë e sfidimit e të çmitizimit të zakoneve të vjetra regresive, bindjeve miope dhe dokeve të shëmtuara, të cilat sjellin kanune fanatikë, triumfe të paditurish dhe e mbajnë shoqërinë brenda kllapave hermetike të disa sistemeve fort të përngjashme me rrugicat qorre.

Bashkësia e sistemit edukues, përbën një nga pikat e forta, për të mos thënë forcën, që përcakton zhvillimin e shoqërisë.

Ky sistem edukues fillon nga familja. Sepse asgjë nuk ka më shumë kuptim për një fëmijë, sesa të riinterpretojë jashtë mureve të shtëpisë, ato që ngjasin brenda këtyre mureve. Është thuajse instiktive që fëmijët të përthithin sjelljet e më të rriturve që i qëndrojnë pranë gjatë viteve të para të jetës. Është e pashmangshme rrjedhimisht edhe kalimi i sjelljeve të kësaj natyre, si sjellje e kushtëzuar, thuajse amorfe, e pa përpunueshme dhe ndryshueshme, pasi kushdo që i qëndron pranë një fëmije gjatë rritjes, nuk i jep vetëm ato që dëshiron t’i japë, por mbi të gjitha ato që dëshiron t’i fshehë. Për të dhënë një shembull të fjalëve të fundit, mund t’ju sillja në vëmendje një sërë anketimesh, statistikash dhe sondazhesh të zhvilluar nga duar dhe mendje të ndryshme, të specializuara, gjatë këtyre dy dekadave të fundit e që kanë dalë në të njëjtin përfundim. Shqiptarët janë kaq të dhunshëm, si pasojë e komplekseve të një fëmijërie të dhunshme. Shifrat janë alarmante. Këta adoleshentë të përjetshëm, nuk specifikojnë dot qartë, as pse-në e sjelljeve të tyre jonormale, që meritojnë të konsiderohen, si shkaqe të mosmarrëveshjeve, që lindin në një komunitet pa vizione, pasione, ëndrra, ngrohtësi, miqësi e mbi të gjitha aktivitet, punë.

Është thënë nga burime të Ministrisë së Arsimit e të Shkencës, se në shkollat e larta, shkojnë suksesshëm 37,5% e të rinjve që mbarojnë shkollat e mesme. Po 62.5% të të tjerëve, që janë edhe shumica, ku do të shkojnë të punojnë apo të specializohen për diçka, në momentin që nuk kanë pasur sukses në arsimin e lartë? Ky 62%-ësh është i përvitshëm, kështu që edhe numri rritet ç’do vit. Tmerr statistikor.

Bëjmë një hop pas, për tu rigjendur tek familja. Hullia e një fëmijërie traumatike, do të thosha, nuk është i vetmi pështjellim. Afatgjatësia e kësaj hullie, ndoshta po. Mosha e këtij represioni brenda katër mureve, i kapërcen 5 dekadat e praktikave pseudokomuniste të rrënjosura me pahir në Shqipëri. Hoxha këtë sëmundje të planetit e solli krejt pahijshëm, turbullt dhe mynxyrshëm. Kritikoi të fortët e planetit që bënë shumë të zeza pas krahëve të vendit tonë, duke skalitur e baltosur legjendën e dekadencës së kapitalizmit, si armë e ftohtë e të fortit kundër të dobëtit. Në anën tjetër, duke qenë i fortë mes të dobëtish, në vendin e tij, i admiruar subjektivisht dhe objektivisht. Bëri po të njëjtat të zeza pas shpinës së më të vegjëlve e të pambrojturve. Ndaj ne e zbatojmë ligjin me përbuzje. Jemi dhunuar, fetishizuar, tendosur e shtendosur, në shërbim të një strukture tradicionalisht të ngurtë, të ngushtë në botëkuptim dhe të vrazhdë edhe për gjënë më të pakuptimtë. Për të mos u kthyer edhe më mbrapa në kohë, për të kujtuar, thuajse 5 shekuj brutalizim të përbashkët, të vetideimit e vetidentifikimit, po e lë këtu këtë paragraf.

Po aq rrëmujë të paefektshme ka sjellë edhe tranzicioni i këtyre 2 dekadave. Legjenda e dekadencës së kapitalizmit, si arma e ftohtë e të fortit kundër të dobëtit, vërtetohet dita ditës. Jo më për t’i dhënë frymë të drejte dokrrës enveriste, por për të treguar se jemi po ne që nuk shpëtojmë dot nga vargonjtë e huliganizmit. Të hamë njëri-tjetrin, shpresëhumbur, në këtë perspektivë të zymtë, duket si rrugëdalje e mençur. Ndoshta është! Koha do të flasë. Për të siguruar mjetet e jetesës, emigrimi ndoshta nuk mjafton. Dëshira e madhe për para, urgjentshmëria në këtë dëshirë, përforcimi i idesë se nuk i dilet ndryshe, duke mohuar konsensusin që diktojnë rregullat e punëve të zakonshme e të rëndomta, motivojnë, shkaktojnë sipërmarrje të çmendura e të rrezikshme, mes së cilave mbizotëron furishëm çdo formë trafiku.

Ideja e krijuar në Evropë, për shqiptarët, nuk mund të jetë më e saktë se kaq. Autoritarizmi ndër ne nuk mund të kuptohet pa dhunë. Në prizmin e mirëkuptimit, komunikimit, mendimit, etikës, organizimit, vlerësimit, nuk ka korrespondon mendja me trupin. Ndërhyrjet pa shkak në jetën e njëri-tjetrit, a të të huajve, interpretimet dhe hiperparagjykimet, alarmojnë edhe më indiferentin e vëzhguesve. Është çështje formimi. Le t’ua lëmë fajin etërve! Ndikimit të tyre të keq, që shërben si shtytkë drejt krimit në rastin e meshkujve dhe vetëshitjes në rastin e femrave. Mjafton t’i sigurosh të ardhura konstante, ose një vend pune të rehatshëm një femre sot, dhe nëse rrethanat janë të përkorëta e po ashtu edhe dëshira, e bën kurvën tënde të përjetshme, ose për aq kohë sa ju lidhin telat e ndërsjellë të tregtisë së të mirave në natyrë. Fakti që dikujt kjo mund t’i duket krejt normave, vërteton shumëcipërisht edhe vyshkjen në mendjen e tyre, të një sërë vlerash, që ndajnë njeriun nga kafsha. Fakti që kjo rrugë mund të sjellë qofte edhe një martesë mes palëve, nuk e përligj hiç atë që de fakto është prostituim i rafinuar. Palët e dinë, komuniteti e di, e të gjithë rrahin shpatullat e njëri-tjetrit me indiferencën më të madhe. Duke u nisur nga kjo predispozitë, ç’familje pritet nga ky bashkim, ç’fëmijë? Asgjë nuk bëhet me unin e përbrendshëm. Me atë që disa e quajnë shpirt. Çdo gjë me laps e letër, me makinë llogaritëse! Në fund çifteve nuk u besohet se duhet fillimisht të rrisin njëri-tjetrin, pastaj fëmijët. Që nga emrat e përveçëm të këtyre të fundit, e kupton se prindërit janë raste eklatante të filozofisë konsumiste, kaq të duartrokitur kohët e fundit.

 Edhe pse autorit i është kërkuar përsëritazi të jetë sa më sintetik me lexuesin, rishtas nuk beson sinqerisht se ekzistojnë fjalë të mëdha ose të vogla. Ekzistojnë vetëm ata njerëz që e zvogëlojnë veten para leximit të disa fjalëve që i hasin rrallë.

Pra le të sintetizojmë! Filozofia konsumiste, në rastin më delirant, shpërfaqet në mendjet dhe idetë e individëve që konsumin e bëjnë gërshet me trendin. Më konkretisht do të thosha se në momentin kur dikush ka blerë iPhone 5, edhe pse duke pasur në dorë një të tillë, në gjendje të shkëlqyer, por thjesht të një gjenerate më të vjetër, po themi iPhone 3 ose 4, ky dikush mund të quhet viktimë e trendit. Mesatarja e të ardhurave për frymë në vendin tonë është 200 $ në muaj. Një telefon i këtillë kushton minimalisht 3 herë kaq.

Për sa u takon emrave të përveçëm, problem që e lamë më lartë, trendi ndërthur absurdin me veten. Frymëzim bëhen filma, telenovela, sporti, moda etj. dhe ne gjendemi mes njerëzve që do të rriten e burrërohen me emra fëmijësh, mes lokalesh që emërtohen në gjithfarë formash e gjuhësh, që nuk kanë të bëjnë fare me atë çfarë ndodh në ambientet e tyre.

Pas një sërë peripecirash groteske, shpresoj që më në fund të gjejë zgjidhe fatlume konflikti mes tavolinave të lokaleve, trotuareve dhe këmbësorëve në to. Të detyruar nga antipatia për qytetarinë, të dyja palët dorëzohen dhe pranojnë paqen. Le të bëhen lokale, bare e restorante kudo! Në to të ulemi e të rijmë gjithë ditën dukë gjeneruar një hiç propagandistik, ose ndoshta fjalë edhe më boshe se kaq. Jam i bindur se nëse do të gjendej mundësia për tu dhënë secilit nga shqiptarëve të mijë të shtrenjtë jo më pak se 100 mije €, me qëllim që të hapnin ndonjë lokal diku, askush nuk do të refuzonte. Paratë jo e jo, por edhe plan-biznesin e ofruar. Pra le të aplikojmë tregun e lirë, kapitalizmin, duke hapur secili biznese personale siç edhe po ndodh. A është ky kapitalizmi, i mbështetur mbi iniciativën private?! A jemi të zotët ne të sjellim në jetë një ide si kjo, e cila, më së shumti, të jep përshtypjen e një ideali?!

Mes rrokaqiejve të vrazhdë të konsumizmit, nuk gjendet kohë për veten, për meditim, ftillim, reflektim e sinqeritet. Duhen, përkundrazi, siguruar para për fundjavën, për pushimet, duhet marrë kredi për dasmën, për makinën… Ky burg i përbashkët më kujton një fjalim vërtet të ndjerë të Jimmy Carter-it, gjatë mandatit të tij si President i SHBA. Mes të tjerash ai shfaq haptazi qëndrimin e tij të kushtëzuar nga rrethanat e të vërtetuar historikisht kohë më vonë. “…Jemi në një pikë kthese të historisë sonë, shumë prej nesh tashmë janë të prirë të adhurojnë vetëkënaqësinë, konsumin. Identiteti i njeriut nuk definohet më nga vepra e tij por nga kamja e tij. Ky nuk është një mesazh lumturie ose ngushëllimi, por është e vërteta dhe njëherazi një paralajmërim”. Shumë më shumë njerëz po varfërohen, ndërkaq një pakicë e frikshme, pasurohet e fuqizohet duke afruar rreth vetes hutat që bëjnë një punë shpërfytyruese e të pafisshme, siç është ajo e nxjerrjes së qytetarisë nga qytetet, madje e zhdukjes së qytetarëve, duke tradhtuar kështu atë që për hir të një verbie afatshkurtër i dhanë besimin.

Televizionet po ashtu kanë tavolina, ku dystohen shume zonja dhe zotërinj për të diskutuar për gjithfarë temash argëtuese e shqetësuese. Pra edhe televizionet përngjajnë me kënde të ngrohta lokalesh, ku individë të kompetencave të ndryshme shpalosin arsenalin llafollogjik e ideor, konfrontojnë teza dhe antiteza, grinden, bashkohen dhe rishtas gricen. Mund të thuhet se trendi i fundit janë këndet televizive. Nuk ka shqiptar që nuk do të gjendej fare mirë, duke pirë kafe me njërin apo tjetrin moderator, gjatë një debati të ethshëm. Pse të mos e hedhë edhe i vogli një romuz të madh.

Mjafton një zapping i shpejtë i kanaleve shqiptare për të kuptuar se “Blloku i ri” është brenda studiove të televizioneve. Ndaj duhet bërë diçka e shquar për të merituar ftesën në këto “lokale chic”.

Evropa dhe Shqipëria! Një çudi që e meritojmë! Është folur e thënë kaq shumë, edhe në ato “lokalet chic” madje. Janë përthyer ndrydhur e rispërdredhur mendime e ide jo fortë konstante. A thua politika të jetë dashuri për një burrë dhe urrejtje për një tjetër burrë njëherazi. A thua vendimmarrja të perceptohet si një mundësi për të përshpejtuar zgjidhjet e problemeve që na qëndrojnë më pranë e mend na prekin. Kaq! Pa kurrfarë doktrine liberale për majtas a konservatore për djathtas. Thjesht kuvendo, përforco, mësyj, këmbëngul e mos lër radhë. Jepini shembullin e mirë bijve tuaj, ju baballarë të kombit. Bindini të mos kenë frikë e të mos i druhen ligjeve, si t’i druheshin hasmit. Silleni në binarë këtë familje 2 milionëshe! Filozofia politike është një shfaqe e reflektimit me dëshirën për të përmirësuar jetën kolektive. Ata që nuk kanë gjumë prej këtij reflektimi, janë engjëj, të tjerët mbeten thëngjij të mbuluar. Do të thosha se konflikti mes nesh, nuk gjenerohet aq nga gabimi apo dëmi, sesa nga “mangësia gjuhësore” që nga imponon e pengon ne të themi “…Më fal, e kisha gabim!” Të pranojmë gabimin dhe të kërkojmë ndjesë do të mbetet edhe për shumë kohë një “e metë mendore”, për të gjithë ne. Thjesht nuk na vjen për mbarë!

Prej kollajllëkut të të gënjyerit të debatuesve në TV, të vjen edhe vetë të gënjesh. Pasi strukturimi i një gënjeshtre është aq i kollajtë sa duket përrallor. Mjafton të shtosh në përrallë detaje pas detajesh, hollësi pas hollësish, sipas dëshirës. Askush tjetër nuk e di se po llomotit më kotë. Ndaj karshi kurrkujt s’ka pse të ndjesh faj!

Media vizive për politikën të tërësi luajti rrolin e MTV, në lidhje me muzikën. I shtoi muzikës një hollësi të pakuptimtë, videoklipin. Kësisoj u bastardua industria muzikore, aq sa videoklipi thuajse e eliminoi muzikën e vërtetë, dukë lënë vetëm imazhin.

Po e njëjta gjë ndodh me artistët e pushtetit. Media propagandon në të pakryerën. E kjo e pakryer, nuk kryet thuajse kurrë.

Sipas Aristotelit, e vërteta është se ambicia e njeriut dhe dëshira e tij për të bërë para, janë ndër arsyet kryesore që shkaktojnë padrejtësitë.

Ata që nuk gjejnë gjumë, për shkak të kësi reflektimesh, janë shkaktarë të cenimit të dinjitetit të njeriut, janë një shuplakë e turpshme për të shnderuar vetë nderin.

***

Në cirk, gjatë veprimit, përtej arenës skenike, prapa dy tre shkallësh qëndron publiku, masa. Të dyja palët, si publiku ashtu edhe akrobatët e palaçot, e kanë të qartë e të ngurtësuar brenda vetes, pozicionin në këtë arenë. Njëra palë konsiderohet vepruese, e zotë dhe e nderuar. Sfiduese e dokeve dhe e opinioneve, që ka mësuar t’i konfrontojë duke i vërsulur kundër opinionin e moralit të lartë populist, në antitezë me antimoralin. Pala tjetër, në anën e saj, është marrë gjithnjë në konsideratë si vëzhguese, edhe pse në grupin e njerëzve në brendësi dhe rreth saj, ka mjaft kundërshtime e një lloj revolte, kundrejt shfaqjes, që shprehet me britma, lëvizje e gjeste. Kjo fare pak rëndësi ka. Pala vëzhguese, qëndrimi ideoemocional i së cilës, edhe pse kritikues, nuk e shtragjedizon apatizmin a pamundësinë e saj për të bërë a ndryshuar diçka.

 

 

 

 

Share it :