Ditëlindja e 24-t/ Pakënaqësitë brenda partisë dhe fushata shtyjnë festën e PS-së pas zgjedhjeve

Gëzim Saliu

Ditëlindja e 24-t Urimet për festën e PSUrimet për festën e PS-së vetëm në FB. Rama: Festojmë me fitore domethënëse në 21 qershor. Majko: PS “rilindi” mbi trupin e Partisë së Punës

Pa festë dhe ngjarje përkujtimore, Partia Socialiste shënoi dje 24-vjetorin e krijimit të saj. Fushata për zgjedhjet vendore, por edhe pakënaqësitë brenda radhëve të socialistë detyruan shtyrjen e festës në një kohë të dytë pas zgjedhjeve vendore, gjë e cila është ripërsëritur më parë edhe në vitin 2013. Të vetmet detaje që bën të mundur të kuptonim se dje për socialistët ishte një ditë feste ishin mesazhet e drejtuesve të partisë dhe deputetëve në rrjetin social “Facebook”, të shoqëruara në shumë raste me propagandë politike lidhur me datën e 21 qershorit. Por krejt ndryshe nga të gjithë, deputeti socialist Ben Blushi përmes një shkrimi editorial në “lapsi.al” deklaroi dje se në këtë ditë kishte një urim “të veçantë” për festën e PS-së. Në analizën e tij, anëtari i kryesisë së PS-së shkruante se kjo e fundit nuk është më parti. “Shumë miq më kanë nisur urime për përvjetorin e Partisë Socialiste që është sot me 12 qershor. Nuk i kam kthyer askujt përgjigje. Kam gjithë ditën që e mendoj në duhet apo jo të kthej përgjigje dhe meqë kam një dileme po e ndaj publikisht. Është apo jo Partia Socialiste një parti? Unë them se Partia Socialiste ka qenë, por nuk është më një parti”, – shkruante Blushi. Më tej ai e cilësonte Partinë Socialiste për të varfrit si një argëtim estetik. “E shohin në televizor, si një serial, por nuk kanë të drejtë të ndryshojnë as skenarin dhe as personazhet e saj. Është partia e shtëpiakëve që merren me politikë. Asgjë më shumë. Ajo nuk u jep atyre as punë, as shpresë dhe as demokraci… Nëse je i pasur mund të blesh kohën televizve të seriali i Partisë Socialiste dhe të bëhesh deputet, kryetar bashkie, drejtor, inspektor, tatimor, ushqimor, pagator, rrogator, kurator dhe natyrisht donator. Të pasurit janë seriali. Pushteti është ideali. Të varfrit janë materiali”, – deklaroi Blushi.

 

Urimet në rrjetin social

Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama, uroi të gjithë socialistë dje që në orët e para të ditës ku shprehu vlerësime për ata që e krijuan dhe drejtuan në të gjitha nivelet. “PS ne gjithë rrugëtimin e saj ka ditur te jete mbrojtës i denje i interesit kombëtar dhe mishërim i demokratizimit shoqëror; bashkësisë politike te plot fitoreve e arritjeve për Shqipërinë dhe te ringritjes se guximshme e te suksesshme pas dështimit, ne një rrugëtim tanimë te gjate thuajse çerek shekulli; mirënjohje për te gjithë ata qe me përkatësinë e tyre shpirtërore e politike ne këtë familje te madhe e rriten dhe fuqizuan Partine Socialiste si fuqinë e padiskutueshme te ndryshimit; faleminderit kujtdo qe e votoi qofte edhe një here te vetme PS ne tere këto vite dhe investoi tek kjo force e madhe e ndryshimit besimin tek Shqipëria”. Në fund mesazhin e tij, Rama e mbyll me urimin për një fitore në zgjedhjet vendore. “Le ta festojmë këtë ditëlindje me një fitore domethënëse ne 21 qershor! Për Partine Socialiste dhe si gjithmonë për Shqipërinë qe duam”. Ndërkaq anëtari i kryesisë së PS-së, ish-kryeministri Pandeli Majko uroi të gjithë socialistët duke theksuar: “Sot 12 qershor ditëlindja e Partisë Socialiste. “Rilindi” mbi trupin e Partisë se Punës dhe idealeve me te mira te Luftës Nacional Çlirimtare një organizëm politik qe do te shkruante historinë e Shqipërisë ne mënyrën e vet me vlera dhe gabime, me eksperienca dhe korrigjime. Sa emocione dhe kujtime qe te “pëshpëritin” ne vesh ne këtë dite qe ndau te kaluarën nga e ardhmja për te Majtën shqiptare. Gëzuar dhe ju uroj me te mirën për te ardhmen e përbashkët”.

 

Kandidati i PS-së për Kavajën, Elvis Roshi i dënuar në 2000-shin për plagosje me dashje

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i cili rikandidon në 21 qershor për këtë post rezulton i dënuar në vitin 2000 nga Gjykata e Shkallës së Parë të këtij qyteti për plagosje me dashje. I denoncuar nga opozita si person me precedentë kriminalë, Roshi rezulton i dënuar në mungesë për plagosje me dashje. Dokumenti vërteton se Prokuroria ka kërkuar dënimin me 2 muaj burg për plagosje dhe armëmbajtje pa leje për Ervin Roshin, të birin e Azemit dhe Nasijes, i datëlindjes 1979, lindur dhe banues në Kavajë, i papunë dhe me arsim të mesëm. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Osman Aliu dhe anëtarët Astrit Haxhialushi dhe Arben Mullaj me 18.09.2000. Avokati mbrojtës në seancë ka qenë Luan Mansaku, ndërsa prokurori Musa Mulkurti. Opozita ka hedhur dyshime se Roshi figuron të ketë pasur probleme me drejtësinë edhe në Itali, por deri tani këto pretendime nuk janë vërtetuar. Nga ana e tij kandidati i së majtës për bashkinë e Kavajës i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e opozitës duke i cilësuar si të pavërteta.

 

Puna e detyruar e fëmijëve/ Dako: Mandati i ardhshëm do jetë mandati i njerëzve në nevojë

Në kuadrin e 12 qershorit, Ditës Botërore Kundër Punës së Detyruar të Fëmijëve, u organizua në Durrës mbrëmja e bamirësisë “Melodia e Shpresës”, me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve si edhe Qendrës Komunitare “Sot për të Ardhmen”.Në mbrëmje morën pjesë kryetari Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Prefekti Roland Xhelilaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj si dhe deputetë e të ftuar të tjerë. Nga ana e tij, kreu i bashkisë së qytetit bregdetar ritheksoi sërish zotimin e tij se mandati i ardhshëm në krye të bashkisë do të jetë mandati i njerëzve në nevojë. “Ky mandat i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit do të jetë i fokusuar në ndihmën që bashkia do të japë në favor të njerëzve në nevojë. Kjo është një sfidë e madhe që kemi përpara. Ka shumë njerëz të cilët kanë problematika nga më të ndryshmet. Janë shumë gra që kanë humbur bashkëshortët dhe kanë shumë fëmijë për t’u kujdesur. Ka njerëz me aftësi të kufizuar që kanë nevojë për një dorë ku të mbështeten, dhe këtë dorë ata do ta kenë këtë mandat, duke ju dhënë më shumë shërbime e duke shtuar fondet e bashkisë për ta”, – tha Dako.

 

Në Bërzhitë/ Veliaj: Mbulim i plotë i transportit publik, shkollë e re 9-vjeçare

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj premtoi dje në Bërzhitë ngritjen e një shkollë të re 9-vjeçare dhe mbulim të plotë me transport publik. Në prezantimin e programit të tij për këtë zonë, Veliaj deklaroi se e votuar numrin 6 në datën 21 qershor, qytetarët e Tiranës do të votojnë për një kryetar bashkie që shkon në punë dhe i rri punës te koka. “Gjëja e parë, do ta mbulojmë Bërzhitën me transport publik sepse sot është e pafalshme që dikush që banon në Bërzhitë duhet të paguajë një faturë të kripur për të zbritur deri në Tiranë. Do të kemi një linjë transporti për Bërzhitën, ku çdo qytetar i Tiranës, nuk ka rëndësi nëse jeton në Krrabë, në Bërzhitë, në Baldushk, Petrelë apo në Farkë, apo në çdo lagje të re të Tiranës, do të trajtohet njësoj me respekt, nga i njëjti shërbim me standarde”, – deklaroi Veliaj. Ai premtoi se pas 21 qershorit, bashkia do të përfundojë ujësjellësin në Ibën e Sipërme, te Kafja e Xhafës dhe në Dobresh.

 

 

 

Share it :