Deutsche Welle”: Anija në Durrës ka mbetje kancerogjene, po heton dhe BE

Kontenjerët e nisur nga Shqipëria në Tajlandë më 4 korrik dhe të kthyer në Durrës së fundi, mbahen të sekuestruar nga prokuroria e Durrësit. Organizata ndërkombëtare BAN dyshon se bëhet fjalë për lëndë kancerogjene.

Pasi përshkoi dy porte të Bashkimit Europian, një në Afrikën e Veriut dhe një në Afrikën e Jugut e së fundi përfundoi në Azi, 102 kontenjerët me mbetje të rrezikshme – për të cilën ka dyshime se përmban lëndë kancerogjene – u rikthye sërish në Shqipërinë portin e Durrësit, aty nga u nisën më 4 korrik të këtij viti. Katër muaj më parë, ngarkesa u nis drejt kompanisë “Copper Metal Company Ltd” në Tajlandë, kompani pa kapacitetin e nevojshëm për trajtimin e mbetjeve të tilla. Por një informacion i marrë përmes një burimi konfidencial nga “Basel Action Network” (Rrjeti i Veprimit të Bazelit), organizatë mjedisore me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngriti alarmin se ngarkesa përmbante mbetje të rrezikshme.

Mbetjet e rrezikshme, tranzit në disa porte

“Mbetjet lëvizën fillimisht drejt Italisë. Aty sasia u ngarkua në dy anije të ndryshme tregtare të kompanisë “Maersk”: “Maersk Candor” dhe “Maersk Campton”. Të dyja anijet përshkuan të njëjtin itinerar, por ato lundruan shumë ditë larg njëra-tjetrës. Nga Italia udhëtuan drejt Maltës, Marokut, Afrikës së Jugut dhe më pas Singaporit. Mendohet që ato kaluan përmes bregut perëndimor të Afrikës për të shmangur zonën e Detit të Kuq, për shkak të piraterisë Houthi. Anijet kishin vendosur të ankoronin në Afrikën e Jugut por pasi ne njoftuam qeverinë, aëherë ato fikën fenerët lokalizues deri afër Singaporit. Kjo “zhdukje në errësirë” ishte shumë e pazakontë “– thotë për Deutsche Welle Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i BAN.

Frika e BAN lidhej me përmbajtjen e pluhurit të këtyre kontenjerëve, të cilët i përkasin “Kurum”, kompanisë turke të industrisë së përpunimit të çelikut në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. “Ne druhemi se kjo ngarkesë përmban lëndën që pretendon burimi ynë konfidencial: pluhur çeliku që çlirohet nga furrat me hark elektrik. Nga BE është përcaktuar si mbetje e rrezikshme. Hiri që grumbullohet në filtrat e furrave përmban kryesisht metale të rënda të rrezikshme si plumbi, kadiumi, zinku, nikeli etj. Por përmban gjithashtu elementë toksikë, që shkaktojnë kancer, si për shembull dioksinat, furani, hidrokarburet aromatike policiklike” – sqaron Puckett.

Vetë kompania “Kurum” nuk e ka pranuar deri tani se ngarkesa i përket kompanisë. Në një reagim për mediat më 21 gusht të këtij viti, pasi BAN ngriti alarmin për lëndën e dyshuar, kompania tha: “Kurum International nuk ka eksportuar asnjëherë mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilen bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Mbetjet nga “Kurum” rezultuan të ishin blerë nga kompania eksportuese “Sokolaj” – tashmë nën hetim nga prokuroria e Durrësit – e cila pretendon se nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme.

Gjatë gushtit, përmes një njoftimi të përbashkët për mediat, ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës, u shprehën njëzëri kundër rikthimit të sasisë së mbetjeve që ishin nisur drejt Tajlandës. “Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Kontaminim i mjedisit dhe shëndetit

Valbona Mazreku, biologe dhe njëkohësisht drejtore ekzekutive e “Milieukontakt Albania”, organizatë që bashkëpunon me shoqërinë civile në çështjet mjedisore, është pjesë e grupit të organizatave që po bashkëpunon me BAN për transparencën e plotë të kësaj ngjarjeje që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare.

“Përpara se kontenjerët të ngarkoheshin në anije, është vënë re qe pirgu i mbetjeve ka qenë në ambient të hapur dhe nën veprimin e faktorëve atmosferikë, ka ndotur mjedisin përreth – ajrin, tokën dhe ujin – por edhe shëndetin. Gjithsesi, vetëm pasi të bëhen analizat mund të flitet më shumë në lidhje me të. Por besohet që këto mbetje në kontenierë janë ende të hapura dhe do të kenë nevojë që të bëhet paketimi i tyre sipas llojit të mbetjes dhe protokollit përkatës, domethënë në ambalazhe tepër të sigurta dhe që nuk korrodohen nga faktorët atmosferikë dhe nuk lejojnë kullime të mundshme” – argumenton Mazreku për DW.

Sipas Mazrekut, marrja dhe analizimi i mostrave duhet të bëhet nga subjekte të specializuara dhe të licensuara. “Kërkon jo vetëm profesionalizëm, por mbi të gjitha transparencë dhe informim të plotë të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë” – thekson ajo.

Transparencë kërkoi edhe BAN, por kërkesa e tyre është refuzuar deri tani nga ministria e Mjedisit. “Jemi takuar me zv.ministrin e Turizmit dhe ai nuk pranoi kërkesën tonë për të qenë të pranishëm në marrjen e mostrave nga kontenjerët. Ai na referoi tek prokuroria, e cila po heton çështjen. Ne do t’ia dërgojmë kërkesën prokurorëve” – thotë Puckett.

Hetimet kanë kaluar këtë herë kufijtë e territorit shqiptar. OLAF, Zyra Anti-Mashtrim e BE-së, duket se është përfshirë në hetimet e ngarkesës me lëndë të dyshuar të rrezikshme. Dokumentacioni shoqërues për eksportin e 2100 tonelatave mbetje, të cilat kanë kaluar tranzit edhe në dy portet europiane, pritet të zbardhë shumë detaje ende të paqarta nga e gjithë kjo histori.

Deutsche Welle kontaktoi zyrën e shtypit të Komisionit Europian, për një koment në lidhje me ngjarjen dhe i pyeti ata nëse institucionet e BE-së janë përfshirë në hetime. Deri në çastin e publikimit të këtij shkrimi, KE nuk iu përgjigj interesit tonë.

“Direktivat e BE-së, gjithnjë e me shumë po bëhen më të rrepta në lidhje me eksportin e këtyre mbetjeve drejt vendeve jo-BE, që nuk kanë kapacitetet për riciklimin apo trajtimin përfundimtar të tyre, duke e ndaluar plotësisht një gjë të tillë. Dhe besoj biem të gjithë dakord që Shqipëria kërkon të jetë pjesë e BE-së jo vetëm me fjalë por dhe me vepra” – thotë Mazreku.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news