Dëshmia e Xhoana Hilës/ Shkodër, Gjykata e lë në qeli, mbesa: Gjyshen e mbyti i dashuri me jastëk

 

Artan Cena

 erando-qatipi-xhoana-gjyshjaÇifti kishte hyrë për të vjedhur në banesën e gjyshes, e cila i kishte diktuar duke sjellë edhe vrasjen e saj. Hila ka treguar se “i dashuri i saj, Erando Qatipi, ishte në gjendje të dehur”.

 E reja e cila së bashku me të dashurin dyshohet se dhunoi deri në vdekje gjyshen e saj, do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve. Gjykata e Shkodrës vendosi për Xhoana Hilën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Në burg do të qëndrojë edhe i dashuri i saj Erando Qatipi, i cili është në kërkim nga policia. Të dy akuzohen se dhunuan të moshuarën Anxhe Hila, pasi ajo i pikasi duke kryer grabitjen në banesën e saj. Por 30-vjeçarja ka thënë në seancë se nuk e vrau ajo gjyshen, por i dashuri i saj i cili ishte në efektin e alkoolit. Hila ishte rritur nga gjyshja e saj, por ajo gjithashtu i siguroi strehë, pasi 30-vjeçarja u divorcua dhe mbeti në mes të rrugëve.

 

Masa e sigurisë

Gjykata e Shkodrës ka lënë në qeli Xhoana Hilën ndërsa ka shpallur në kërkim Erando Qatipin të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë vrarë gjyshen e kësaj të fundit. 82-vjeçarja u vra nga çifti i të rinjve në banesën e saj. Ajo u mbyt me jastëk dhe më pas Qatipi dhe Hila i kanë marrë asaj disa bizhuteri floriri, dy unaza, një orë floriri dhe një shumë të hollash (lekë). Në gjykatë vajza ka deklaruar se vrasja u krye nga Erando Qatipi pasi ishte nën efektin e alkoolit. Sipas prokurorisë dhe policisë së Shkodrës 32-vjeçarja Xhoana Hila, nënë e një fëmije së bashku me të dashurin e saj kanë vrarë 82-vjeçaren Anxhe Hila në banesën e të moshuarës. Viktima u gjet e pajetë më 22 shkurt të këtij viti në shtëpinë e saj në qytetin e Shkodrës. Asokohe policia ngjarjen e zbardhi pa autor të dyshuar, ndërsa vijoi punën në rrugë operative për identifikimin dhe arrestimin e tyre. 3 muaj pas ngjarjes, në 23 Maj, blutë arrestuan mbesën e viktimës Xhoana Hila dhe të dashurin e saj Erando Qatipi, ndërsa një ditë më parë gjykata u dha masën e sigurisë “Arrest me burg” për ta. Para gjykatësve Xhoana Hila ka deklaruar se ka qenë i dashuri i saj që nën efektin e alkoolit ka kryer vrasjen duke e mbytur me jastëk dhe me duar në fyt, pasi e moshuara i ka zbuluar teksa merrnin para dhe bizhuteritë e saj, çka është pranuar edhe nga vet 27-vjeçari para togave të zeza gjatë komunikimit të masës.

 

E rriti gjyshja

Nga hetimet, Prokuroria e Shkodrës ka zbuluar se, Xhoana Hila është rritur nga gjyshja dhe ka jetuar me të deri në ditët kur ka ndodhur krimi. Mësohet se 32-vjeçarja ka qenë e martuar, por pas divorcit, është rikthyer të jetojë me gjyshen në banesën e saj dhe prej rreth një viti aty kishte shkuar edhe Erando Qatipi, i dashuri i saj. Vdekja e 82-vjeçares është zbuluar nga djali i saj emigrant në Itali, Tonin Hila, pasi e ëma nuk i përgjigjej në telefon. Dyshimi se është vrasje dhe shkuarja tek emri i mbesës ka ardhur pasi kjo e fundit së bashku me të dashurin ishin zhvendosur po atë ditë për në Tiranë, ndërkohë që në banesën e të moshuarës, kishte shenja grabitje. Ata kanë njoftuar të afërmit se do të largoheshin në Tiranë për mundësi më të mira jetese. 32-vjeçarja dhe 27-vjeçari u arrestuan në Shkodër të shtunën e 23 Majit për akuzën “Vrasje me dashje”. Sipas policisë ata kishin vjedhur disa bizhuteri floriri, dy unaza, një orë floriri dhe një shumë të hollash në para.

 

Mashtroi të fejuarën dhe e nxori në rrugë që të shiste trupin

 Një i dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Apelit në Vlorë që në vitin 2005-n, është ekstraduar nga Zvicra drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin. Zyra qendrore Interpol Tirana ka kryer ekstradimi nga Zyrihu drejt vendit tonë shqiptarin Fatos Sakolli, 41 vjeç, lindur në Berat. Ky ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Beratit, me vendimin numër 91, datë 29 qershor 2005, e ka dënuar këtë person me 10 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin në datën 30 shtator 2005, e ka dënuar përfundimisht me 15 vjet burg. Ky person me anë të mashtrimit për fejesë, kur kanë shkuar në Belgjikë, ka detyruar një vajzë me inicialet K. K., që të ushtonte prostitucion kundër vullnetit të saj. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Bernën, është bërë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Sakollit. Në Aeroportin e Rinasit ky person i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

I ndërpritet KEMPI, i riu me probleme tenton vetëvrasjen

 Një 23-vjeçar me probleme mendore ka tentuar vetëvrasjen në Durrës, duke u vetëqëlluar disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Babai Nikollë Ndreaj, ish-punonjës policie deklaroi se shkak i ngjarjes është bërë ndërprerja e KEMPIT prej dy muajsh. Me lot në sy ai ka rrëfyer situatën dëshpëruese në të cilën është zhytur djali i tij i vetëm dhe familja Ndreaj. I ndodhur në këto kushte, 70-vjeçari apelon për më shumë vëmendje ndaj djalit të tij 23 vjeçar, i cili rrezikon të përsërisë të njëjtin akt si ai i kësaj të diele.

 

Gjykata rrëzon pezullimin e policit që kërcënoi vëllain e Zef Hilës

 Gjykata e Shkodrës ka rrëzuar një ditë më parë kërkesën për pezullimin e efektivit të policisë Gjergj Dodani, i cili akuzohet se ka sulmuar vëllanë e kandidatit të PD-së për Vaun e Dejës. Pak ditë më parë Edi Paloka në emër të Partisë Demokratike denoncoi sulmin e bërë ndaj vëllait të kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Vaut të Dejës, në Shkodër. Fred Hila deklaroi se është sulmuar me armë ndërsa udhëtonte me makinë nga një polic i zonës, ndërsa Paloka tha se kjo s’është gjë tjetër veçse implikimi i policisë në fushatën e qeverisë. Sipas tij, qeveria po e përdor policinë për dhunë e presione. Ministria e Brendshme reagoi ndaj deklaratave të Selisë Blu. Një njoftim për mediet, Ministria e Brendshme shprehet punonjësi i Policisë i akuzuar, Gjergj Dodani është shoqëruar në Komisariat dhe i është nënshtruar hetimit ku është përfshirë menjëherë edhe Prokuroria. “Në qoftë se Paloka ka interes të dijë të vërtetën lidhur me çfarë ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit lidhur me incidentin të cilit i referohet, në kryerjen e detyrës së tij si shpifës profesionist, mjafton që Partia Demokratike të informohet nga kandidati i saj. Me kandidatin jo vetëm Ministri i Punëve të Brendshme, por edhe vetë Kryeministri kanë qenë në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm, për të dëgjuar versionin e tij për ngjarjen, si edhe për ta informuar mbi veprimet e menjëhershme të ndërmarra për zbardhjen e plotë të incidentit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Më tej MPB sqaron se polici i shoqëruar është pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve dhe nëse rezulton fajtor do të marrë ndëshkimin sipas ligjit, ndërsa i kujton PD-së situatën në të cilën qeverisja e saj e kishte lënë Policinë e Shtetit.

 

Share it :