Deputeti socialist Taulant Balla është dënuar dje nga Gjykata e Lartë për shpifje ndaj djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berishës. Vetë Shkëlzeni me një mesazh në Facebook ka rrëfyer se më në fund u provua nga një palë e tretë që s’ka lidhje me “Austrian Lottery”. “Dënimi sot nga Gjykata e Apelit, – shprehet Berisha në FB, – i një shpifësi profesionist, i cili, për shkak të aftësisë së tij të spikatur profesionale në fushën e shpifjes, është zgjedhur si sekretar i grupit parlamentar të PS, është një lajm i mirë për tre arsye: Së pari, sepse opinioni publik mësoi nga një palë e tretë, pra nga Gjykata e Apelit, që akuzat e bëra ndaj meje nga këta zanatçinj të baltës politike, për medemek lidhje me Austria Lottery, janë shpifje dhe asgjë tjetër. Së dyti, sepse kjo lojë e ulët nga sot nuk është më e pandëshkueshme dhe së treti, dënimi i sotshëm nxjerr në pah nevojën për kriminalizimin e shpifjes si mjet lufte politike”. Në një deklarate të bërë në fillim të këtij viti, Shkëlzen Berisha hodhi poshtë akuzat e Ballës dhe deklaroi se ishte motra e deputetit socialist, Fjoralba Balla Soukis dhe kushërira, Aurora Cekani, që merrnin para nga “Austrian Lottery”.
Falsifikonin pijet alkoolike të huaja, pranga 4 personave
Katër persona janë vënë në pranga pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin prodhonin pije alkoolike të markave të huaja. Sipas burimeve policore shtetasit e arrestuar janë Qemal Xhafa, Edlir Hasa, Ndriçim Hasa dhe Kristaq Jorgo, të gjithë banues në Tiranë. Pijet mbusheshin në katin e parë të banesës së Edlir Hasas, e cila ishte kthyer në një punishte ku prodhoheshin pije të ndryshme alkoolike mbi të cilat bëhej stampimi i tyre me etiketa të falsifikuara nga markat e huaja. “Arrestimi i këtyre personave u bë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta persona duke shfrytëzuar licencën që kompania “Deis” kishte për prodhimin e disa pijeve alkoolike me emërtimin “Deis” prodhonin dhe hidhnin në shitje pije të ndryshme të markave të mirnjohura ndërkombëtare si “Gordons Gin”, “Fërnet Branca”, Amaro “Disarono”, “Wiskey”, “Jack Daniels”. Gjithashtu në këtë punishte dyshohet se prodhohej dhe hidhej për shitje edhe konjaku “Skënderbeu” dhe vera “Merlot” thuhet ne njoftimin e policisë.
Durrës, pranga dy të rinjve që u kapën me 90 doza drogë
Dy të rinj, të cilët u kapën me lëndë narkotike janë arrestuar ditën e djeshme nga Policia e Durrësit. Të arrestuarit janë Mariglen Pukameta, 22 vjeç, banues në Kavajë dhe Emiljan Jorgo, 22 vjeç, banues në Durrës. Burime të policisë rajonale bënë të ditur se, gjatë kontrollit të ushtruar nga uniformat blu, dy të rinjve iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 90 doza me rreth 70 gramë lëndë narkotike kanabis sativa. Mësohet se Pukameta dhe Jorgo ishin prej disa kohësh nën vëzhgimin e agjentëve të policisë. Hetimet e mëtejshme do të kryhen nga Prokuroria e Durrësit për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Masakra e Thumanës, pranga për dy vëllezërit Kora dhe ndihmësit
Dy nga tre vëllezërit Kora të dyshuar si autorë të masakrës së Thumanës janë vënë në prangat e policisë dhe bashkë me ta dhe katër shtetas të tjerë që akuzohen për përkrahje të autorëve të krimit. 30-vjeçari Besnik Kora është dorëzuar vetë në policinë e Lezhës, ndërsa i vëllai Danieli, 28 vjeç është kapur në Rrëshen nga shërbimet e policisë. Drejtoria e policisë së qarkut Durrës njoftoi se vijon puna për kapjen e vëllait të vogël, Pëllumb Kora, 26 vjeç. Policia ka kapur edhe shtetasit Preng Gjeta 54 vjeç, Paris Gjeta, 22 vjeç, Ardian Gjonaj, 36 vjeç si dhe Shpëtim Nikolla, 44 vjeç. Këta persona janë të afërm të autorëve të dyshuar dhe besohet se i kanë ndihmuar që të largohen nga vendngjarja natën e krimit. Nga hetimet e para rezulton se Shpëtim Nikolla, që është kapur në Thumanë, ka ndihmuar Preng Gjetën, Paris Gjetën dhe Ardian Gjonajn, që natën e krimit të strehoheshin në familjen e tij në Thumanë e më pas janë larguar për në Laç, ku dhe janë kapur. Një ditë më parë është kapur në Laç babai i tyre Gurali Kora, që ka marrë përsipër autorësinë e krimit ku mbetën të vrarë Fran Çeku, Arben Çeku, babë e bir dhe nipi i tyre Eno Rama, 20 vjeç, ndërsa u plagos rëndë Luçie Çeku, nëna e Arbenit. Por grupi hetimor hedh dyshime për versionin e tij, pasi në ngjarje janë përdorur dy armë zjarri, një pistoletë dhe një automatik. Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 qershor dhe shkak besohet se ka qenë një sherr i çastit mes palëve.




