Ervin Kaduku
– 1.6 milionë euro, të akorduara nga ana e qeverisë “Berisha” për dëmshpërblim të zonave veriore, mbeten me gisht në gojë …
Tallje e radhës e qeverisë Rama me banorët fatkeqë, të përmbytur në zonën veriperëndimore të vendit vite më parë. Pas pritjes së gjatë për të marrë dëmshpërblimin, si dhe gëzimit kur morën vesh shumat përkatëse të akorduara nga qeveria Berisha, tani pason zhgënjimi. Jo vetëm që ata që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike nuk do të marrin asgjë, por, ata që kanë një detyrim më të madh në fatura se sa është dëmshpërblimi, duhet të paguajnë shtesë për të likuiduar faturat.
Pra, nuk ka pirë ujë logjika formale se ata që janë përmbytur, që kanë humbur biznese e shtëpi, orendi e bagëti me të cilat mbanin frymën, nuk kanë para të paguajnë. Kjo është një goditje e radhës për zonat që vazhdimisht kanë qenë bastion i forcave politike që aktualisht ndodhen në opozitë.
Njoftimi
Përmbytjet e Shkodrës në 2010-2011, qeveria i jep zgjidhje çështjes së dëmshpërblimeve
Ka qenë vetë ministri i Energjisë që ka komunikuar vendimin e zi për banorët e zonave. Damian Gjiknuri njoftoi dje, në një dalje publike, se qeveria ka bërë një bilanc të detyrimeve që shteti ka mbetur pa u dhënë banorëve të këtyre zonave të përmbytura, duke i rakorduar këto me detyrimet që ata i kanë shtetit, në formën e faturave të papaguara të energjisë elektrike.
Nga ky rakordim, janë identifikuar 2.868 kontrata, për të cilat do të kryhet procedura e kompensimit me borxhin e akumuluar të energjisë elektrike. Vlera totale që do të kompensohet me shuarje detyrimi, sipas këtij vendimi arrin në 222.416.775 lekë. Kështu, do të jenë 1.58 milionë euro, që banorëve të përmbytur u hiqen nga duart, pasi qeverisë i është tharë burimi i të ardhurave normale buxhetore.
Çudia më e madhe është që vetë ministri deklaron se “banorët e prekur nga përmbytja, që sipas këtij vendimi janë në cilësinë e kreditorit, kanë dhënë pëlqimin për këtë shuarje”. Por, nga ana tjetër, ai njofton se, në rastin kur detyrimi i energjisë elektrike të banorëve të zonave të përmbytura, është më i madh se detyrimi që shteti u ka atyre, palët janë të detyruara që diferencën e detyrimit të energjisë elektrike ta zgjidhin sipas parashikimeve të kushteve të kontratave të furnizimit me energji elektrike.
Çmimi
Ndërkohë, Shqipëria mbetet vendi që ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, madje ua kalon dhe disa vendeve të Evropës si Bullgaria dhe Islanda. Zyra për Statistika e Komisionit Evropian Eurostat publikoi statistikat e fundit për çmimin e energjisë elektrike, ku duket se Shqipëria nuk është aspak e favorshme për çmimin e energjisë. Ndryshe nga çmimi shqiptar, Kosova garanton çmimin më të ulët në Evropë për qytetarët dhe bizneset të saj. Sipas Eurostat, kosovarët paguajnë mesatarisht 5.5 cent për kilovatorë, ndërsa në Shqipëri paguhet mesatarisht 11.6 cent për kilovatorë.
Pavarësisht se Kosova është një vend që importon energji nga Shqipëria, Kosova mundëson një çmim mbi dy herë më të ulët.
Kosova ndiqet nga Serbia me 6.1 cent për kilovatorë, ndërsa pas Serbisë lista vazhdon me Maqedoninë me 6.76 për kilovat, Bosnja dhe Hercegovina me 7.9 cent për kilovatorë dhe Mali i Zi me 8.83 cent për kilovatorë.
Përveç efekteve negative që barra e lartë financiare sjell për konsumatorët shqiptarë, ky çmim përbën po ashtu një element negativ për kompanitë private që operojnë në Shqipëri. Një kosto e lartë energjitike bën që Shqipëria të jetë më pak atraktive për investitorët e huaj, sidomos atyre që operojnë në fushat e industrisë së rëndë dhe industrisë fason.
Shtyhet zgjidhja
Pavarësisht nevojave të mëdha, sektori energjetik në vend do të mbajë investime të ulta në vitet në vijim. Në strategjinë e Rimëkëmbjes së Sektorit thuhet se shpenzimet kapitale do të shqyrtohen me kujdes nga ana e këshillave mbikëqyrës, si dhe ministria e linjës dhe do të kufizohen vetëm me zërat thelbësorë që janë konsistent me sigurinë e sistemit. Deri në vitin 2019 investimet në sistem janë planifikuar të jenë 29 miliardë lekë, por qeveria rekomandon që të kryhet vetëm 60 për qind e këtij planifikimi.
Nga ana tjetër, rrjeti i i shpërndarjes është tërësisht i amortizuar pasi ka kaluar mbi 40 vjet nga instalimi i linjave. Nevojat për investime në sektori i kalojnë të 50 miliardë lekët sipas zyrtarëve të Ministrisë së Energjetikës.
Problemet
Sipas prof. Suzana Guxhollit, këshilltare e ish-kryeministrit Sali Berisha, është mënyra e qeverisjes ajo që ka si pasojë rritjen apo uljen e çmimeve më sektorion e energjisë. Rritja e çmimit, sipas saj, do të thotë se qeveria ka probleme me menaxhimin e sektorit dhe nuk është e zonja t’i zgjidhë me reforma të tilla, të cilat të mbrojnë konsumatorin e njëkohësisht të rregullojnë modelin e tregut në sistem. Kështu, faturon mungesën e punës te konsumatori për të rregulluar bilancet. Ky është një rezultat i parashikuar prej PD, pasi që në takimet e para që qeveria ka bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ajo u angazhua ta çojë çmimin e energjisë në vlerat e çmimit të tregut. Ta çosh në çmimin e tregut të Komunitetit Europian, do të thotë ta dyfishosh këtë çmim.
Ndonëse Shqipëria bën pjesë te vendet në rajon që ka çmimet më të larta, në tre vite është zgjedhur nga qeveria Rama që ky çmim të mbetet i njëjtë, pra të rëndojë më tej në xhepat e konsumatorëve.
Kjo është një politikë e gabuar e kësaj qeverisjeje, pavarësisht se ia faturojnë ERE-s, thekson Guxholli. Duke shtuar edhe se milionat e dollarëve që po merren borxh nga Banka Botërore për të rregulluar sektorin do të mjaftonin për të shmangur ngarkesën e konsumatorit me çmime të rritura.
Shtohet lista e objekteve shtetërore që jepen me 1 euro
Qeveria ka zgjeruar fushën e veprimit të nismës së dhënies së pasurive shtetërore kundrejt tarifës simbolike 1 euro për kontratën e qirasë. Me vendimin më të ri, truall shtetëror për aktivitetin e biznesit me këtë tarifë qiraje nuk do të përfitojnë vetëm bizneset fason, veprimtaritë prodhuese industriale në nivele investimi mbi 10 milionë euro apo veprimtaritë që ndikojnë në zgjidhjen e problemeve sociale në zona të veçanta. Në vendimin, që tashmë ka marrë fuqi ligjore, pjesë e projektit janë bërë edhe shkollat, universitetet e mediat në rastet kur investimi është mbi 200 milionë lekë, si dhe veprimtaritë për konstruksion, shërbim mirëmbajtjeje apo dekonstruksion të mjeteve detare lundruese me nivele investimi mbi 500 milionë lekë. Vendimi vjen në një kohë kur është zhvilluar një proces intensiv i identifikimit të trojeve të lira shtetërore që mund të vihen në dispozicion të procesit të kthimit e kompensimit të pronave. Kjo do të thotë se pronat shtetërore të lira mund të jenë përfshirë në fondin e kompensimit, duke krijuar ngërç për dhënien e tyre me qira. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike që mund të krijohet, në të njëjtin vendim është përcaktuar opsioni që, në rast kërkese për investim, trualli mund të dalë nga fondi i kompensimit kundrejt zëvëndësimit me një pronë tjetër, me vlerë të njëjtë ose më të madhe. Në përpjekje për të tërhequr investime të huaja përmes kushteve të favorshme si dhe, njëkohësisht, për të kthyer në eficencë pronat shtetërore, qeveria aktuale ka rikthyer nismën e qeverisë së mëparshme të emërtuar “Shqipëria 1 euro”, të cilën e kritikoi ashpër duke qenë në opozitë.
INSTAT: Papunësia në nivelin 17.3%, më shumë tek femrat
Papunësia në ekonominë shqiptare gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishte në nivelin 17.3%. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, papunësia pësoi një rënie nga niveli 18% i fundit të vitit 2014, por megjithatë ngelet në nivele të lartë. Një problem që vijon të thellohet është papunësia shumë e lartë mes të rinjve nga mosha 15 deri në 29 vjeç. Sipas Instat, shkalla e papunësisë së të rinjve arriti në 34.1%, në rritje të mëtejshme nga niveli 33.9% i fundit të vitit të kaluar, duke arritur nivelin më të lartë të viteve të fundit. Më shumë se një në tre të rinjve punëkërkues nuk arrijnë të gjejnë një punë dhe kjo po bëhet gjithnjë e më shumë një plagë ekonomike dhe sociale. Papunësia e të rinjve ka përmasa shumë të mëdha sidomos ndër femrat, me 35.1%. Nga ana tjetër, shkalla e punësimit në ekonomi për tremujorin e parë të vitit qëndroi në 52.1%, po aq sa në fund të vitit 2014. Niveli i lartë i papunësië dhe stanjacioni i punësimit që nga mesi i vitit të kaluar tregon se aftësia e ekonomisë për të gjeneruar vende të reja pune është ende e dobët. Struktura e punësimit në ekonomi vazhdon të dominohet nga bujqësia dhe shërbimet, që së bashku sjellin më shumë se 80% të punësimit në ekonomi. Tipike për ekonominë shqiptare vazhdon të jetë niveli i lartë i punësimit të brishtë, ku të vetëpunësuarit përbëjnë 26.3 % të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 31.5%.
Tatimet zbulojnë 10.4 miliardë detyrime të papaguara nga bizneset
Edhe pse ka 2 vite që qeveria po shlyen detyrimet e prapambetura për binesin, akoma nuk ka një statistikë të saktë se sa është borxhi që biznesi i ka pa shlyer administratës fiskale. Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vlerën më të madhe të borxhit tatimor e mban biznesi i vogël, kryesisht mospagim taksash dhe mosdeklarim të sigurimeve shoqërore. Vetëm gjatë këtij viti është zbuluar një shumë prej 10.4 miliardë lekësh si borxh i paraportuar ndonjëherë.
Sipas tatimorëve, tani është pastruar regjistri i tatimpaguesve me mosdeklaruesit, duke ulur efektin e prodhimit të gjobave fiktive dhe të pambledhshme. Nga ky proces janë kaluar në regjistrin pasiv më shumë se 8.000 tatimpagues, kryesisht subjekte të biznesit të vogël, të cilët kishin mbi 10 vjet që nuk deklaronin. Evidentimi i tatimpaguesve të cilët janë subjekt i Mbledhjes së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht me vënien në funksionim të sistemit të ri elektronik.
Kompanitë e lojërave të fatit ankohet tek Konkurrenca
Kompanitë e lojërave të fatit janë ankuar për njëra tjetrën përgjatë 2014-s për praktika të pandershme konkurrence.
Sipas burimeve zyrtare të Autoritetit të konkurrencës Ndërmarrja “Lotaria Kombëtare” ka pretenduar se, shoqëria Nacional SHA, tregton bileta gërvishtëse nën logon e saj. Shoqëria Nacional është e licencuar për organizimin e lojës “Bingo” nga ana e Njësisë 17 së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Biletat gërvishtëse në bazë dhe në përputhje me nenin 26.2 ç (i) të Ligjit nr. . 10033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, janë pjesë e lojërave të lotarisë kombëtare dhe si të tilla mund të hidhen në treg vetëm nga i licencuari i lotarisë kombëtare, pra vetëm nga Lotaria Kombëtare, e cila operon në bazë të Marrëveshjes së Licencimit të Lotarisë Kombëtare.
Autoriteti i Konkurencës pohon se, në përfundim të vlerësimit të ankesës u konkludua se, problematika e ngritur trajtohet nga Ministria e Financave si palë në Marrëveshjen e Licencës për Lotarinë Kombëtare, ratifikuar nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë me Ligjin nr. 95/2013, datë 04.03.2013 dhe Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, e cila mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e subjekteve, që organizojnë lojëra fati në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi dhe u njoftua ankimuesi se kjo problematikë nuk hyn në objektin e veprimtarisë të Ligjit nr.9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar dhe nuk përbën objekt shqyrtimi nga Autoriteti i Konkurrencës.
Në një tjetër ankesë po në 2014-n, ndërmarrja “Nacional Bingo” ndaj Lotarisë Kombëtare – Ankimuesi pretendonte se dhënia e licencës për Lotarinë Kombëtare, kompanisë austriake “Austrian Lotteries”, krijon monopol në tregun shqiptar të lojërave të fatit. Lidhur me pozitën dominuese në tregun përkatës, Ligji nr.9121, në nenet 8-9 të tij, vlerëson dhe ndëshkon abuzimin me pozitën dominuese të një ndërmarrjeje, por jo ekzistencën e pozitës dominuese. Ligji ‘Për lojërat e fatit” përcakton se “Autoriteti i parashikuar nga ligji ka të drejtë të japë licencën “Lotari kombëtare” për një periudhë 10-vjeçare. Licenca/kontrata bëhet efektive pas miratimit nga Kuvendi. Kjo licencë është një e vetme dhe i jepet aplikantit, i cili përzgjidhet i pari në procesin e konkurrimit, të zhvilluar sipas procedurave të përcaktuara në ligj dhe në aktet nënligjore, dalë në zbatim të tij”. Në këtë ligj janë përcaktuar dhe kategoritë e lojërave të fatit që janë përfshirë në licencën e lotarisë kombëtare. Në përfundim u konkludua se, kategoritë e lojërave të fatit që i janë dhënë mbajtësit të vetëm të licencës së lotarisë kombëtare janë përcaktuar me ligj.
Ulet interesi i letrave me vlerë të qeverisë
Interesat e bonove të thesarit po ndjekin një cikël të ri në rënie. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesi i bonove 12 mujore në ankandin e të martës ishte 3.31%, më i ulëti në shtatë muajt e fundit. Shuma e kërkuar nga qeveria ishte 9.6 miliardë lekë, ndërsa oferta për financim ishte 12.9 miliardë lekë. Ndërkohë, bonot me maturim gjashtë mujor regjistruan një interes minimal historik prej 3.04%. Shuma e kërkuar nga qeveria ishte 4.4 miliardë lekë, ndërsa oferta për financim preku vlerën e 6.3 miliardë lekëve. Prej rreth tre muajsh, interesat po lëvizin në rënie për të gjitha maturitetet. Kërkesa e qeverisë për financim në tregun e brendshëm financiar ka qenë më e kufizuar, në vijim të strategjisë për të siguruar huamarrjen në tregjet e huaja. Me këtë strategji, qeveria synon të ulë presionin mbi tregun e brendshëm, për të krijuar më shumë hapësira për financim të sektorit privat. Megjithatë, kreditimi i ekonomisë vazhdon të jetë i ngadalë dhe rritja vjetore po qëndron në kufirin mes 2% dhe 3% prej shumë muajsh. Në këto kushte, bankat zotërojnë likuiditete të lira me bollëk, që tentohen të investohen kryesisht në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare. Interesat e ulëta të bonove të thesarit, si normë reference investimit në monedhë vendase, shtyjnë në të njëjtin kah edhe interesat e depozitave dhe kredive bankare.
Greqia vijon të zhgënjejë, BE refuzon propozimin e saj për borxhin
Ashtu siç u paralajmërua ditën e hënë nga zyrtarë brenda Komisionit Europian, Brukseli e ka cilësuar si të papranueshëm dhe si jo të besueshëm propozimin më të fundit të Greqisë për reforma në këmbim të marrëveshjes që do të zhbllokonte 7.2 miliardë euro financime për vendin. Madje, ky propozim ka marrë një reagim më të fortë nga Europa në krahasim me refuzimet e mëparshme. Tonet mes palëve kanë prekur kulmin. “Greqia e ka ekzagjeruar”, u shpreh një prej zyrtarëve të Komsionit Europian. Kritikat shkojnë edhe më tej, pasi Europa pretendon se qeveria e drejtuar nga Alexis Tsipras nuk është ndërgjegjësuar për rëndësinë e situatës. Madje është vetë kryeministri grek ai që i konfirmon këto kritika. Ditën e hënë në një prononcim për mediat italiane, optimizmi i tij kalonte çdo kufij.
Propozimi i Athinës veç të tjerash zhgënjeu për të disatën herë besimin e kreditorëve. Një javë më parë, në ngut për të arritur marrëveshjen, Tsipras u angazhua të propozonte një sërë masash vetëm që marrëveshja të arrihej. Një angazhim të tillë e mori përballë kreut të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, përballë përfaqësueve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe të Bankës Qendrore Europiane. Vetëm një ditë më pas, Athina, pa kurrfarë paralajmërimi, njoftoi Fondin Monetar Ndërkombëtar se pagesat do të shtyheshin deri në fund të muajit. Tashmë kreditorët i kanë lënë Greqisë në dorë të zgjedhë, pasi pretendojnë se e vetmja zgjidhje është që Greqia të avancojë me angazhimet që vetë Tsipras ka ndërmarrë një javë më parë.





